10 je.të për 50 kg kok.ainë/ Historia mak.abre e ‘djemtë e bukur të Dubait’ me kodin e heshtjes…

0
131

This post has already been read 22 times!

Era e grupit të ‘Sakatit’ u ndje më 29 dhjetor të vitit 2018, kur në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe kreu i grupit “Tarzani”, që njihet edhe vetë me këtë nofkë, Endrit Alibej.
Featured image of article: 10 jetë për 50 kg kokainë/ Rivaliteti i egër mes ‘Sakatit’ dhe ‘Tarzanit’ që rreshtoi kufomat brenda dy viteve, konkurentët u eliminuan nga burgu, fija që nxjerr në skenë ‘djemtë e bukur të Dubait’ me kodin e heshtjesSakati dhe Tarzani (viktimat poshtë)

TIRANË– Ka mjaftuar vetëm një vit që rivaliteti mes dy bandave super të rrezikshme, por asnjëherë të zbuluar totalisht që të linin pas 10 viktima. Atentate mafioze e armatime të rënda e të denja për ‘luftë’, pas të cilave fshihen vetëm dy grupet: “Sakati” dhe “Tarzani”.

Era e grupit të ‘Sakatit’ u ndje më 29 dhjetor të vitit 2018, kur në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe kreu i grupit “Tarzani”, që njihet edhe vetë me këtë nofkë, Endrit Alibej.

Përveç 34-vjeçarit, në këtë atentat humbën jetën edhe Arben Dylgjeri, daja i ‘Tarzanit’ dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Të tre, sapo ishin kthyer nga Belgjika për të festuar ardhjen e vitit të Ri 2019, por nuk e arritën atë ditë. Vetëm tre ditë para festive të fundvitit, plumbat e kallshnikovit ranë mbi ta dhe në sy të grave e fëmijëve, ndërruan jetë, pa mundur as të shkonin në spital.

Grupi i “Sakatit” drejtohet nga tre vëllezër, ku njëri prej tyre është invalid dhe thirret me nofkën “Sakati”. Ky i fundit, identeti i të cilit është mister, ndodhet në burg në Itali për akuzën e trafikut të drogës, por anëtarët e tjerë që qëndrojnë në Peqin, Belgjikë, Holandë dhe Itali dhe veprojnë pa u penguar nga askush, nën rregullat e urdhrat e dy vëllezërve të tjerë, që ndodhen jashtë. Anëtarët e këtij grupi mbajnë kontakte të vazhdueshme me persona të dënuar me burg përjetë dhe që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit dhe Bradasheshit, në Elbasan. Ata kontaktojnë me këta njerëz që nuk kanë më se ç’të humbin, në momentin që u duhet të lajnë hesat me rivalët, siç ndodhi dhe në rastin e Alibejt.

Po, pse u vra Alibej?

Erdal Duranay, Endrit Alibej, Arben Dylgjeri,

Dyshimet janë se konfliktet mes ‘Tarzanit’ dhe ‘Sakatit’ erdhën pas një humbjeje të një sasie prej 50 kg kokainë. ‘Sakati’ ra në kontakt me Alibejn dhe pasi ky i fundit nuk iu përgjigj për 50 kilogramët e kokainës, që në treg mund të kapë vlerën e 500 mijë eurove, dyshohet se nisi të përgatisë atentatin.

Por lëvizjet s’u ndalën….

Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘rob’ i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa preçedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.

Andi Zylyfi dhe Ardit Uruçi

Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot jeton.

Një ditë pas këtij atentati, RENEA zbarkoi në Elbasan ku dhe pas një karburanti në emër të biznesmenit Ilir Beko gjeti një arsenal me armë të softistikuara. Pjesa më e madhe e armëve ishin moderne dhe që i përkisnin prodhimit francez dhe belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO, 7 kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte, snajpera modern dhe 5 pistoleta me silenciator o hëngrën kokën edhe dy efektivëve. Specialisti i Krimeve Edvin Gjyli dhe Inspektori i Krimeve të Rënda Eduart Hasani nxorën informacion në media në lidhje me operacionin e zhvilluar. Dhe u pezulluan.

Pikërisht në këtë karburant, ku u gjet dhe depoja e armëve, qëndronin herë pas here edhe anëtarë të këtij grupi kriminal, të ‘Sakatit’. Ngjarjet në Peqin, sikur ranë në qetësi, ndoshta mungesa e armatimit, ndoshta fakti që ‘Sakati’ e kishte marrë tashmë çmimin e kokainës së humbur…

Por, më 27 prill të vitit 2020, dora e ‘Sakatit’ do të vinte sërish në skenë. Këtë herë, për paratë e grabitura në Aeroportin e Rinasit, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, siç edhe thonë burime nga prokuroria thurën planin e atentatit për të vrarë dy vëllezërit Haxhia, Viktor dhe Besmir. Të dy u vranë brenda makinës së tyre, shumë pranë biznesit të tyre në Shën Vlash të Durrësit. Në pranga si ekzekutor është vënë Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Ky i fundit zbërtheu të gjithë vrasjen, madje edhe tregoi vendin ku kishin fshehur armët e krimit.

Viktor dhe Besmir Haxhia
Lidhja me grupin e Sakatit në këtë vrasje, u bë kur edhe vetë Ndoci pranoi gjithçka.

Klevis Alla, Altin Ndoci dhe Talo Çela
“Vrasja ka ndodhur për paratë e grabitura në Rinas, Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë organizuar gjithçka. Një pjesë e parave të grabitura në Rinas, u ishin lënë vëllezërve Haxhia. Çela shkoi t’ua kërkonte më pas, por ata u justifikuan dhe thanë se ua kishin grabitur në momentin që iu grabit edhe servisi. Më pas i vranë,”– u shpreh Ndoci kur u ‘zbërthye’.

Altin Ndoci, është një personazh i skeduar për vjedhje dhe dyshohet duke u verifikuar tashmë për një tentativë grabitje në Fier, ku një nga autorët mbeti i vrarë nga policia, ndërsa një tjetër i plagosur.

Edhe rrëfimi i Klevis Allës, një prej autorëve që mori pjesë në ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia dhe në vrasjen e Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë, ka hapur dosjet e pazbardhura, për ngjarjet kriminale dhe atentatet e kryera në Elbasan. Në dosje, shkruhen mjaft qartë emrat e bashkëpunëtorëve të Allës dhe Ndocit, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Talo Çelën, por për dorën e ‘Sakatit’. Dy të rinjtë, ishin pjesë e një skuadre qitësish me pagesë, ku herë pas herë kryenin dhe grabitje.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Nuk do të vononte shumë dhe skuadra e ‘Tarzanit’, do të lëvizte gurët e tij. Vërtet Endrit Alibej vdiq, por la pas Erion Alibejn, që tashmë është në pranga për organizimin e tre atentateve. Alibejt akuzohet se ka organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës. Ramazani, i njohur si ‘Rramami’ ishte i përfshirë në ngjarjet kriminale në zonën e Elbasanit e Peqinit për llogari të Sakatit, por dy të tjerët kishin vetëm një mëkat.

Erion Alibej
Regis Runaj, ishte mik i Ramazanit dhe kishte rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së tij, ndërsa Bujar Çela ishte vëllai i Talo Çelës. Por edhe pse të shkëputur nga bota e krimit, të dy paguajtën shtrenjtë njohjet me të përfshirët.

E shkuara e Alibejt në Itali, u dënua me 4.5 vite burg

Erion (Andrea) Alibej, rezulton i përfshirë në trafikun e kokainës në Itali. Ai është arrestuar bashkë me vëllain e tij të ndjerë në vitin 2013 në Itali, në kuadër të një operacioni antidroge, konkretisht në fushën e kokainës. Atëherë ai ishte 27 vjec dhe u kap bashkë me vëllain e tij, Endritin që ishte 29 vjeç. Ky i fundi ishte drejtuesi i një grupi të madh kriminal ku kishte edhe 10 shqiptarë të tjerë. Endrit Alibej, 29-vjeçari i arrestuar në atë kohë përdorte disa emra madje edhe te shtetësive te ndryshme. Ai përdorte gjithashtu emrin Endrit Dylgjeri apo Ravik Dylgjeri duke përdorur në këtë rast mbiemrin e nënës. Gjithashtu ai përdorte dokumentet si shtetas rumun Gabriel Manu apo si shtetas grek me emrin Dimitrios Kriporis. Endrit Alibej ka përdorur sipas dosjes italiane dhe nofkat “Tino” dhe “Tarzan”. Ndërsa vëllai i tij, i arrestuari i sotëm, Erion Alibej, përdorte dy emra të tjerë Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej. Ky i fundit u dënua me 4.5 vite burg, por doli shumë shpejt dhe u largua drejt Hollandës.

Tre vrasjet për të cilat akuzohet Erion Alibej, atentati ndaj Emiljano Ramazanit, masakrimi me thikë i Regis Runajt dhe vrasja e Bujar Çelës

Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj ishin miq me njëri-tjetrin. Emiljano Ramazani u ekzekutua në 20 korrik, teksa ishte duke parkuar mjetin e tij. Mbi të u qëllua me 5 plumba që e lanë të vdekur në vend. Në lidhje me ekzekutimin e Ramazanit janë arrestuar 6 persona, por në qeli janë vetëm Albert e Seit Menehasa. Katër të shoqëruarit e tjerë, Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. 39-vjeçari i njohur si Rramami ishte një person i skeduar edhe më parë nga Policia e Shtetit. Në vitin 2012 gjatë operacionit të koduar “Tabakane 2”, Emiliano Ramazani u arrestua së bashku me 5 të tjerë pasi prokuroria kishte prerë fletë arresti për prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e shitjes më shumë se një herë. Nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë 39-vjeçari pas këtij arrestimi por dihet se edhe në vitin 2017, gjatë operacionit “Porosia e Fundit” Rramani u arrestua për të njëjtën vepër penale. Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, personin që është në kërkim për grabitjen e 4.6 milion eurove në Rinas dhe ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës.

Ndërsa 23-vjeçari Regis Runaj, vinte nga një familje pa lidhje me botën e krimit, kjo pasi i ati ka punuar si shofer në Policinë e Elbasanit, ndërsa e motra punon në Gjykatën e Rrethit. Vrasja e këtij të fundit dyshohet se erdhi pas ekzekutimit të mikut të tij Ramazani, pasi Runaj mund të ketë ‘nuhatur’ gjurmët e autorëve të vërtetë. Më 29 korrik, nëntë ditë pas ekzekutimit të Ramazanit u vra Runaj. Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, përkatësisht 29 dhe 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi konsumuan lëndë narkotike me Runajn, e vranë atë me thikë. Halili është bërë edhe bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka rrëfyer të gjithë zanafillën e ngjarjes. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje ka rënë edhe Erjon Shehu, kunat i Xhuliano Hoxhës. Më tej bëhet me dije se Shehu ka qenë në kërkim, pasi është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Runajt pranë varrezave të qytetit. Halili dhe Hoxha akuzohen gjithashtu se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit. Ata dyshohet se janë personat që kanë informuar ekzekutorët për lëvizjet e Ramazanit, në mënyrë që ‘puna’ e tyre, të bëhej më e lehtë.

Bujar Çela u ekzekutua para një lokali tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 50-vjeçari u qëllua me tre armë njëkohësisht, teksa pinte kafenë e mëngjesit dhe priste të niste punënë si taksist në të zezë. Viktima, vëllai i të shumëkërkuarit Talo Çela, një nga grabitësit e 4.6 mln eurove në aeroportin e Rinasit, më 9 prill të 2019 që akuzohet dhe për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës. Madje, vrasja e Çelës, vëllait të Talo Çelës, ishte mënyra e Erion Alibejt për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Endrtiit, që ia morën jetën në sy të gruas dhe fëmijëve. Erion Alibej, kishte mësuar se Talo Çela dinte gjithçka rreth ekzekutorëve të Endrit Alibejt, por nuk ia kishte treguar. Kështu, duke vrarë Bujar Çelën, mori hak.

Po lidhja me Eldi Dizdari ku bëhet, kapoja i “Kompania Bello” që u arrestua në Dubai?

Gazetari Artan Hoxha i ka përmendur shumë herë ‘djemtë e Dubait’, herën e fundit, përmes një statusi, Hoxha i lidhi me vrasjen e Emiljano Ramazanit, që ndryshe njihej si Rramami.

“Me ne fund, pasi moren disa goditje te forta rresht, nga “djemte e Dubait”, mbase “ata” te “Tarzanit”, u bene te gjalle… Lufta per kontroll te territorit dhe tregun e “te bardhes”, po korr me sukses, viktimat e veta,”- shkruante Hoxha ndër të tjera.

Nga ana tjetër, burime për Dosja.al bënë me dije se Alibej, dyshohet se paguhej nga grupet shqiptare të kokainës me vendodhje në Dubai që trafikonin kokainë në Evropë për të eleminuar persona të caktuar në Shqipëri, duke “rregulluar” kështu hesapet e lëna në mes mes bandave. Konkurrenca mes grupeve rivale dyshohet se është shkaku i parë i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Me atë të vrasjes së Çelës, Alibej përveçse mori hakun e të vëllait, dha edhe një mesazh për vellain e tij, Talo Çela.

Një fije tjetër që mund të lidhë Alibejn me ‘djemtë e bukur të Dubait’ është edhe kodi i heshtjes. Dy herë ka dalë para Gjykatës, të dyja herët me ‘gojën e qepur’. Siç duket, kodin e “Omerta”-së, që respektonte grupi i Los Blancos, Alibej e njeh shumë mirë, dhe për të mos ‘takuar’ të vëllanë, ka heshtur…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here