Nga Briken Fejzullai

(Po i bie pak gjatë, që mos t’i bie akoma më gjatë, nëse i bie shkurt e s’kuptohem)

Sot, mund të rrimë e të debatojmë sa të duam, se si ky virus lindi nga gjarpri apo ariu, lakuriqi apo njeriu; por fakti është, që e kemi tashmë këtu, mes nesh. U krijua në laborator a në natyrë, nuk është kjo sot, tema. Ky virus kalon nga njeri te njeriu në forma të ndryshme, lehtazi dhe me shpejtësi marramëndëse.

Ky është fakti!

Me konspiracionet, merremi sa të doni, kur kjo situatë të kalojë!

Tani, çdo administrator i mirë familjeje/pallati/biznesi/populli, në çastin që stuhia do të shfaqej në horizont, do të merrte të gjitha masat, për atë që do të vinte dhe nuk do e linte për ditën e fundit.

Unë psh, që administroj aktivitete ku punojnë me dhjetra persona dhe ku shërbehen qindra/mijëra klientë; organizohem për skenarin “më të keq” kur pres dyndje. Plus, garantohem nga furnitorët që prodhimi dhe magazinat, janë ok në çdo moment që më duhen. Nëse ka mungesa të një produkti që më duhet me patjetër, e gjej nga furnitorë paralel. Nëse ka mungesë për gjithë tregun, kam siguruar produkte alternative.

Por nuk e lë për momentin e fundit.

Ditën që filloi pandemia në Itali, pazaret e mia, u më bënë me qëllimin e kësaj dite. Italia, është fqinji me të cilin kemi marrdhënien më të mirë nga fqinjët (Kosova s’është fqinj, është sh’pi), me të cilin përveç qindra bizneseve, shkëmbejmë edhe më shumë udhëtarë, se me çdo vend tjetër në botë, çdo ditë.

Duke parë trendet (Kinë, Kore e Jugut, Itali) dhe duke futur edhe faktorin vendas, çdo herë që shkoja në market, fillova të hidhja “themelet” e karantinës time, sepse vetëm një i marrë, mund të mos e kuptonte, që momentin që erdhi në Itali, kishte mbërritur tashmë edhe këtu, mes nesh.

Ky i fundit, ishte edhe motivi, pse nuk u tregova egoist e t’i hipja avionit për të shkuar në New York, ku jeton, si im bir, ashtu dhe prindërit e mi, apo ime motër me familjen e saj. Rreziku që unë mund të kisha takuar njerëz me covid 19 e t’ia u çoja atyre “peshqesh” ishte real.

Kështu që e ndava mendjen, do e kaloja këtu.

Fiillova të merrja pa u panikosur, gjërat jetësore si fillim e më pas, duke sistemuar dhe dopjuar edhe gjëra të cilat ishin të dorës së dytë në dukje (si ilaç enesh, detergjent rrobash, qese plehrash etj) por të domosdoshme, për të kaluar një situatë, e cila me gjithë pozitivitetin e botës, nuk mund të ishte për gjykimin tim, më e shkurtër se 50 ditë. Paralelisht me këtë u furnizova sa duhej me dezinfektues, alkool, maska, ilaçe, vitamina; me qetësi, përllogaritje, por pa babëzi.

Në fund, i krijova një “backup” shpirtit tim, me qirinj/alkool për të pirë/libra (extra); duke qenë se shtëpia ime, do të ishte edhe “burgu” im i përkohshëm, për një periudhë të pacaktuar. Pagova internetin pa më ardhur data e skadencës, edhe për muajt në vazhdim. Isha gati.

Nga ai çast, jam i qetë me veten, sepse mund të ndodhë çdo gjë; por unë nuk ia vara në qafë fatin tim, shprehjes filozofike tradicionale shqiptare “na ru’jt Zoti”… sepse Zoti, përveç shumë gjërave, më ka dhënë sytë në ballë e llogjikën në kokë.

Po qeveria jonë, e cila kishte, në rastin më të keq, një muaj kohë të parapërgatitej; ç’masë mori për “qametin” tek dera, do thoni ju!?

Mendoni se porositi dorezat, maskat, e dezinfektantët përpos, aparateve respiratorë, për të cilat do kishim nevojë si ajri!?

Jo! Ajo vendosi të bëjë atë, të cilën di të bëjë më mirë, se kushdo qeveri tjetër në Evropë. Show! Si gjithmonë!

Në fillim kërcënoi me heqje liçence, shkollën e cila e para, 2 javë përpara ministreshës më të paaftë që nga koha Ilir Beqes, mori masat që mësimi të ndërpritej.

Pastaj na tregoi për një muaj e gjysëm, si të lanim duart me sapun.

Nxori nëpër ekrane dy doktoresha të nderuara të cilat i “çnderoi” duke i veshur me uniforma partie dhe u mori dinjitetin, teksa përpëliteshin çdo ditë nëpër tv duke justifikuar, masat e pa marra.

Sot që flasim, përveç mungesës së mjeteve bazë si alkooli apo maskat për mjekët heronj, të cilët luftojnë në mënyrë të pabarabartë me një armik të padukshëm; kemi në total, vetëm 130 aparatura respiratore në rang republike. Llogarit’ ato që janë në përdorim nga pacientët në terapi të ndryshme post operatore dhe jo vetëm… shto edhe ato që “me mik” janë prenotuar përpara… tani bëjeni vetë, llogarinë se çfarë mbetet.

Vetëm përpara dy ditësh, “Kryetari i fisit” (ai që s’ka lënë konçesione e PPP pa u falur miqve, e miqve të miqve), vendosi të blejë 2.000 aparate respiratore.

Kjo, në rastin më të mirë, është papërgjegjshmëri totale!

Për të mos folur për numrin e tamponëve e gjithçka tjetër, që dimë të gjithë.

Thënë kjo, përpos gjithë gjithë mënxyrave që kjo qeveri dhe “Taksirati” që na ka rënë për udhëheqës, kanë bërë deri tani; në një gjë, më gjejnë dakord.

E vetmja zgjidhje që na ka mbetur tashmë, është të mbyllemi, derisa kjo pandemi të kalojë!

Shihni ç’po bëhet në Itali!

475 të vdekur në një ditë të vetme. TMERR!

Të mendosh që Lombardia, ka një nga sistemet shëndetësore më të mira në Evropë (e kam me provë) dhe kur erdhi momenti, kolapsoi!

Sepse e morën tehtshëm, derisa kuptuan që tashmë, ishte shumë vonë.

Po ne, deri kur do vazhdojmë të gënjejmë veten, që jemi spermë superiore e s’na gjen gjë!?

Ka ardhur koha t’i vëmë gishtin kokës e të kuptojmë që me këtë qeveri paçavure, e cila e vetmja gjë që di të bëjë, është të bëjë show e kërcënojë prej bunkerave ku është strukur; nëse nuk ruajmë veten dhe njëri-tjetrin, do shohim tmerr me sy.

Ndaj sot që jemi në luftë, siç i pëlqen ta quajë “Gjenerali i Ushtrisë së Mekur”, e ke detyrim moral të bësh të vetmen gjë që duhet të bësh, nëse i do njerëzit që ke për zemër.

Të mbyllesh e të presësh. Sepse me neglizhencën tënde, ti, mund jesh arma që i vret.

Mos bëj atë që nuk bëri në kohë qeveria, duke mos i ruajtur shtetasit e saj e duke mos i mbyllur kufijtë, në kohë.

Këtu nuk flitet për humbje lirie, por për humbje jetësh njerëzore. Sot jemi me 64 të prekur dhe 2 të vdekur zyrtarisht… dhe shifrat janë totalisht të pavërteta, duke konsideruar numrin e ulët të tamponëve që kryhen.

Duke parë kurbën e virusit kudo, javët në vazhdim, do jenë edhe javët me të vërtetë, të vështira.

Nëse ti mendon se je më i zgjuar se të tjerët; po të kujtoj se ti je ai “fenomeni” i cili përveçse rrezikon këdo me të cilin mund të kesh kontakte, zgjat edhe karantinën në kohë, për të gjithë të tjerët të cilët me sakrifica të mëdha, po respektojnë në detaj këshillat e ekspertëve.

Kina, është shembulli më i mirë sesi ia dilet. Nesër do të kemi me siguri kurën, por sot e vetmja kurë e sigurt, është qendrimi në shtëpi, sepse ajo që po vjen, nëse vazhdojmë e sillemi si individë pa lidhje me njëri tjetrin e jo si një trup i vetëm, do jetë (qoftë larg) një llahtar i vërtetë… dhe ne nuk e kemi këtë luks.

Ta them pa frikë, por me llogjikë dhe shpirt:

PO NDENJE NË SHTËPI, KE FALUR DASHURI!

Bëje për veten, bëje për shqiptarin që të rri ngjitur!

Ps. Dashtë Zoti/Universi/Nëna Tokë; ta kalojmë me sa më pak dëme në njerëz. Të tjerat, rregullohen!

L❤VE

CopyAMP code

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here