Anëtari i kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli, në një dalje për mediat pranë ambienteve të Partisë Demokratike, rikonfirmoi vendimin për të kandiduar si kryetar i kësaj partie, pas humbjes së PD në zgjedhjet e 25 prillit.

Teksa theksoi se zgjedhjet ishin të pandershme dhe pushteti përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarëve, Kadilli shtoi se edhe projekti i Bashës nuk ia doli pasi nuk solli fitore për demokratët.

“Zgjedhjet ishin të pandershme. Pushteti përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarëve, si blerja e votave, ndryshimi i Kodit dhe mbyllja e kufirit me Greqinë.

Çdo provë duhet ndëshkuar sipas ligjit. Por, beteja ligjore nuk duhet të shërbejë për radikalizim politik. Barrikada para portës së PD-së është e tepërt.

Rikonfirmoj vendimin tim për të kandiduar si kryetar i PD-së. Projekti i Bashës u provua i paaftë për të sjellë fitore për demokratët.

Unë e kam mbështetur me vetëmohim. Nuk ia doli, nuk qe i zoti dhe dështoi. Të gjithë mund të gjejmë justifikime për dështimin, por jo për faktin që jemi përballë 4 vitesh opozitë dhe nuk e dimë se çfarë na pret në fund.

Sot, kush thërret “Rama ik”, nuk mund të thotë edhe “Basha rri”, u shpreh Kadilli.

Më tej ai shtoi: “Dështimi i Bashës nuk mund të jetë alibi për të mos luftuar Ramën. Unë nuk jam deputet që nga viti 2013 dhe nuk kam pasur hakmarrje as atë vit dhe as në 2017-n, por kur shikoj që një rrugë nuk jep rezultat, mendoj se nuk ke pse këmbëngul në atë rrugë”.

.




Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here