Kanë kaluar 40 vjet që atëherë. Ata nuk janë më të rinj të hedhur, ëndërrimtarë… Vitet kanë lënë gjurmën te secili, por e pandryshuar ka mbetur ndjesia e asaj premiere, kur të gjithë i gëzoheshin suksesit të paimagjinueshëm të filmit “Në çdo stinë”, me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Bashkim Hoxhës.

Aktorja Anisa Markarian na sjell atmosferën e 5 prillit 1981, përmes kujtimeve të protagonistëve: prapaskenat e filmit, përzgjedhja e aktorëve, batutat. Por, a do ketë një vazhdim të “Në çdo stinë”? Për më tepër, rrëfen Anisa Markarian.

ANISA MARKARIAN

40-VJETORI I NJË PREMIERE

E diel, 5 prill 1981. Dita e madhe e premierës!

Sillem rrotull nëpër shtëpi pa mundur t’u vë një emër emocioneve. Ankth a lehtësim? Kërshëri? Krenari?

– Një padurim i bukur… – i përgjigjem vetes sot, pas 40 vjetësh, e ndërgjegjshme për bekimin artistik që më solli ai rol.

– Jetoje çastin tënd! – më këshillon daja Kopi, që kalon për të pirë një kafe.

Ehh, një fjalë goje. Emocionet po ma rrënojnë ditën.

– Si do të vishesh?, – pyet mami.

I tregoj me kokë fustanin e kaltër me pika të bardha që e kam përdorur në një nga planet finale të filmit.

– Vish të kuqin më mirë. Ti je Anisa, jo Zana.

Po afron momenti. Premiera është në orën 19:00, te Pallati i Kulturës. Në derë shfaqen Pipi (Spiro Duni) e Besa (Myftiu) që e ka shtëpinë në anën tjetër të Selvisë. Pastaj Ylli e Cerga. Nisemi grup.

Përpara Pallatit të Kulturës gjejmë operatorin Pëllumb Kallfa, Alush Shimën (piktor i filmit), Spiro Kondurin (inxhinier i zërit), Aleksandër Peçin e profesor Tartarin, të shoqëruar nga bashkëshortet. Karafil Shena, Ermira Bahidi, Tomorr Nushi e Pavlina Leka na prijnë shkallëve. Pas nesh ngjiten Vjollca Liza (piktore kostumesh), Neriman Furxhi (regjisore montazhi) dhe Liljana Tesho, mjeshtre e grimit.

Në hollin e katit të tretë takojmë çiftin Gjika me bijën e tyre, Ester, Bashkim Hoxhën dhe Arben Imamin. Ceremoninë do ta drejtojë Teodor Laço, që ka përgatitur një prezantim të shkurtër për secilin prej nesh.

Hapet dera e sallës. Të ftuarit kanë zënë vend të gjithë. Po na presin. Të mitë janë ulur diku në rreshtat e para. Rreth e rrotull shoh fytyra miqësore që na buzëqeshin e na japin zemër. Rruga gjer te shkallëzat e podiumit më duket e gjatë pa fund. Ngjitemi grup e përshëndesim publikun.

E hënë, 5 prill 2021.

– Zanë, si u gdhive? – mesazhi i Cergës në “WhatsApp”.

Që prej disa javësh ndihet nostalgjik; ka rihyrë në rol.

– Do të kisha dashur të isha aty, – i përgjigjem. – Kjo kohë kovidiane na vodhi premierën.

– Kurrsesi! Është e jona edhe pas 40 vjetësh.

Kemi vendosur ta festojmë sipas mënyrës sonë. Do të çmallemi mesazhesh. Rasti më i volitshëm për të kujtuar e, pse jo, edhe për të mësuar gjëra të reja. Duke filluar nga ngjizja e skenarit…

ANISA: Baçi, si nisi puna me skenarin?

BASHKIM HOXHA: Ideja e filmit na lindi në vitin 1977. Viktorit i kishte pëlqyer shumë drama ime “Vërshime pranverore”, e vënë në skenën e Teatrit Popullor një vit më parë. Më takoi një ditë në Kinostudio, ku unë punoja si redaktor, dhe më ftoi të bashkëpunonim për një skenar filmi që do të kishte në qendër rininë. Kam dëshirë të hedh një vështrim poetik mbi botën e të rinjve, më tha.

Gjëja mbi të cilën ramë dakord që në bisedën e parë, ishte ideja e një historie dashurie të trajtuar jashtë skemave të realizmit socialist. I propozova një intrigë filmike të bazuar në trekëndëshin klasik “ai, ajo dhe ai tjetri”. Viktori më kërkoi t’u shtonim ndjenjave të të rinjve edhe një përplasje mes dy pasionesh që dhurojnë emocione të forta: Arti dhe Sporti. Dalëngadalë nisi të përvijohet struktura e skenarit të ardhshëm që e titulluam “Ngjyra tetori”. Filluam të ndiqnim koncertet e orkestrës së studentëve të Institutit të Lartë të Arteve dhe ndeshjet e ekipit të volejbollit femra të “Dinamos”. Variantin e parë të skenarit, që na u kthye me shumë kritika nga Këshilli Artistik, e dorëzuam në pranverë të ‘78-ës.

ANISA: Tani po kuptoj se në ç’stad pune ndodhej skenari kur Viktor Gjika më takoi në Kinostudio për herë të parë. Ishte korriku i vitit 1978; xhiroja filmin “Vajzat me kordele të kuqe”. Gjatë një pushimi mes skenave në dekor, Gëzim Erebara më prezantoi me Viktorin që kishte shprehur dëshirën të më njihte. Më pyeti për rolet që kisha luajtur në teatrin e shkollës, për pasionet e mia dhe se në ç’degë kisha dëshirë të studioja pas gjimnazit. Në fund, duke më shtrënguar dorën, më tha: A je ndopak sportive? I bie Tiranës cep më cep me biçikletë, iu përgjigja, dhe di të shkas me patina.

B. HOXHA: Ky fakt i pëlqeu shumë. Pasi të zgjodhi për rolin e Zanës, më kërkoi të shkruaja dialogët për një skenë me patina që, në mënyrë simbolike, do të pasqyronte përplasjen e dy pasioneve, muzikës dhe sportit.

ANISA: Cilat ishin vërejtjet që ju bëri Këshilli Artistik?

B. HOXHA: Vërejtja kryesore lidhej me domosdoshmërinë e pasqyrimit në skenar të trekëndëshit Mësim-Punë-Kalitje. Ja përse një pjesë të skenave i zhvendosëm në Fakultetin e Gjeologjisë, në minierën e Valiasit dhe në poligonin e stërvitjes ushtarake. Na u kërkua, gjithashtu, krijimi i një konflikti ideologjik. Idetë përparimtare kundër atyre konservatore e mikroborgjeze. I “frymëzuar” nga kritikat, i propozova Viktorit të krijonim një personazh të ri, Fotaqin, të cilit i vumë në gojë sugjerimet absurde të Këshillit Artistik.

ANISA: Fili, si ta shpjegoi Viktori thelbin e Fotaqit?

KARAFIL SHENA: Personazhi yt, më tha, ka një objektiv të vetëm: të përfundojë dramën e tij filozofiko-shoqërore “Dashuri dhe dimër”. Për shkak të njohjes së cekët të jetës, ky objektiv shndërrohet në një mision të pamundur dhe, në fund, Këshilli Artistik ia hedh poshtë veprën. Mbaj mend që, në një skenë, i kërkova të më filmonte në portret. Nuk pranoi. Prishet Fotaqi me portrete, m’u përgjigj.

ANISA: Në ç’kuptim ta tha?

K. SHENA: Më la të kuptoa që Fotaqi s’kishte nevojë për nënvizime të tepruara. Ishte i portretizuar mjaft mirë nëpërmjet gjuhës dhe dialogëve të tij.

ANISA: Beni, si të përzgjodhi Viktori për rolin e Bardhylit?

ARBEN IMAMI: Shokët e mi, Cerga dhe Karafili, që ndërkohë i kishin marrë rolet e tyre, më dhanë të lexoja skenarin, duke më thënë që Viktori vazhdonte të kërkonte aktorin kryesor. Kur e mbarova, i thashë vetes: ky është rol për mua! I çova fjalë Viktorit të më bënte një kinoprovë dhe pranoi. Kur u takuam, më pyeti se si e konceptoja personazhin. Iu përgjigja që, në sytë e mi, Bardhyli s’kishte asnjë nga karakteristikat e heroit prijës të realizmit socialist. Ishte i mefshtë, i heshtur dhe pa asnjë iniciativë. Viktorit i pëlqeu kjo analizë. Dy ditë pas kinoprovës, më thirrën për kostumet. Aty të takova ty dhe mora vesh që të kishin besuar rolin e Zanës.

ANISA: Po, ekzakt. A t’ju them një sekret të vogël? Përpara se të takoheshim në film, ty dhe Cergën ju njihja vetëm nga larg, si çuna të bukur. Kur kalonit përpara gjimnazit “Sami Frashëri”, ne vajzat afroheshim te kangjellat për t’ju admiruar me shpresën se do të na hidhnit ndonjë vështrim. Hahaa! E kuptoni, besoj, zilinë e shoqeve të mia kur u thashë që në filmin e ri do t’ju kisha që të dy partnerë. … Cerge, po ti, sa kinoprova bëre? Apo roli i Lekës ishte shkruar për ty?

B. HOXHA: Kur u aprovua skenari dhe filloi faza e kërkimit të aktorëve, Viktori kishte veç një emër në mendje për personazhin e Lekës: Ardian Cerga.

ARDIAN CERGA: Erdhi më takoi në Akademi. Diskutuam për shkollën, për pasionet e mia dhe kinematografinë në përgjithësi e, përpara se të ndaheshim, më ftoi të shkoja në Kinostudio për provën e kostumeve. Me një fjalë, roli ishte i imi.

ANISA: Si ta karakterizoi personazhin e Lekës?

A. CERGA: S’mbaj mend të ma ketë shtjelluar në detaje. Më tregoi vetëm që dinamika e personazhit kishte dy faza e më kërkoi të gjeja elementet aktoriale për ta bërë sa më bindës momentin e kthesës, kur Leka pohon që është vërtet i dashuruar me Zanën.

K. SHENA: Në të njëjtën mënyrë, pak a shumë, më përzgjodhi edhe mua. Isha ulur te shkallët e jashtme e po haja një panine. Më afrohet një burrë fisnik e më pyet se në ç’degë studioja. Iu përgjigja që isha student i Dramës. Unë quhem Viktor Gjika, u prezantua. Shtanga në vend. Aq shumë u hutova, saqë e pyeta: ai i vërteti?! Admiroja punën e tij si regjisor, por nuk e kisha takuar kurrë personalisht. Më kërkoi leje për të më bërë ca foto dhe u largua. Një muaj më vonë më erdhi ftesa për kinoprovë e dy javë më pas më komunikuan që isha përzgjedhur për rolin e Fotaqit.

YLLI DEMNERI: Viktori dhe Pëllumb Kallfa, operatori i filmit, kalonin orë të tëra duke qëmtuar e fotografuar portrete studentësh. Një mëngjes, ndërsa po nxitoja për të hyrë në mësim, Viktori më bëri shenjë me dorë që t’i afrohem. Më tha që do realizonte një film me të rinj dhe dëshironte të më bënin një fotoprovë. U ndjeva i lumtur që e takova. Ishte një nga kineastët më të talentuar të Kinostudios. Në korrik, ndërsa isha me pushime në Durrës, më erdhi një telegram ku më njoftonin se duhej të paraqitesha në Kinostudio për të provuar veshjet e personazhit. Mbaj mend që një pjesë e rrobave të përdorura në film vinte nga mallrat e shtetëzuara të Doganës. Familjeve me “biografi të keqe” ua konfiskonin pakot që u vinin nga jashtë shtetit. Një tjetër arsye ishte pamundësia ekonomike. Plaçkat që të dërgonin dhuratë të afërmit duheshin paguar për t’i marrë në Doganë dhe kishte njerëz që nuk paraqiteshin për t’i tërhequr.

ANISA: Shpeshherë, të njëjtat kostume përdoreshin në disa filma, çka të krijonte ndjesinë e çuditshme se të kishin vjedhur rolin.

B. HOXHA: Anisa, nuk do ta harroj kurrë entuziazmin e Viktorit kur më foli për herë të parë për ty. Edhe në të gjithë botën të kërkoja, më tha, s’do të gjeja një të dytë për rolin e Zanës. Të vlerësonte shumë.

ANISA: Uhh… M’i mbushe sytë me lot, Baçi. Viktori nuk i kursente kurrë përgëzimet dhe kjo veçori e tij ishte shumë frymëzuese për mua. Çdo fjalë të mirë të tij e merrja si një sfidë për të tejkaluar veten në dublin apo në skenën e ardhshme.

Y. DEMNERI: Më kujtohet shprehja e fytyrës së Viktorit gjatë xhirimit të skenës në minierë ku Zana i thotë Lekës: filmi mbaroi, tani jemi në jetë. Ishte i mahnitur nga ajo dritë dhe siguri që çlironte portreti i Anisës.

ANISA: Hera e parë që një femër zbriste në galeritë e nëntokës, sepse e ndalonte Kodi i Punës. Për mendimin tim, iu mëshua ca si tepër anës “burrërore” të personazhit të Zanës. Në një skenë tjetër, për shembull, bëj qitje me kundërajror. Hahaa!

B. HOXHA: Viktori Gjika ju vëzhgonte gjatë gjithë kohës me shumë vëmendje. Frymëzohej nga personaliteti, bisedat dhe ndërveprimet tuaja me njëri-tjetrin për të përshtatur dialogët e personazheve dhe mizanskenat. CERGA: Duke dalë nga studio pas shfaqjes së parë të filmit të montuar, Viktori më futi krahun e, me gjysmë të qeshure, më tha: S’e kisha menduar, por Leka më doli personazh kryesor; punë dreqi!

ANISA: Buçi, ç’udhëzime të dha Viktori për filmimin e marrëdhënies Zana-Bardhyli?

PËLLUMB KALLFA: Viktorit i pëlqente shumë muzgu. Drita e tij natyrale zgjat pak, prandaj kompozimi i kuadrit, provat me ndriçimin dhe aktorët bëheshin shumë orë përpara, në mënyrë që gjithçka të ishte gati për xhirimet në muzg. Një tjetër element filmik ishin planet e afërta. Dialogët më të bukura të Zanës me Bardhylin janë xhiruar pothuajse të gjitha në plan portret. Disa prej tyre i kam filmuar me kamera në sup. Dua t’ua përkëdhelësh portretet me kamerën tënde, më udhëzonte Viktori. Veçoj sidomos skenën te kolonat e Muzeut Arkeologjik në Durrës, bisedën përgjatë rrjetës së volejbollit dhe portretet te shkallët e Instituti Bujqësor ku Zana këndon ta-ra-ra-ri-ra-ra, ndërsa Bardhyli fishkëllen melodinë që luante me violonçel.

ANISA: Profesor, si ju erdhi ftesa për të kompozuar muzikën e filmit “Në çdo stinë?”.

ALEKSANDËR PEÇI: Bashkëpunimi i parë me Viktor Gjikën ishte në vitin 1977 për muzikën e filmit “Gjeneral Gramafoni”. Mbaj mend që pata krijuar një vijë melodike për skenën e dritares, ku klarinetisti Halit Berati takohet me të vluarën e tij, por nuk e përdora. Në pranverë të ‘80-ës, gjatë një takimi të rastësishëm, Viktori më pyeti nëse ia kisha premtuar ndokujt atë melodi. Jo, i thashë. “Do të jetë lajtmotivi i filmit të ri që ka në qendër dashurinë e një violonçelisti me një volejbolliste”, m’u përgjigj.

Fakti që njëri nga dy rolet kryesore të filmit ishte muzikant, më joshi përnjëherë. Kur kompozoj muzikë filmash, partiturën e konceptoj si një personazh më vete e jo thjesht si një element lidhës. Muzika u jep hapësirë skenave (sidomos atyre të xhiruara në natyrë) dhe nxjerr në pah dialogët mes aktorëve duke u krijuar një sfond të bukur. Në rastin e personazheve muzikantë, kolona zanore mundëson të shprehurit me anë të gjuhës, timbrit dhe dramatikes së instrumentit.

Për kompozimin e muzikës ndihmojnë shumë bisedat me regjisorin, leximi i skenarit dhe imazhet e xhiruara. Kur pashë në moviolë skenat e para të filmit, mbeta i magjepsur. Më goditi sidomos skena e detit ku Zana i kthen shpatullat Bardhylit e zemëruar, ndërkohë që Leka hidhet në ujë “për të shpëtuar violonçelin”. Këto elemente më frymëzuan për të kompozuar atë muzikë që e njohin të gjithë, tashmë.

ANISA: Shumë herë, kur flitet për filmin, artdashësit fishkëllejnë muzikën e tij në vend që të kujtojnë ndonjë batutë.

A. PEÇI: Në violonçel interpreton i madhi Gëzim Laro, shoqëruar nga orkestra simfonike e RTV Shqiptar me dirigjent Mjeshtrin Eno Koço. Ndryshe nga filmi që përjetësohet në celulozë dhe s’ndryshon më, muzika pasurohet e ripërtërihet çdo herë që luhet. Koncertistë të rinj e marrin veprën dhe i japin një jetë të dytë, të tretë, të katërt duke e interpretuar me një frymë të re ose duke e përshtatur për instrumente të tjerë. Një rrugëtim të tillë pati e vazhdon të ketë edhe muzika e filmit “Në çdo stinë”.

B. HOXHA: Një nga kolonat zanore më të bukura të kinematografisë shqiptare.

ANISA: Profesor, përfitoj nga rasti për t’ju propozuar të kompozoni edhe muzikën e “Në çdo stinë 2”, skenari i të cilit është në proces pune. Ideja që filmi të kishte një vazhdim është e Viktor Gjikës. Mendonte të na bashkonte pas 10 vjetësh. Pra, bëhej fjalë për vitet ‘90. Veçse gjërat rrodhën ndryshe dhe nuk arriti ta realizonte kurrë. Në skenarin e ri, personazhet takohen pas 40 vjetësh në një Tiranë që pothuajse nuk e njohin më. Kaq. Nuk them asnjë fjalë më tepër.

A. PEÇI: Pranoj me kënaqësinë më të madhe. Më keni në dispozicion!

K. SHENA: Filmi i dytë do të rrëfejë epokën që po jetojmë. Bashkë me ndryshimet e vendit, kanë ndryshuar edhe personazhet. Janë më të thellë e më të vërtetë.

ANISA: Çfarë e kushtëzoi vendimin e Viktorit për të xhiruar me ekran të gjerë?

P. KALLFA: Fryma poetike e filmit. Zgjedhjen artistike të formatit të gjerë Viktori e kishte bërë që në shkrim të skenarit, për të theksuar lirizmin e tij.

ANISA: Poo! Më kujtohet çiklisti akrobat. Ishte i trupës së Cirkut. E përsëriti koreografinë dy-tri herë, aq sa mendova se do të qëndronte me ne, në mes të sheshit. Kur Viktori i tregoi pikën se ku do të shkonte, m’u duk se po tallej. Sa herë që e shoh atë skenë, sytë më shkojnë vetiu te çiklisti që lëviz në thellësi. Ç’mizanskenë e saktë!

P. KALLFA: Nga puna me Viktorin mësoje shumë dhe frymëzoheshe. Njihte në mënyrë të përsosur kuadrin dhe teknikat e xhirimit e të ndriçimit.

ANISA: Për planet në portret, na këshillonte të përdornim sa më pak mimikë. Ekrani i gjerë të tradhton, thoshte. Me një fjalë, po t’u mëshoje shprehjeve të fytyrës, në ekran do të dukeshin si ngërdheshje. Portretin e Zanës që reciton nën zë duke dëgjuar vargjet e Elës e ka filmuar Viktori. Udhëzimet ishin tejet të qarta: murmurit mes buzëve veç fillimin e fjalës; vazhdimin dhe fundin i shqipton syri i spektatorit falë ekranit të gjerë. Është një nga kujtimet më të vyera që kam nga filmi.

A. IMAMI: Viktori ishte, mbi të gjitha, regjisor i imazhit. Kishte instinktin e strukturës filmike. Punonte me vrull, siç kishte karakterin, dhe ishte një organizator i shkëlqyer.

Y. DEMNERI: Për mendimin tim, tipari kryesor i tij ishte pasioni artistik. Krijonte një atmosferë të bukur pune ku përfshiheshin të gjithë. Që nga aktorët kryesorë gjer te ndihmësteknikët. Kur pikaste shkëndija pasioni në lojën tonë, entuziazmohej.

K. SHENA: Respektonte shumë personalitetin e aktorëve. I vinte në kushte psikologjike optimale, në mënyrë që të arrinin aty ku dëshironte Viktori nëpërmjet rrugëve dhe formave që u vinin për mbarë aktorëve. Dy vjet përpara se të vdiste, pata fatin të haja një darkë me të, në Athinë. Mjeshtërinë e aktorit ma ka mësuar Sandër Prosi, më tregoi. Se kur studioja për operator, i jepja rëndësi vetëm kompozimit të kuadrit./Panorama

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here