Bullgaria duket e vendosur të mos ndryshojë qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut duke i bllokuar kështu procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Zyrtarë të lartë europianë vizituan Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut sot për të diskutuar në lidhje me procesin e zgjerimit të BE me autoritetet e të dy vendeve.

Pas takimit në Sofje, ministri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev tha se nuk do të ketë ndryshim në pozicionin e Bullgarisë.

Ai shtoi se Bullgaria është e hapur për një dialog të përgjegjshëm, të hapur dhe cilësor me Maqedoninë e Veriut.

“Ne presim që fqinjët tanë më të afërt në rajon të punojnë në një frymë ndershmërie dhe konstruktive. Unë dua të theksoj se ekziston një marrëveshje e përgjithshme për këtë temë dhe nuk mund të pritet asnjë ndryshim në pozicionin kombëtar të Bullgarisë “, tha Stoev, raporton mediumi maqedonas ‘META’.

Bullgaria do të mbajë zgjedhjet e dyta parlamentare këtë vit në korrik pasi asnjë nga partitë nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri pas një zgjedhjeve në prill.

Ministri i jashtëm i Portugalisë, vendi që ka presidencën e Këshillit të BE-së, Augusto Santos Silva dhe Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi vizituan gjithashtu Shkupin ku u takuan me Kryeministrin Zoran Zaev, Zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov dhe Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani.

Sipas Zaev, Silva dhe Varhelyi prezantuan sot një propozim që synon tejkalimin e problemit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Unë, me ekipin në qeveri të ngarkuar me këto negociata, … seriozisht dhe me përgjegjësi do të shqyrtoj të gjitha detajet e zgjidhjes së propozuar”, tha Zaev në një konferencë për shtyp.

Ai tha se propozimi është një bazë e mirë për arritjen e një zgjidhjeje për problemin, i cili do të heqë të gjitha pengesat në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.

Vitin e kaluar Sofia bllokoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut pasi akuzoi Shkupin se nuk po i përmbahet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017.

Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt perëndimor i gjuhës bullgare. Dy vendet kanë pretendime mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.

Bllokimi i Maqedonisë së Veriut ka ngritur çështjen nëse procesi i saj integrues duhet të ndahet apo jo nga Shqipëria. Për këtë qëndrimet janë të ndara brenda BE-së pasi ka nga ata që mendojnë se ulja e Shqipërisë në tryezën e negociatave pa Maqedoninë e Veriut do të minonte besimin e maqedonasve tek integrimi europian duke i hapur rrugën fuqive alternative në rajon./ Exit.al

.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here