Bashkia Shkoder dhe AKEP kanë dështuar në largimin e kabllove që varen nga njëra ndërtesë në tjetrën, e që vijojnë të gërvishin qiellin e këtij qyteti, duke u kthyer në shumë raste edhe rrezik serioz për jetën e qytetareve.

Situata në vend të përmirësimit dhe gjetjes së zgjidhjeve siç i ka çdo vend i botës, sa vjen dhe rëndohet duke kapërcyer kufijtë e normales. Me dhjetra denoncime kanë mbërritur në redaksinë e Shkodranews ku kërkohet zgjidhje, veçanërisht për kabllot elektrik që nga stuhitë mund të pësojnë dëmtime e duke rënë në tokë janë rrezik serioz për jetën. Në qender apo periferi, kudo që të kalosh situata mbetet po ajo.

Fotot e ardhura në redaksinë tonë tregojnë se si kabllot në rrugën e Gjykatës, aty ku ndodhen një sërë institucionesh të rëndësishme shtetërore e private, janë dëmtuar duke rënë përtokë, ndërsa grumbujt në shtyllat e betonit, i ngjajnë rrjetave të merimangës.

Një pjesë e tyre janë kabllo të energjisë elektrike që një shkëputje mund të rezultojë fatale. As kompanitë private të telefonisë dhe internetit, e as operatori i shpërndarjes së energjisë nuk kanë reflektuar për heqjen e tyre dhe kalimin nëntokë, por vijojnë të shtojnë cdo ditë e më shumë kabllo në sipërfaqen ajrore të qytetit.

Imazhi i krijuar nuk ka nevojë për komente, ndërsa për rrezikun ai vijon të jetë prezent në cdo kohë. Shkresa të pafundme dhe afate vendosi si bashkia dhe AKEP, por të gjitha përfunduan në koshin e riciklimit prej këtyre enteve publike e private. Eshtë e qartë se institucionet vendore dhe qëndrore rezultuan të paafta në menaxhimin e kësaj situate të krijuar, duke lënë jashtë cdo standarti veprimin e këtyre kompanive, që minimalisht prej vitesh duhet të kishin ndërhyrë për spostimin e linjave nga qielli në tokë. /ShkodraNews

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here