Zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini paralajmeron se brenda 2 javësh Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vendosë nëse do të ketë shtim të masave apo izolim të vendit tonë.
“Janë 3 indikatorë dhe që ne jemi mbështetur, nëse kemi kapacitet për shërbim spitalor, dalëngadalë janë masat që duhet të merren. Duke gjykuar situatën në dinamikë rastet e hospitalizuar, rastet e reja dhe fatalitetet, brenda 14 ditëve do të merret një vendim tjetër dhe do të gjykohet mbi rekomandimet bazë. Spitalet Covid po mbështesin situatën sa i përket shërbimit spitalor. Por deri në ato momente përgjigjja është në nivel të lartë”, u shpreh Tomini në A2CNN.
Për sa i përket transportit publik, Tomini tha se qytetarët duhet të udhëtojnë me urbane vetëm kur e kanë shumë të nevojshme, ndërsa bëri apel që të mos frekuentohen baret dhe restorantet.
“Duhet bërë një ndarje, transporti publik është i nevojshëm, frekuentimi i kafes kur kemi një kohë qetësie, ndërsa në kohë pandemie të marrim atë që është e nevojshme dhe të largohemi të mos frekuentojmë ambientet ku nuk respektohet distanca. Shpesh ne bëhemi pjesë e atij rregulli që popullata ta përdorë transportin jo në momentet e pikut. Baret e restorantet mos frekuentohen ku nuk zbatohen masat. Tashmë nuk tolerohet një situatë e tillë. Administratorët përgjegjës do zbatojnë në mënyrë rigoroze ligjin”, tha ajo.