Ibsen Elezi ëshhtë kandidati i katërt në garën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Ditën e sotme Elezi dorëzoi në selinë e PD formularin e kandidimit dhe në një fjalë të shkurtër para mediave tha se vetëm dorëheqja e Lulzim Bashës mund të garantojë zgjedhje të barabarta në PD.

”Vetëm me dorëheqjen e Bashës mund të ketë garë të barabartë. Kandidatët për kryetar duhet të kenë përfaqësues në Komisionin Zgjedhor”, tha Elezi.

Më tej, ai apeloi që të evitohet manipulimi i votave. Një rast i vetëm sipas Elezit do të ulte imazhin e Partisë Demokratike. “Këto janë elementë shumë të rëndësishëm që vlejnë për të gjithë strukturën e PD. Unë dua t’ju kujtoj të gjithë drejtuesve të strukturave që të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme. Në qoftë se edhe një rast i vetëm manipulimi ndodh do të ulë imazhin e Partisë Demokratike. Çdo kandidat duhet të ketë kontroll mbi procesin zgjedhor, ky është parim themelor”, shtoi ai.

Sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për kryetarin e Partisë Demokratike. Zgjedhjet do të zhvillohen më 13 qershor, më shumë se një muaj para afatit të parashikuar që ishte 22 korriku. Deri më tani në garë janë; kryetari aktual Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Ibsen Elezi.

Të 4 emrat kanë dorëzuar në PD formularin e kandidatit dhe pritet që nesër Komisioni për Zgjedhjet i ngritur në PD të zyrtarizojë emrat. Me mbylljen e procesit të dorëzimit të kandidaturave, kandidatët do të nisin takime në 61 degët e PD për të prezantuar platformat e tyre.

.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here