Mafia në panik/ Ja paratë që po hidhen për blerjen e mediave dhe shtyrjen e arrestimeve nga SPAK – Korrieri.net


Dy Klodianët e mafies, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë pjesa e dukshme e kokës së aferës 400 milionë euro me incineratorët. Disa media të Tiranës po paguhen me paratë e vjedhura në buxhet për të heshtur për aferën më të madhe në historinë e korrupsionit në Shqipëri. Një pjesë parave po hidhen për të penguar hetimet dhe për të shtyrë arrestimet e para

Afera me incineratorët ose fabrikat e trajtimit të plehrave, aktualisht nën hetim nga SPAK, është vjedhja më e madhe, më flagrante dhe sfiduese në historinë e korrupsionit në Shqipëri. Për të realizuar vjedhjen janë bashkuar politikanë të tre bandave PS-PD-LSI, janë bashkuar biznesmenë, trafikantë kokaine, njerëz në kërkim ndërkombëtar, persona me rekorde botërore korrupsioni, janë bashkuar gazetarë dhe njerëz të drejtësisë.

Si e tillë, afera me incineratorët nuk mund të kishte tjetër  ideator përveçse Arben Ahmetajn, politikanin e dytë më të korruptuar në Shqipëri pas Ilir Metës.

Ikona e korrupsionit të Rilindjes bëri letrat e vjedhjes së rreth 400 milionë eurove në buxhetin e shtetit. Por, Arben Ahmetaj nuk është i vetmi. Skandali me incineratorët ndryshon nga çdo aferë tjetër financiare që është realizuar nga dora e kupolës politike të Tiranës gjatë 30 viteve të pluralizmit.

Qeveria e Bablokut, me paratë e shqiptarëve, ka ngritur një biznes privat për djegien e plehrave. Një veprim i padëgjuar, i pashembullt, mafioz dhe turpërues për Shqipërinë.

Nuk kemi të bëjmë me ofrimin e ndonjë shërbimi, me tender apo koncesion të zakonshëm. Politikanë të korruptuar të PS, LSI dhe PD janë bashkuar, duke ngritur biznesin e trajtimit të plehrave me paratë publike, në emër të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, dy njerëz të mafies, korrupsionit ndërkombëtar, pastrimit të parave, trafiqeve, mashtrimit, falsifikimeve etj., por të besuar dhe nën patronazhin e Arben Ahmetajt.

Kur Arben Ahmetajt bëri një aksident në Maqedoni, pasditen e 16 korrikut 2017, në makinë ishte me Mirel Mërtirin, i shpallur nën kërkim ndërkombëtar për korrupsion madhor deri në Zimbabve. Mirel Mërtiri njihet me emrin Klodian Mërtiri, por në arenën ndërkombëtare njihet edhe me emrin falso Ilir Dedja. Vetëm ky fakt, lidhja me Arben Ahmetajn, i cili ka bërë letrat për ngritjen e biznesit në emër të ortakut të tij me paratë publike,  është i mjaftueshëm që SPAK të nisë serinë e arrestimeve për grabitjen më të paskrupullt të buxhetit të shtetit shqiptar.

Duke pasur një rrezik të madh për burg, mega afera e incineratorëve nuk mund të realizohej vetëm. Kanë firmosur dhe dalin në letra, Arben Ahmetaj, që është fytyra e korrupsionit në Shqipëri, Erion Veliaj një figurë qendrore e vjedhjes dhe mashtrimit, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka që dorëzoi mandatin e deputetit për shkak të përfshirjes në listën e zezë nga SHBA, si dhe Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Kokës, Alqi Bllako, i cili është nyja e aferës 400 milionë me incineratorët. Kjo katërshe politike, bashkë me dy Klodianët e mafies, janë vetëm pjesa e dukshme.

Së pari, letrat për biznesin e incineratorëve nuk mund të bëheshin pa miratimin e Edi Ramës, pasi në lojë janë 400 milionë euro para publike. Pra, Edi Rama është koka mbi kokat e aferës.

Por, vjedhja e 400 milionë eurove, nuk mund të bëhet pa bashkëpunuar me mediat dhe segmente të drejtësisë.

Pamfleti ka siguruar një dosje, sipas të cilës dy Klodianët e mafies dhe hajdutërisë, paguajnë disa media në Tiranë me paratë që kanë vjedhur në buxhet, në këmbim të heshtjes për aferën. Dhe jo vetëm për të heshtur, por mundësisht për ta reklamuar aferën si një zgjidhje për problemin e plehrave. Disa nga mediat e paguara me paratë e vjedhura në buxhetin e shtetit mbajnë një qëndrim indiferent për skandalin financiar, ndërsa disa të tjera, janë kthyer në avokate të dy Klodianëve të plehrave dhe grupit të politikanëve të korruptuar pas tyre. Sa më shumë rritet presioni ndaj SPAK për të zbatuar legjislacionin penal, aq më shumë mafia e incineratorëve hedh para për mediat. 

Kalimi i një pjese të parave për mediat është një histori më vete në historinë e madhe të incineratorëve. Megjithatë, blerja e medieve me parave që u janë vjedhur shqiptarëve nuk është e mjaftueshme.

Një pjesë e parave të aferës së incineratorëve po hidhen për të blerë segmente të drejtësisë, për të përmbysur hetimet. Hedhja e qindra mijëra eurove, duke korruptuar prokurorë dhe ndihmësit e tyre, është edhe arsyeja se pse ende SPAK nuk ka lëshuar deri më sot urdhër-arrestet e para. Natyrisht që SPAK nuk mund ta mbyllë dosjen e aferës së incineratorëve për tre arsye;

Së pari vjedhja dhe shkeljet janë ulëritëse.

Së dyti, një vendim i tillë do të minonte besueshmërinë tek SPAK dhe do ta kthente si prokurorinë e Adriatik Llallës.

Dhe së treti, mbyllja e dosjes mund të provokonte revolta dhe trazira./Pamfleti

Share:

Author: comrdanews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *