Bën deklaratën Edi Rama: Afganët që kanë ardhur mund të rrinë sa të duan në Shqipëri


Në një intervistë për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të merrte “pjesën e saj të përgjegjësisë” për të mbrojtur shtetasit afganë që ndihen të rrezikuar nga regjimi taleban. Rama tha për Zërin e Amerikës se refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri për aq kohë sa ata dëshirojnë.

Kryeministri u shpreh se qeveria që ai drejton nuk do të njohë qeverinë e re të talebanëve.

“Ne kemi një histori shumë krenare. E kemi ndërtuar jetën tonë në këtë vend për breza të tërë bazuar në ligjin tonë të parë mbështetur në traditë, sipas së cilit shtëpia e shqiptarëve i përket Zotit dhe mikut. Ka një shpjegim të plotë të ritualit që kur dëgjon trokitjen në derë osenga cilido qoftë pas derës dhe në çfarëdo situate që ai, ajo ose ata janë: duhet ta hapësh derën dhe t’i ofrosh strehë udhëtarit që ka humbur ose ka nevojë për strehim; ose ka nevojë për ushqim. Pra, kjo është e para. E dyta është historia jonë.

Gjyshërit tanë bënë diçka magjepsëse dhe falë tyre, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i fundit evropian që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para se të fillonte ajo. Dhe shumë hebrenj u shpëtuan. Për shkak se ne kemi myslimanë dhe të krishterë këtu, por pavarësisht se çfarë besimi i takonin, shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë. Po ashtu 30 vite më parë ne ishim si afganët. Pra, në atë kohë ne kërkonim ndihmë dhe trokisnim në dyert e të tjerëve për strehim. Tani është koha që të japim atë që kemi marrë. Dhe së fundmi, unë do të thoja që ua kemi borxh fëmijëve tanë. Fëmijët tanë duhet ta trashëgojnë këtë qëndrim dhe çdo brez duhet ta kultivojë atë kur të jepet rasti sepse, Zoti na faltë nëse ne bëhemi një vend i pasur cinik”

“Nuk do të kalojnë muaj. Do të kalojnë më shumë se muaj, sepse sasia e aplikimeve dhe puna masive që duhet të bëhet nga Shtetet e Bashkuara për aq shumë njerëz që janë strehuar në vende të ndryshme në Evropë apo gjetkë, është shumë e madhe. Pra, do të kalojnë më shumë se disa muaj. Së dyti, ne kemi vendosur tashmë t’u ofrojmë atyre kujdes shëndetësor falas.

Shqetësimi për fëmijët është një shqetësim i zakonshëm. Ne po punojmë për të dalë me një plan, ne po punojmë që të jemi në gjendje të krijojmë një rrjet mësuesish sepse ne mund t’i vendosim ata menjëherë në shkollat tona. Por është në gjuhën shqipe mësimi dhe ne duhet disi t’u japim atyre njëfarë vazhdimësie që të kenë gjuhën e tyre dhe anglishten, kështu që ne po punojmë për këtë. Dhe ne nuk do t’i lejojmë ata të zvarriten në gjendjen ku ata kanë qenë për shumë muaj pa i dërguar ata fëmijë në shkollë, pa qenë në gjendje të shohin një të ardhme. Në të njëjtën kohë, do t’i ftoja të gjithë ata të mendojnë të integrohen teksa presin. Ata janë njerëz të shkëlqyer”

“Këtu janë në shtëpinë e tyre. Ata duhet të ndihen si në shtëpi këtu, dhe nëse duan të qëndrojnë, ata janë të mirëpritur. Ne kurrë nuk do t’u themi atyre të largohen nga vendi sepse nuk i plotësojnë kriteret. Ne kurrë nuk do t’u themi atyre se duhet të aplikojnë për një vizë në Shqipëri. Ne kemi vuajtur shumë nga regjimet e vizave dhe nuk do të jemi tani një vend i regjimit të vizave për ta, kështu që ata janë më se të mirëpritur të qëndrojnë”, tha Rama. /korrekte

Share:

Author: comrdanews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *