Rrëfehet Ardit Gjebrea: ‘Milionat’ që mora nga emisioni me Marjan Rrokun

Ardit Gjebrea rrëfehet në një intervistë dhe shpjegon keqkuptimet dhe jep detaje të ngjarjeve të fundit, të cilat e vunë në qendër të vëmendjes dhe kritikave.

Adhurimi është lartësues se të përafron më Zotin, ndërsa përbuzja është fyese, poshtëruese, e padurueshme… Si artist Ardit Gjebrea mund të ketë provuar ndjesinë e parë, por nën petkun e lypësit kuptoi se ç’do të thotë të jesh i dyti. Mjaftojnë 24 orë për të qenë ai tjetri dhe për të dalë më pas nga roli e për t’u kthyer te vetja, pasi ke reflektuar për jetën që është sa një kërcitje gishtat. Por 24 orë me një personazh televiziv si Arditi nuk do të mjaftonin për të na rrëfyer anën tjetër të medaljes, atë që nuk e shohim dot në ekran, për të zgjedhur nëse është jeta që do të dëshironim apo do të refuzonim. Si një minifilm me parametrat e prodhimit të mirëfilltë kinematografik, Gjebrea solli këtë sezon televiziv histori njerëzore në “24 orë”, të cilat krijuan reaksion në publik e patën edhe shumë zëra

kundër.

Për kontestuesit, Gjebrea thotë se të gjitha episodet e “24 orë me…” janë parë dhe studiuar me kujdes nga profesionistë të fushave përkatëse, para se të transmetoheshin në ekran. Është episodi më I komentuar i këtij sezoni, edhe pse për nga pesha televizive, të gjitha rubrikat që ai sjell brenda një të diele kanë formatin e programit të mirëfilltë në primetime.

Por çfarë e provokoi kaq fort audiencën dhe përjetimet që ka akumuluar nga izolimi i jetës brenda burgut e deri te liria e pavlerë si lypës në rrugët e Tiranës, Ardit Gjebrea vendos t’i rrëfejë për gazetën

“Panorama” në këtë intervistë të parë në media, pas katër vjetësh. Vendosi të mos i shihte personazhet e tij nga lart, por të hynte në jetën dhe botën e tyre deri në skajet e mizerjes, siç ishte historia 24 orë me Marjan Rrokun, me skuadrën “Shqiponjat”, apo me një lypës.

Prej katër vitesh nuk ka dhënë asnjë intervistë, pasi gjithçka mundet ta thotë hapur në programin e tij “E diela shqiptare”. Por vëmendja që mori kësaj here me “24 orë me…” mund të shërbente si moment reflektimi për t’u rrëfyer për veten dhe jetën e tij. Një personazh kaq popullor në televizion, që di t’i bëjë të gjitha që nga kantautori e deri te gazetari, natyrisht që të intrigon për të mësuar më shumë rreth botës së tij…

Duke u nisur nga një këngë e jotja shumë e njohur “Bota ime”, mund të na zbulosh se çfarë ndodh në botën e Ardit Gjebresë kur vendosesh në qendër të vëmendjes publike, siç ishte rasti I intervistës në burg me Marjan Rrokun?

Vëmendja publike është pjesë e botës sime, dhe që në krye të herës jam pajtuar me të, deri sa ajo çka bëj sjell rrjedhoja, të cilat më përballin me opinionin publik. Pas 15 vitesh, Marjan Rroku për herë të parë pranoi vr asjen. Janë dy kategori të përfshira në pyetjen tuaj. E para ndahet në: Ata të cilët nuk e kuptuan formatin “24 orë me…” dhe u kundërvunë, ndërsa të tjerët ashtu e menduan dhe u shprehën kundër. Sa për kategorinë e dytë që flasin për milionat, i them Zotit: “Fali, se nuk dinë se ç’thonë!”

Përjetove net pa gjumë apo shqetësime të tjera? Je natyrë e ndjeshme në raste të tilla?

Unë jam shumë i ndjeshëm dhe kur gaboj, jo vetëm natën, por 24 orë e kam mendjen aty. Por në rastin konkret jam i qetë dhe i ndershëm para Zotit. Dhe për mua Zoti është më i rëndësishëm se gjithçka.

Por nuk përfundoi me aq, pasi pas intervistës brenda në burg me Marjan Rrokun, babai i adoleshentes së ndjerë Alda Canaj të paditi në Gjykatë. E prisje diçka të tillë dhe çfarë fjalësh do të kishe për të?

Çdokush reagon si e mendon, si e ndien. Për familjarët e familjes Canaj, ashtu siç e kam thënë edhe më parë, e përsëris që më vjen shumë keq që u rikujtua edhe një herë dhembja e humbjes së vajzës dhe bashkëshortes. Për sa kohë vendosa të kaloj 24 orë me një të burgosur me dënim të përjetshëm, çdo familje e çdo viktime do të ndihej…do më duhej të kaloja 24 orë me ta që të kuptoja deri në fund se si ndihen. Ky ishte edhe misioni i idesë sime. Këtë herë zgjodha të kuptonim se si jeton, si i kalon orët, si ndihet, çfarë mendon, çfarë ëndërron një i burgosur, a është penduar për atë çfarë ka bërë dhe si duhet të reflektojmë ne që të mos jemi aty ku janë ata, si të mos e çkyçim atë “çelës” për të cilin Marjani tregoi, dhe që tashmë vuan dënimin e përjetshëm.

Si e prisje ti vetë reagimin e publikut në “24 orë me një të burgosur”, dhe çfarë ndodhi jashtë parashikimit?

Ajo që prisja nga kush mori përsipër të komentonte episodin “24 orë… me një të burgosur” nuk ndodhi! Për të kuptuar prej të burgosurit, se si e përjeton jetën tjetri që është në burg, por duke qenë se në fund të ditës unë isha “i burgosur” vetëm 24 orë, shprehimisht i kam thënë tri fjali Marjanit: “Për ne që jemi jashtë, kur dëgjojmë për ju, themi: Mirë t’u bëhet! Tani që jam këtu, mendoj se Marjani është penduar dhe duhet të dalë. Por kur të dal nesër prej këtu, nuk e di se çfarë do të mendoj”. E pra, e keqja me dashje komentoi vetëm pjesën e dytë e tri shprehjeve të mia. Askush prej tyre nuk përmendi pjesën e pare dhe më keq akoma, askush prej tyre nuk evidentoi thelbin, pjesën e tretë dhe të më bënte pyetjen: “Po çfarë mendove të nesërmen kur dole?”

Atëherë çfarë mendove kur dole nga ajo birucë?

Unë jo vetëm e dënoj vr asjen, por jam shprehur gjithmonë dhe e kam ulëritur dy herë fort në programin “E diela shqiptare” se dënimi me vdekje ka qenë një gabim që u hoq, por askush nga helmhedhësit nuk e përmendi këtë. Sigurisht që kushdo që më ka ndjekur dhe ka kuptuar misionin dhe formatin e “24 orë me…” kupton, madje mirëkupton edhe natyrat njerëzore në shumëllojshmërinë e tyre.

Më pas në argumentimin që i bëre në Facebook intervistës me Rrokun bëri përshtypje fraza: “Kam parë edhe shumë më keq në jetën time”.

Sa e vështirë ka qenë për ty të ndërtosh emrin që ke, ke pasur shumë armiq?

Armiq është fjalë e madhe. Është një pjesë që nuk ndan të njëjtin mendim me mua, opinion apo mënyrë pune, por jo se mund t’I konsideroj armiq, për sa kohë që unë nuk ndiej armiqësi për ndokënd. Sa për frazën: “Kam parë edhe shumë më keq në jetën time”, të siguroj se nuk është e lehtë të të shkojë puna mbarë. Të gjithë I jetojmë vështirësitë çdo ditë.

Si artist që je çfarë gjen poetike në realitetin që po prek me “24 orë me…” dhe çfarë të trishton pa fund?

Poetike nuk gjej asgjë. Kam gjetur vetëm realitete dhe kam mësuar pa fund prej tyre. Më trishton shpesh që ende njerëzit nxitohen të gjykojnë të tjerët, pa njohur dhe pa ditur të vërtetat e tyre

Për hir të së vërtetës maskimi yt si lypës të dielën e fundit ishte një portret njerëzor shumë prekës. Pamja jote fliste shumë, duke na lënë të kuptojmë se e përjetove thellë rolin. Çfarë i the vetes në ato momente ku zgjasje dorën për të lypur para?

Sapo vesha petkun e lypësit, hyra në dyqan të një mikut aty pranë. Zgjata dorën… Nuk më njohu, filloi të më dëbonte jashtë, por unë I thashë: “Jam Arditi”. U ndje keq. Po sa keq u ndjeva unë, ama! Përbuzja është fyese, poshtëruese, e padurueshme.

Bën përshtypje fakti se ti ulesh dhe konsumon diçka për të ngrënë me vr asësin, lypësin etj. E ke të vështirë të bëhesh një me ta, apo mendon se nganjëherë duhet të prekim fundin?

Është e vështirë të jesh ti ai tjetri. Por të bëhesh njësh me të vetëm për 24 orë, kur e di që do të kthehesh përsëri te vetja, nuk është fare e vështirë. Mund ta bëjë kushdo. E rëndësishme është të kuptojmë se të gjithë jemi krijesa të Zotit, dhe secili nga ne mund të ishte në vend të tjetrit. Ndaj ta falënderojmë për atë që kemi!

Edhe “24 orë me një lypës” u kontestua në rrjetet sociale me argumentimin se s’mund të kemi mëshirë për një djalë në kulmin e moshës së rinisë që fiton aq para duke lypur sa ka një çati (pra nuk jeton në rrugë) dhe konsumon mëngjes të bollshëm. Pra shkurt ka dhe më keq se ai… Si do t’u përgjigjeshe nisur nga çfarë jetove nga afër?

Çdo kontestim është reagim i ligjshëm i çdo mendimi alternativ. Unë përgjigjem me punën që bëj dhe duke mbetur te puna. E jo më larg se sot, më kontaktoi një mik biznesmen, Nikolin Lleshi dhe tashmë Genti, duke filluar nga java që vjen, do ta ketë një punë. Do të punësohet te fabrika “Alba Shoes”. A ka lajm më të mirë se ky? Fjalët mbeten në ajër, të zgjidhësh probleme është bekim. Le të bekohemi të gjithë nga pak, sepse mundemi!

Një tjetër situatë e komentuar në rubrikën “24 orë me…” ishte mesazhi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke të komunikuar gjobën për mosvendosjen e rripit të sigurimit nga ana jote. Si e prite atë mesazh?

Të them të vërtetën, rripin e sigurimit nuk e vendosja gjithnjë brenda qytetit. Tani s’ka më pa rrip. Atë ditë u përqendruam te xhirimet dhe për sa kohë nuk e ke ritual, sigurisht që e harron. Ishte një mësim I mirë për mua

Karriera jote ka dy anë të medaljes, skenën dhe prapaskenën. Sa ndryshon Arditi i ekranit nga ai i punës intensive para daljes në publik? Për shembull, në cilat aspekte të përditshmërisë je I pakujdesshëm?

I pakujdesshëm nuk mund të them, pasi jam mjaftueshmërisht i rritur për të qenë i kujdesshëm. Nuk ndryshoj aspak nga skena me prapaskenën, jam një libër i hapur.

“24 orë me Ardit Gjebrenë” si mund të na i përshkruash?

24 orë me mua? Minimalisht 10–12 orë i kaloj në “Klan” duke punuar. Pjesa tjetër, familja dhe shoqëria e preferuar.

Është jeta që do e dëshironim apo do e refuzonim?

Nuk di cilën do të zgjidhnit. Te “24 orë me…” mësova se të nxjerrësh një konkluzion për tjetrin, duhet të jetosh me të, të hysh në lëkurën e tij. Nëse dëshironi, mirë se të vini!/ Klotilda Harka-“Panorama Plus”

Share:

Author: comrdanews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *