Bllokimi i fluturimeve, Balluku: Grusht shteti, punonjësit e Albcontrol janë stresuar për pagën 2490 Dollarë

0
11






Trafiku ajror në Shqipëri është bllokuar ditën e sotme tërësisht për shkak të protestës së punonjësve të Albcontrol, të cilët kontrollojnë trafikun ajror në aeroportin “Nënë Tereza”. Ata kërkojnë rikthimin e pagave në nivelin përpara pandemisë.

Lidhur me këtë situatë që ka futur në kolaps sistemin e navigimit ajror të Shqipërisë, ministrja e Transporteve Belinda Balluku zhvilloi një takim me punonjësit e Albcontrol. Kjo mbledhje dështoi në arritjen e një marrëveshje. Ministrja Balluku doli në një konferencë shtypi për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.

Sipas saj, kërkesa e punonjësve të Albcontrol është e paligjshme. Ajo zbuloi se pagat e punonjësve të trafikut ajror shkojnë në 4400 Dollarë në muaj, dhe që prej pandemisë paguhen me 2490 Dollarë.

“Në kushtet e pandemisë që ka nisur nga Marsi i vitit të kaluar, një nga sektorët më të prekur është aviacioni. Këshilli Mbikëqyrës i Albcontrol ka rishikuar pagat. Paratë që vijnë nga trafiku ajror vijnë sipas sasisë së operimeve të kryera. Gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti trafiku ka rënë me 57% për vitin 2020, ndërkohë edhe për muajin Janar, Shkurt, Mars trafiku ka qenë minus 57%. Shteti nuk merr të ardhura nga Albcontrol dhe nuk i ka dhënë kurrë asnjë qindarkë. Kontrollorët e trafikut ajror deri në vitin 2019 kanë pasur paga që arrinin edhe në shifrën e 4.400.40 mijë lekë (të vjetra) ose 4400 Dollarë, shifra që ndoshta nuk janë shumë normale. Ekzistojnë pasi nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit, ndaj dhe janë paga që vendosen në një marrëveshje të plotë me përfaqësuesen e kompanive ajrore dhe Albcontrol.

Sot marrin 2.400.49 Lekë (të vjetra) ose 2490 Dollarë. Kemi pasur presion nga kontrolloët që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme. Kompania është në pamundësi financiare. Kjo kompani e ka detyrim ligjor të mos krijojë pasi nuk ka ku i krijon. Në fund të vitit nëse kompania nuk ka përdorur paratë është detyrim ligjor që t’i rikthehen kompanive. Pra në fund të vitit Albcontrol nuk ka të drejtë të ketë para mënjanë. Drejtuesit e kompanisë janë ulur disa herë për të diskutuar me kontrollorët e trafikut ajror.

Në të gjitha uljet në tryezë nga ana e kontrollorëve është që nuk i intereson ky problem, është puna e kompanisë se si do ta zgjidhë, ata janë mësuar që duan të kenë paratë, pra nëse nuk kanë 4 mijë Dollarë stresohen dhe nuk punojnë dot. Nuk është batutë. Unë e kam të shkruar nga një nga kontrollorët. Dhe për të bllokuar trafikun ajror dhe për të vënë nën presion shtetin shqiptar kanë vendosur të bëjnë akt që quhet paaftësi për të operuar. Kanë deklaruar që janë të paaftë për shkak të vështirësisë financiare duke rrezikuar kredinë, probleme familjare si pasojë e vështirësi familjare dhe zotëria ka aplikuar për borxh tek të afërmit.

Se si një kontrollor i trafikut ajror thotë që është i paaftë për të punuar pasi ndihet në strese sepse paga e tij 4 mijë Dollarëshe është bërë 2490 Dollarë. Kjo pagë nuk i del një familje me 4 persona që të punojnë dhe kështu zotëria është detyruar të aplikojë për borxh tek familjarët. Të tjera si këto janë dorëzuar në të njëjtin moment dje pranë drejtorisë”.

Grevën e punonjësve të Albcontrol, ministrja Balluku e konsideron grusht shteti.

“Kjo është një grevë e pastër ilegale në thyerje të kodit të punës. Sepse janë deklaruar që të gjithë në të njëjtin momentin, me të njëtat letra, me të njëjtin arsyetim. A duhet të kapet peng vendi nga disa persona, se ky është grusht shteti, se janë të pakënaqur me pagën 2490 Dollarë dhe nëse nuk ja bëjmë 4400 Dollarë atëherë ata do të mbajnë vendin peng? Këtu preket siguria e vedit dhe e drejta për lëvizjen e lirë të cdo qytetari”, tha ndër të tjera ministrja Balluku.

.






LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here