“Burri më braktisi, bashkëjeton me tjetrën”/ 29-vjeçarja rrëfen: Jam vetëm me djalin…

Në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan”, vjen historia e një nëne të re, 29 vjeçe, nga Veriu i Shqipërisë.

Ajo u martua në moshën 23-vjeçare me dikë që e mendoi si njeri të përshtatshëm për të. Megjithatë, jeta nisi të ndryshonte kur kuptoi se bashkëshorti konsumonte alkool, shpenzonte dhe gjërat u përkeqësuan pasi shkuan në Gjermani si azilantë. Atje, paratë e asistencës sociale i përdorte për alkool, bixhoz e hashash.

Dhuna që vajza ka përjetuar ka shkuar deri në atë pikë sa ai të përdorte sende të ndryshme të forta për ta goditur, si thikat e kaçavidat, shoqëruar me kërcënimin se do ta vriste së bashku me fëmijën. Pas lindjes së djalit të madh në Gjermani, mbeti shtatzënë me të dytin, vetëm 6 muaj më vonë. Ajo tregon se nuk e denoncoi kurrë për hir të dashurisë për fëmijën dhe frikës.

E ka djalin autik dhe 85% e trupit të tij është i djegur, jetojnë mes varfërisë

Vajza që ka ardhur të tregojë historinë e saj në emisionin “Historia Ime” tregon se vuajtjeve të saj i shtohen edhe problemet shëndetësore të fëmijëve e vështirësitë ekonomike. Djali i vogël i 29-vjeçares është i sëmurë me autizëm që prej moshës 2-vjeçare për shkak të temperaturës dhe ka vetëm 3 muaj që ndiqet me terapi.

Përveç kësaj, ka djegie në 85% të trupit për shkak të një incidenti me ujë të nxehtë. Për momentin ia ka shkëputur terapinë për arsye të pamundësisë ekonomike dhe jeton vetëm me kempin e djalit që ka një vlerë prej 20.000 lekësh.

Ajo është kthyer në familjen e saj, por atje nuk ka asnjë mundësi, pasi jetojnë me asistencë dhe çfarë arrijnë të sigurojnë nga prodhimet e tokës. E vetmja kërkesë është të mbrojë fëmijët e saj që mos t’ia marrë familja e ish-bashkëshortit.

Ndërkohë, ai vazhdon me kërcënimet se do t’i marrë fëmijët dhe gjyqi ka nisur nga fillimi, për arsye të panjohura për të. Tashmë ajo është gati për të bërë procedurat e divorcit për të cilat nuk ka asnjë informacion, por dëshiron arritjen e një jete normale për veten dhe dy djemtë.

Mirela Milori: Ke që në Shtator që ke nisur procesin gjyqësor, aktualisht jeton tek prindërit në fshat. Me çfarë mund të merresh atje?

Vajza: Absolutisht asgjë, atje s’ka as shkollë për fëmijët, as spital. Asgjë.

Mirela Milori: Si ia bën me djalin për terapi?

Vajza: Për momentin ia kam shkëputur sepse nuk kam mundësi.

Mirela Milori: E çoje në Shkodër dikur?

Vajza: Po, por tani s’mundem sepse s’kam mundësi. Të ardhura kam vetëm një kemp që e kam nxjerrë me mundim.

Mirela Milori: Me çfarë jeton, vetëm me kempin e djalit?

Vajza: Vetëm kempi. Ai kemp shkon vetëm ilaçe.

Mirela Milori: Po nga prindërit?

Vajza: Ata s’kanë asnjë mundësi sepse janë të sëmurë, nënën e kam me një veshkë, motrat kanë problemet e tyre.

Mirela Milori: Me sa lekë në muaj rrotulloheni ju? Sa është kempi?

Vajza: 20.000 lekë.

Mirela Milori: Ndonjë pension apo asistenca të prindërve?

Vajza: Ata s’kanë, vetëm me atë jetojnë.

Mirela Milori: Pra, ti me 20.000 lekë mban veten dhe fëmijët.

Vajza: Djalin e vogël e kam ende me pampers.

Mirela Milori: Si ia del?

Vajza: Çfarë të them? Ndonjëherë, kur s’kam do i lë të vuajnë. Ç’të bëj, s’kam ku të shkoj

Bashkëshorti e braktis dhe e lë midis katër rrugëve me dy fëmijë, bashkëjeton me tjetrën

Pas ndarjes nga bashkëshorti për shkak të dhunës dhe presionit, i cili e braktisi gjatë shtatzënisë së dytë, jetoi për katër vjet me familjarët e tij, të cilët edhe pse nuk e trajtonin aspak mirë, i duronte me mendimin se bashkëshorti do të kthehej.

Ai i ka kërkuar divorcin tre herë, por vajza nuk ka pranuar me frikën se ai do të harronte fëmijët e tij. Më pas zbuloi se ai kishte krijuar një jetë tjetër, mori dy fëmijët dhe u largua, por tashmë ka mbetur në mes të katër rrugëve së bashku me ta.

Vajza: Njerëzit e tij thonë që bashkëjeton me dikë në shtëpi.

Mirela Milori: Ka folur me ty për këtë gjë, për martesë letrash, pasi nuk është as hera e parë, as e fundit që e dëgjojmë të ndodhë?

Vajza: Mua më ka kërkuar divorc tre herë, para se të largohesha nga shtëpia e tij, por nuk ia dhashë. I thashë që të jetonim bashkë, pa luks, por nuk pranoi. Më tha jo dhe më kërkoi divorcin, të cilin nuk ia dhashë pasi kisha frikë se do të linte fëmijët e tij, por ashtu ndodhi.

Për më tepër, fëmijët nuk e njohin të atin për arsye se djalin e madh e ka lënë kur ishte gjashtë muajsh, ndërsa vajzën e ka braktisur kur ishte shtatzënë me të dytin. /TvKlan/

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *