Luljeta Bozo, inxhiniere dhe kandidate fituese për deputete nga radhët e PS në 25 prill, falenderon të gjitha ata që e votuan dhe besuan. Ajo ka arritur që të mbledhë 5413 vota, duke shtuar se nuk priste një numër kaq të lartë.

Ndryshe nga kandidatët e tjerë të cilët shfrytëzuan të gjitha mundësitë për të depërtuar te populli, fushata e Bozos është zhvilluar në rrugë, me takime të ndryshme me qytetarë. Sipas saj, kandidatët e tjerë kishin një mënyrë organizimi, patronazhistë, ndërsa ajo nuk kishte një të tillë.

“Më pak vota prisje pasi është hera e parë që futem në politikë, nuk di si funksionin, ka një organizim për atë që do të bëhet deputet, ka patronazhistë. Unë nuk e kisha këtë gjë. Fushata ime është zhvilluar në rrugë duke takuar qytetarë të ndryshëm, më ftuan në disa televizione dhe aty njerëzit filluan të më njohin më shumë. E dinin që isha nëna e tërmetit por me këto dalje më njohën më shumë. Daljet time gjatë kohës së tërmetit që i qetësoja njerëzit, takimet, rrethi im shoqëror, inxhinjerët tim të cilët akoma dhe sot vazhdojnë të kenë respekt, fisi, të gjitha këto kanë ndikuar”, tha Bozo, në News 24.

Ajo u shpreh se gjatë takimeve të saj me shumë qytetarë, një ndër problemet që haste më shpesh ishin pensionet. Bozo tha se me hyrjen e saj në Parlament do të mundohet që të krijojë një ligj për të gjithë ata ekspertë të cilët kanë dalë në pension dhe të kenë mundësi që dijet e tyre ti transmetojnë te brezat e tjerë dhe të paguhen nga shteti.

“Kemi shumë pensionistë të cilët kanë një eksperiencë të paparë dhe është gjynah që të vdesin pa lënë gjë mbrapa. Unë kam shumë dëshirë që ata këtë bagazh që kanë ta shpërndajnë, ta transmetojnë edhe te brezat e tjerë dhe më pas të marrin dhe një shpërblim të vogël I cili do të kompesojë edhe pensionin mizerabël që kanë. Nëqoftëse kjo gjë nuk është në legjislacion do të duhet të rregullohet”, shtoi Luljeta Bozo.


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here