Gazsjellësi IAP; ndërtimi në Shqipëri pritet të nisë brenda vitit, kostoja vlerësohet rreth 618 milionë euro

Punimet për gazsjellësin Jonian-Adriatik që nis nga Fieri dhe përfundon në Split të Kroacisë, pritet të nisin brenda këtij viti, të paktën në seksionin shqiptar.

Kështu thuhet në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social që mbështetet nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

IAP është ideuar si një gazsjellës ndërkombëtar dykahesh i cili, përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë, lidh sistemin kroat të transmetimit të gazit me Gazsjellësin Trans-Adriatik në pikën marrëse në Shqipëri. Gjatësia e përgjithshme e tubacionit të gazit nga qyteti kroat Split deri në qytetin Fier është 520 km dhe shtrihet kryesisht në tokë përgjatë bregdetit Adriatik dhe atij Jonian.

“Ndërtimi i përgjithshëm i seksionit shqiptar të projektit përfshirë marrjen e Lejes Zhvillimore parashikohet të nisë në mes të vitit 2021 dhe do të zgjasë përafërsisht 4.5 vjet, ndjekur nga komisionimi afërsisht në fund të 2025. Programi përfundimtar specifik i ndërtimit do të varet nga çështje të ndryshme teknike dhe kontraktuale dhe do të marrë në konsideratë faktorët mjedisorë dhe socio-ekonomikë.  Nëse ndërtimi fillon në 2021, komisionimi i projektit do të kryhej afërsisht në fund të 2025” thuhet në dokument.

Por cilat do të jenë Bashkitë brenda territorit shqiptar ku kalon gjurma e gazsjellësit. Referuar dokumentit gjurma nis në Fier dhe vijon në Divjakë, Rrogozhinë, Kavajë, Tiranë, Kamëz, Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau i Dejës, Shkodër.

Lidhur me rreziqet natyrore raporti sjell në vëmendje përmbytjet dhe tërmetet. Në dokument sillen në vëmendje edhe aspekte të tjera të tilla si zonat e mbrojtura ku kalon gjurma, monumentet në afërsi dhe ndikimet tek zona e lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës. Lidhur me këtë të fundit projekti mund të sjellë largimin e përkohshëm të disa shpendëve nga disa zona për shkak të zhurmës dhe makinerive por kjo cilësohet si afatshkurtër.

Projekti për gazsjellësin IAP më herët u bë pjesë e një studimi fizibiliteti. Kostoja për ndërtimin total të tij vlerësohet rreth 618 milionë euro dhe vetëm seksioni që kalon në Shqipëri dhe Mal të Zi mund tu kushtojë dy vendeve 288 milionë euro. Gazsjellësi parashikohet të ketë kapacitet prej 5 miliardë m3 gaz të transmetuar në vit dhe shihet si një lidhje e Ballkanit Perëndimor për të përfituar nga gazi që vjen përmes TAP. Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur edhe qëndrime për të pasur një zgjatim mes dy vendeve, në mënyrë që edhe kjo e fundit të përfitojë nga gazi./ Monitor.al

.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *