Xhamia ikonike e Et’hem Beut në zemër të Tiranës konsideruar si një xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore, pas një pune disa vjeçare restauruese ka hyrë në fazën finale.

Në këtë xhami duke përdorur teknikat e fundit të restaurimit tashmë ka në muret e saj dhe kubenë të gjitha afresket origjinale nga koha e ndërtimit. Kryeministri Edi Rama bëri këtë urim nga ambientet e brendshme të kësaj xhamie.

Rama: “Deri përpara një muaji e pak ishte pothuajse e paimagjinueshme që do të hynit në muajin më të rëndësishëm të vitit të lehtësuar jo pak nga shtrëngesa e tmerrshme e pandemisë. Edhe me zgjatjen e orarit do të keni mundësi që të bëni të gjithë ritualet. Kam shumë besim që ky muaj do jetë energjizues dhe me daljen nga tuneli i pandemisë, me hapjen e sezonit turistik, me hapjen e të gjitha punëve për njerëzit, të dalë nga ajo që thoni ju, “pas vuajtjes së madhe vjen lehtësimi”, do kemi një perspektivë krejt tjetër. Përfitoj nga rasti t’i uroj gjithë komunitetit një muaj agjërimi të pranuar dhe Zoti qoftë me ju dhe me shqiptarët.”

Kjo xhami është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë.

Themelet e saj i vuri në vitin 1794 Molla Beu. Përfundimin e xhamisë e plotësoi biri i tij, Haxhi Et’hem Beu, në vitin 1821. Asnjëra nga të katër fasadat e xhamisë nuk i ngjan njëra-tjetrës. Faltorja ka 18 dritare në dy rreshta horizontalë, të cilat në numrin më të madh i japin asaj një dritë të kufizuar për të krijuar një ambient mistik.

Xhamia e Et’hem Beut, ndër më të vjetrat në Ballkan, është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 dhe i shpëtoi shkatërrimit që ndërmorri komunizmi ndaj objekteve të kultit.





.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here