Orët në vijim dhe dita e nesërme, por edhe kjo fundjavë, pritet të sjellin një freskim të motit dhe ulje temperaturash, shoqëruar dhe me rrebeshe afatshkurtra shiu.

Sinoptikania Lajda Porja, thote se korriku do të jetë një muaj tejet kapriçoz me ulje dhe ngritje të shpeshta temperaturash, por sipas saj, vala e të nxehtit afrikan do të jetë e pranishme.

Ndërkohë, kjo fundjavë do të jetë e freskët edhe për kryeqytetin, ku nuk përjashtohen rrebeshe të shkurtra shiu.

“Duke filluar që nga pjesa e dytë e ditës së sotme kemi një tërheqje graduale të masave ajrore, që kanë përfshirë gjithë vendin, ku dje u shënua 40 gradë. Sot parashikohet një rënie me 3-4 gradë. Termometri pritet që ta tejkalojë 38 gradë. Kemi dhe një shtim të lagështirës në ajër, ndaj dhe kjo bën që ta ndjejmë të nxehtin shumë edhe në orët e pasdites. Duke filluar nga mbrëmja, mund të marrim pak frymë. Pastaj pritet të kemi edhe rrebeshe shiu. Dita e nesërme të kemi një tablo ndryshe, ndërsa të shtunë e të diel do të kemi ulje temperaturash deri në 6 gradë. Sidomos të dielën termometri nuk do të shënojë më shumë se 34 gradë. Duke filluar që nesër në mesditë pritet të fillojë shiu në zonat malore, ku pjesa më e madhe do të rrezikohet nga rrebeshe afatshkurtra shiu.

Nesër shpëton një pjesë e bregdetit të jugut, që do të ketë vetëm mot të vrenjtur, ndërsa bregdeti verior do të rrezikohet nga rrebeshe shiu, në momente të shkurtra. Edhe në kryeqytet nesër pritet të ketë rrebeshe shiu. Ky korrik do të jetë kapriçioz, ku edhe java nis e freskët, me temperaturë në 32 gradë. Ditën e martë e të mërkurë kemi sërish riaktivizim të masave ajrore afrikane, duke sjellë rritje temperaturash. Parashikohet që valën e të nxehtit afrikan ta kemi të pranishme deri në fund të korrikut, ku do të kemi herë pas here freskim të motit, por rikthim të valëve. Do të kemi një javë të ardhshme tepër dinamike me ulje dhe ngritje temperaturash në një kohë të shkurtër”, tha sinoptikania Porja.




Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here