Monika Kryemadhi, e krahasoi LSI me feniksin duke theksuar se “do të ringrihemi dhe ta çojmë më tej betejën tonë”.

“Ne jemi si feniksi, të dashur miq, ne do ringrihemi e do ta çojmë më tej betejën tonë. Beteja jonë është për ju të rinjtë, që ju të mos detyroheni të ikni nga Shqipëria, por të rrini këtu, që Shqipëria të jetë e shqiptarëve jo e Bangladeshit. Zhgënjimin e kam pasur shumë të madh në numra, por për një gjë jam shumë e kthjellët, e qartë dhe e vendosur, ky sistem për të cilin përgjërohet Rama e kushedi tjetër është sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota të vlefshme merr katër mandate e një parti tjetër që nuk dihet se çfarë është me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi mafioz kriminal i tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI foli për makina me xhama të errët që kanë lëvizur në qytete gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se beteja nuk do të ndalet.

“Beteja jonë vazhdon, nuk do ndalemi, ne jemi me qytetarët që duan ndryshimin e jo ti themi kujtdo bujrum në partinë tonë, partinë e të rinjve dhe të rejave, dhe jo në atë parti që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Sot më shumë se kurrë kemi më shumë nevojë për të shkuar pranë komisionerëve tanë, për tu dhënë zemër e forcë, për ti dhënë zemër procesit, fakte të tjera do vijnë e do dalin se si ditën e shtunë makinat me xhama të errëta kanë lëvizur në gjithë qytetet e Shqipërisë duke shpërndarë paratë e drogës, krimit, mafies, nga Londra, Berlini, Spanja, Venezuela, këto para janë helmi që helmon të ardhmen e shqiptarëve.

Meqë kanë merak shumë që e përmend Zotin djemtë e errësirës janë më të shpejtë se djemtë e dritës, por djemtë e dritës gjithmonë fitojnë, prandaj për të gjithë ju që besoni edhe Jezu Krishtin asnjë se di sa herë u rrëzua me kryqin në krah, por e dimë që vajti u ul në të djathtë të Zotit. Ne jemi rrezuar, por do ngrihemi me kurajo, shpirt e besim, dhe e duam këtë vend”, tha Kryemadhi.


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here