Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Stenfordit dhe Instituti Buk për Kërkime mbi Plakjen në SHBA, kanë ndërtuar një “orë” të plakjes inflamatore, e cila është më e saktë se sa numri i qirinjve në tortën tuaj të ditëlindjes, në parashikimin se sa i fortë është sistemi juaj imunitar, sa shpejt do të dobësohet ai, apo nëse do të keni probleme të padukshme kardiovaskulare,të cilat mund të shndërrohen në sëmundje serioze disa vjet në rrugë.

Në këtë proces, shkencëtarët u morën me një substancë të transmetuar nga gjaku, sasia e madhe e së cilës mund të përshpejtojë plakjen kardiovaskulare.“Çdo vit, kalendari na tregon se jemi një vit më të vjetër. Por jo të gjithë njerëzit plaken biologjikisht me të njëjtën ritëm. Disa njerëz të moshuar janë shumë të prirur ndaj sëmundjeve, ndërsa të tjerët duken më të shëndetshëm”- thotë Dejvid Furman, autori i vjetër i studimit.

Ky ndryshim, thotë Furman, lë gjurmët e tij në pjesën më të madhe të normave të ndryshme,me të cilat dobësohet sistemi imunitar i njerëzve. Sistemi imunitar – një koleksion i koordinuar i qelizave, substancave dhe strategjive me të cilat na ka pajisur evolucioni për të trajtuar kërcënime si lëndimet apo pushtimet nga patogjenët viralë dhe mikrobikë-spikat për mobilizimin e një reagimi të shpejtë, intensiv, të lokalizuar, afatshkurtër dhe rezistent, që quhet ndryshe inflamacion akut.

Ky “inflamacion i mirë”e kryen zakonisht punën e tij, dhe pastaj zbehet brenda ditësh. (Një shembull është ai skuqjes apo fryrjes së gishtit që çahet nga një mjet prerës,dhe nga shërimi i shpejtë që pason). Teksa plakemi, mund të nisë një “inflamacion i rëndë” i shkallës së ulët.

Ky inflamacion sistemik dhe kronik, shkakton dëmtime të organeve dhe promovon cënueshmëri ndaj një morie sëmundjesh që përfshijnë gati çdo sistem të organeve në trup, dhe përfshijnë tumoret, sulmet në zemër, goditjet në tru, neurodegjenerimin dhe auto–imunitetin.

Deri më sot, nuk ka pasur ndonjë metrikë për vlerësimin e saktë të statusit inflamator të njerëzve, në një mënyrë të tillë që të mund t’i parashikojë këto probleme klinike, dhe të gjejë mënyrat e adresimit të tyre, thotë Furman. Por studimi më i fundit ka prodhuar një masë sasiore që duket se bën pikërisht këtë.

Furman drejton “1000 Immunomes Project”. Për këtë projekt midis viteve 2009-2016, u morën mostrat e gjakut nga 1.001 njerëz të shëndetshëm të moshave 8-96 vjeç. Ato iu nënshtruan një morie procedurash analitike, që përcaktojnë nivelet e proteinave sinjalizuese të imunitetit të quajtura citokina.

Studimi i ri, përdori inteligjencën artificiale për të ndërthurur të gjitha këto të dhëna në një skemë, që studiuesit i referohen si një “orë inflamatore”. Ata zbuluan se parashikuesit më të fortë të moshës inflamatore, ishin një grupim prej rreth 50 proteinash sinjalizuese imune të quajtura citokina.

Nivelet e atyre, mjaftonin për të gjeneruar një inflamacion, që shtonte gjasat e personi për t’u prekur nga një sërë sëmundjesh të lidhura me plakjen. Në vitin 2017, shkencëtarët vlerësuan gati 30 pjesëmarrës në këtë projekt të moshës 65 vjeç ose më të moshuar, gjaku i të cilëve ishte marrë që në vitin 2010.

Ata matën shpejtësinë e ngritjes nga një karrige dhe ecjen në një distancë fikse, dhe realizuan me ta një pyetësor të bazuar tek aftësia e tyre për të jetuar në mënyrë të pavarur (A mund të ecni vetë?, A keni nevojë për ndihmë kur visheni?).

Shtatë vjet me vonë, mosha inflamatore rezultoi më superiore sesa mosha kronologjike në parashikimin e dobësisë fizike. Po ashtu Furman dhe kolegët e tij morën mostra gjaku nga një studim i vazhdueshëm i njerëzve shumë jetëgjatë në Bolonja të Italisë, dhe i krahasoi moshat inflamatore të tyre me ato të njerëzve 18-50 vjeç.

U zbulua se të moshuarit kishin mosha inflamatore mesatarisht 40 vjet më pak se sa mosha e tyre kalendarike. Kështu për shembull një burrë 105 vjeç, kishte një moshë inflamatore 25 vite më të re, thotë Furman. Shkencëtarët vunë re se nivelet në gjak të një substance, CXCL9, kontribuan më fuqishëm sesa çdo përbërës tjetër i orës në rezultatin e moshës inflamatore. Sipas tyre nivelet e CXCL9, një citokinë e sekretuar nga qeliza të caktuara imune për të tërhequr qelizat e tjera imune në vendin ku ka ndodhur një infeksion, fillojnë të rriten ndjeshëm pas moshës 60 vjeçare.

CXCL9, ka shumë ndikim edhe tek sëmundjet kardiovaskulare. Një seri eksperimentesh treguan se CXCL9 sekretohet jo vetëm nga qelizat imune por nga qelizat endoteliale – përbërësit kryesorë të mureve të enëve të gjakut.

Studiuesit treguan se mosha e avancuar, lidhet me një rritje të konsiderueshme të niveleve të qelizave endoteliale CXCL9, gjë që e zbeh aftësinë e qelizave endoteliale për të formuar rrjete mikrovaskulare, pra për tu zgjeruar dhe për tu tkurrur.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here