Rrëmbimi i inskenuar për ti zhvatur 400 mije euro babait, vajza: Doja të provoja dashurinë e prindërve të mi

“Ishte një shaka, doja të provoja dashurinë e prindërve”. Kështu mësohet të jetë shprehur adoleshentja 18-vjeçare, e cila inskenoi rrëmbimin e saj së bashku me të dashurin dhe shokun e tyre me qëllim të merrnin 400 mijë euro babait të së resë. Ditën e djeshme, në Gjykatën për Krimet e Rënda është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg”, për Orion Hoxhën dhe Krisi Gjorën, ndërsa për Nensi Çobon, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, duke e lënë të lirë dhe vlerësuar faktin se ajo ka treguar gjithçka në familje pasi ndodhi kjo skemë. Ndërsa të tre adoleshentët që inskenuan pengmarrjen e vajzës së biznesmenit, kërkuan të lirohen nga burgu me pretendimin se gjithçka ishte një shaka, lojë. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, dy adoleshentët Orion Hoxha dhe Krisi Gjora mbetën në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa vajza e biznesmenit, Nensi Çoba, u lirua nga burgu pasi gjykata me kërkesë të akuzës vendosi masën e sigurisë detyrim për paraqitje.

Pasi, prokuroria vlerësoi si masë lehtësuese faktin se vajza e kishte njoftuar vetë familjen e saj se gjithçka kishte qenë një shaka. Para gjykatës, vajza shprehu pendesë për lojën, duke kërkuar falje për shqetësimin që i kishte sjellë familjes. Edhe dy adoleshentët e tjerë, Krisi Gjora dhe Orion Hoxha kërkuan të lihen të lirë për të vazhduar shkollën. Mësohet se ata kanë fajësuar vajzën për inskenimin e kësaj loje, duke pretenduar se e kishin marrë me shaka. Avokatët e dy adoleshentëve, ishin të pakënaqur me vendimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi, e cila zhvilloi seancat gjyqësore me dyer të mbyllura. Në dalje të gjykatës, ata thanë se do të ankimojnë vendimin pranë Gjykatës së Apelit për Krimet të Rënda, duke kërkuar lirimin e tyre. Sipas prokurorisë, tre adoleshentët kishin përgatitur inskenimin tri ditë para vendosjes së gjobës, duke blerë kartën e telefonit në tregun e zi dhe një aparat celular me të cilin kanë bërë telefonatën duke kërkuar pagimin e 400 mijë eurove. Më pas këtë numër dhe telefon ata e kishin hedhur, pasi policia kishte nisur hetimet. Ndaj tyre rëndon akuza e “Gjobëvënies”, në bashkëpunim.

Avokati: Ishte thjesht një shaka, ata janë shokë

“U vendos “Arrest me burg pa afat”, për Orion Hoxhën për akuzën e shtrëngimit për dhënien e parave nga babai i vajzës. Akuza nuk pranohet sepse nuk kanë kryer një vepër penale. Ata pretenduan sepse e bënë këtë gjë për shaka, për të përcaktuar dashurinë e babait ndaj vajzës. Klienti im kërkoi para gjykatës të lihej i lirë që të mos ndërpritej procesi mësimor ndaj tij. Klienti im me vajzën ka një marrëdhënie shoqërore, jetojnë në lagje, pinë ujë në një çezmë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë që u dha ndaj klientit tim”, është shprehur për mediat avokati mbrojtës i Orion Hoxhës.

Me pretendimin se të rinjtë nuk gjobitën biznesmenin por provuan dashurinë e tij ndaj të bijës, avokati Hysen Spahiu kërkoi lirimin e Orion Hoxhës të dashurit të Nensit të përfshirë në inskenimin e pengmarrjes së vajzës së biznesmenit të mobilierive. Gjykata nuk e pranoi këtë argument duke caktuar arrest me burg për Hoxhën dhe Kristi Gjorën, ndërsa detyrim paraqitje për vajzën e biznesmenit të gjobitur. Ndërkohë, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se gjatë 72 orëve të ndalimit, gjimnazistja ka bashkëpunuar me prokurorinë duke zbardhur të gjitha detajet se si Orion Hoxha i dashuri i saj dhe shoku i tyre kishin inskenuar rrëmbimin.

Share:

Author: comrdanews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *