Itali/ rregullat e reja anticovid dhe kushtet për të udhëtuar

Prej ditës së hene Italia nis aplikimin e rregullave të reja për lëvizjen brenda e jashtë kufijve të saj në përballimin e pandemisë globale Covid 19.

Për të gjithë ata persona që do të hyjnë në territorin italian nga vendet anëtarë të Bashkimit Europian, nga vendet e zonës Schengen, nga Britania e Madhe e nga Izraeli nuk do të jetë më i detyruar karantinimi të paktën 5 ditor.

Por gjithashtu prej ditës së sotme datë 24 maj 2021, çdo person që do të udhëtojë drejt Italisë është i detyruar të plotësoj një formular dixhital lokalizimi (Passenger Locator Form) i cili do t’i pajisë me një bar kod, i domosdoshëm për të hyrë në pikat kufitare italiane.

Ky bar kod do të jetë i detyrueshëm të paraqitet para imbarkimit në porte dhe në aeroporte nga ata udhëtarë që kanë destinacion Italinë.

Regjistrimi do të jetë i detyrueshëm dhe për minorenët e formulari dixhital i tyre do të plotësohet nga prindërit apo nga personat mazhorenë që i shoqërojnë në udhëtimi në Itali.

Në këtë formular dixhital regjistrohet informacioni i itinerarit të udhëtimit në Itali, numri  i telefonit, adresa e qëndrimit në Itali me qëllim që autoritetet shëndetësore lokale të kenë mundësi lokalizimi  në mënyrën më të shpejtë të mundur në rast se verifikohet një rast infektimi tek pasagjerët që kanë mbërritur në Itali me të njëjtin udhëtim.

Në këtë javë të re Italia ka nisur dhe aplikimin e rregullave të reja në nivel kombëtar në politikat antiCovid.

Situata në përmirësim e kurbës pandemike, ka bërë që Komiteti Tekniko Shkencor për përballimin e emergjencës shëndetësore, të orientojë qeverinë italiane në futjen e të gjithë territorit italian në një zonë të verdhë, pra në një nivel të ulët infektimi.

Këtë fundjavë në Itali janë hapur qendrat tregtare e prej sot 24 maj, do të nisin aktivitetin e tyre palestrat.

Ndërsa restorantet, lokalet, kafenetë do të presin datën 1 qershor për të rinisur punën dhe në ambientet e mbyllura.

Prej datës 7 qershor është parashikuar që ora policore në Itali të reduktohet nga ora 24.00 në ora 5 të mëngjesit, e më datë 21 qershor do të hiqet plotësisht.

Ndërsa prej datës 15 qershor do të lejohen festat e martesat por në një protokoll të ngushtë rregullash të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore italiane.

Italia ka kapërcyer mesataren europiane për vaksinimin antiCovid të popullsisë.

 Deri më tani janë vaksinuar 15.75% e popullsisë italiane ndërkohë që mesatarja europiane është rreth 13.1%.

Në 24 orët e fundit Italia ka shënuar 72 viktima e 3995 persona të infektuar nga koronavirus.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *