Fjala e Ambasadores Yuri Kim pas Ceremonisë së Prezantimit të Letrave Kredenciale
Jemi ende me ju krah për krah”, janë këto fjalët që ambasadorja e re në Tiranë, Yuri Kim zgjodhi t’i thotë në gjuhën shqipe, në fjalimin e parë zyrtar të saj. Ndërsa përmendi mbështetjen e SHBA ndaj vendit tonë, ambasadorja Kim tha se pret që të bashkëpunojë me udhëheqësit në Tiranë, për reformën në drejtësi si edhe luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

Me poshte po japim fjalimin e plote .

Mirëdita!

Sot në mëngjes i paraqita letrat kredenciale Presidentit Meta si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë. Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Jam e nderuar që Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Pompeo më kanë besuar që të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara në vendin tuaj të shkëlqyer. Si Ambasadorja e SHBA, pres me kënaqësi t’ju njoh juve, historinë tuaj dhe kulturën tuaj. Jemi miq, aleatë dhe partnerë. Sikurse e thashë gjatë seancës time dëgjimore në Senat, pak miq e kanë përqafuar Amerikën më me ngrohtësi, pak aleatë kanë qenë më besnikë dhe pak partnerë kanë gatishmërinë dhe vullnetin për të bërë më shumë me Shtetet e Bashkuara sesa Shqipëria.

Jam gjithashtu e nderuar që ndodhem sot para ndërtesës së Ambasadës së SHBA. Themelet e saj u vendosën në vitin 1929 dhe ajo vazhdon të qëndrojë krenare në zemër të Tiranës si një testament për forcën e qëndrueshme të marrëdhënieve amerikano-shqiptare.

Miqësia dhe angazhimi ynë i ndërsjellë janë të rrënjosura thellë.

Njëqind vjet më parë, Presidenti Woodrow Wilson ngriti zërin për Shqipërinë, kur nuk lejoi Fuqitë e Mëdha të ndanin Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Presidenti Amerikan e përdori fuqinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur një Shqipëri të pavarur, për të pritur një përfaqësues shqiptar në Uashington dhe për të hapur rrugën që Shqipëria të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920.

Pas Luftës së Dytë Botërore, të dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por, edhe kur qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, lidhjet mes popujve tanë mbetën. Ne flisnin me njëri-tjetrin përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese.

Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjë e komunizmit dhe të diktaturës. Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.

Kemi qëndruar krah jush që atëherë, duke mbështetur hyrjen tuaj të suksesshme në NATO në vitin 2009 dhe, tani, përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë.

E dimë se ka punë shumë të vështira përpara, por dimë edhe që puna e vështirë është më e lehtë me miq dhe aleatë.

Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet një aleate edhe më e fortë dhe më e aftë dhe jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për në BE.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njëjtat rregulla.

Pres me kënaqësi të mbështes udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë – por absolutisht të nevojshëm – për të zbatuar reformën në drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar.

Jam besimplotë që teksa drejtësia dhe integriteti hedhin rrënjë, më shumë investitorë do të tërhiqen drejt Shqipërisë, në mënyrë që të mund të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi, si për amerikanët, edhe për shqiptarët.

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një Aleate, partnere dhe mike të vërtetë.

Dhe ashtu siç qëndruam me ju në vitet 1920, 1991, 1999 dhe 2009, ne qëndrojmë përsëri me ju për të mbështetur të ardhmen tuaj si një vend demokratik i begatë brenda familjes evropiane.

Ne jemi ende me ju, krah për krah.

Loading...

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here