Nga BUJAR QESJA

Çfletojmë e çfletojmë vazhdimisht, fletët e dëndura të bllokut të kujtesës. Jetë, ngjarje, situata, momente që ngacmojnë, e na bëjnë të heshtim, të kthejmë sytë tek ajo që quhet dikur. Kurrë nuk e kam ndarë jetën time para dhe pas, sepse ajo është një e tërë. Është një zinxhir pa shkëputje hallkash, ani se ka zikzaket e saj.

Kur kujtojmë kohën e rinisë tonë, nuk ka të bëjë me Enverin dhe enverizmin. Koha e rinisë dhe e kaluara jonë, as më shumë dhe as më pak është biografia e një jete itensive, ku është hapur ky bllok stërmadh, që quhet blloku i biografisë dhe i formatimin tonë.

Kam para një foto. Tani dua ta ndaj, ta intrepretoj sadopak. Është foto që ka brenda histori. Është foto që ka brenda protogonistë, madje të tillë që mund të barazohen me historinë më të bukur të një qyteti, që quhet pa dyshim Durrës. Janë foto që brenda katërkëndëshit të çfaqur, qëndrojnë pa u lëkundur si dikur njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që manifestuan talentin dhe pasionin e tyre, njerëz që i mbante në gojë i tërë opinioni sportiv dhe qytetar, pasi ato mbetën rinia dhe tradita e jonë.

Është prilli i vitit 1975. Për herë të parë dhe të fundit, të paktën deri tani, “Lokomotiva” e Durrësit në basketboll për femra, është fituese e “Kupës së Republikës”.

Nuk është rastësi që këtë sukses e provokoi një nga kalorësit e artë të basketbollit durrsak. Ai është “Mjeshtri i Madh” dhe “Nderi i Sportit” Niko Hercek, apo shkruar saktësisht Nikolla Herczegh. Është një rrugë në Hungari me këtë mbiemër, që janë të parët e këtij ustai të koshit.

Shkruajta për Nikon kur mori titullin “Mjeshtri i Madh”. Tani Niko ynë është 83 vjeç. Ka përjetuar drama të tmerrshme, si humbjen e gruas Ritën dhe të djalit të vetëm 53 vjeçar Antonin.

Nuk dua të mendoj se është i vetëm. Ai është mbështjellë me dashurinë dhe respektin e jashtëzakonshëm të një populli të tërë. Vjen edhe tek unë. Rrimë dhe bisedojmë. Kujtojmë e kujtojmë. Çmallemi dhe lotojmë. Është historia e jonë. Është e kaluara dhe tradita e jonë. Është hershmëria e jonë, vizatuar me një laps të bukur shpirtëror. Herceku qendron dhe as ka ndërmënd të dorëzohet. Kujtojmë së bashku vajzat.

A mund të përsëritet ky ekip, me këto përmasa, me këtë prezantim, me këtë raport historik me qytetin e tyre? Absolutisht jo. Sepse kurrë skemi për të patur Niko Hercek.

Kurrë skemi për të patur Aleksandra Begovin (Ndreu), Zhani Averikun, motrat aq të shkëlqyera Zhyljeta dhe Shpresa Verteniku, Hanza Shytaj (Rrogozhina), Donika Belliu, Gjinovefa Gega dhe Engjellushe Arapin. Po ti analizosh se nga vijnë, kemi të bëjmë me një ekip kombëtar.

Sandra mbetet përfaqësuesja historike e vajzave të famshme të “24 Majit” të Përmetit. Jeta sportive i dha shansin, që të lidhet me një nga autoritet e basketbollit durrsak Ibrahim Kurtbegovi. Martesa e tyre fat për basketbollin durrsak të femrave.

Po Zhani? E mira Zhani. Korça e qau me lot kur u largua. Edhe martesa e saj një histori sportive. Shpëtim Averiku, një gjyqtar i spikatur i basketbollit të Durrësit, është bashkëshorti i Zhanit. Dhe martesa e tyre shënoi edhe kjo një plus, për rritjen e koefiçientit të fortësisë së fitueses së ardhshme të Kupës së Republikës.

Gjinovefa Gega, shtatlarta e ardhur nga Tirana. A e mbajnë mënd kavajasit, se “Lokomotiva” e Durrësit, në prill të 1975-sës, kishte në përbërje edhe një vajzë të tyre. Është Engjellushe Arapi. Histori e dyfishtë për Engjëllushen. E para si fituese e Kupës së Shqipërisë dhe e dyta mbetet e vetme nga një qytet, që nuk e ka traditë basketbollin, por punoi për traditën e Durrësit madhështor në lojra.

Dhe dy motrat Veterniku. Eh Zhyljeta, nga qendrat më të mira të basketbollit shqiptar. Historia dhe tradita më e arrirë e basketbollit të “Lokomotivës”.

Së bashku me motrën e saj Shpresën, nga më energjiket dhe më të palodhurat e ekipit, përbëjnë binomin e përjetshëm të një basketbolli, që bëri histori dhe që nuk mund të harrohet.

Luanin dhe qanin në shpirt, nga një persekucion që nuk iu nda. Akrobacitë e rënda të kohës. Por karakteri i tyre dhe autoriteti i palëkundur në sportëdashësit e qytetit, bënë që të vazhdonin të luanin dhe të na dhuronin kënaqësine artit të tyre. Tani ato ndodhen në Margherita di Savoi, që përfshihet në provincën e Foxhias.

Hanza Shytaj (Rrogozhina), bashkëshortja e mjeshtrit të njohur të shtangës Fatmir Shytaj, një basketbolliste e saktë në shënim dhe mbeti simpatia e sportëdashësve. Jeton në Bari të Italisë.

Pasi ti lexojë këto rradhë, të marrë shënim edhe për një urim nga zemra të një gazetari, që kurrë nuk iu nda sporteve të Durrësit, për mikun tonë Fatmirin që lëngon në shtrat prej vitesh. Ta kalojë këtë moment të vështirë. Dhe Donika Belliu, mbetet tjetër medalje e artë e atij basketbolli të femrave, që e fiksoi faqen më të përkryer të historisë së tij, me fitimin e “Kupës së Republikës”, në prill të vitit 1975.

Një foto, një histori. Një foto, një traditë. Një foto dhe një kujtim për jetën dhe rininë tonë. Sa të tilla na presin!

Po prezantoj saktësinë e fotos.

“Lokomotiva” e Durrësit, fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra.

Në këmbë nga e majta: Zhani Averiku, Gjinovefa Gega, Niko Hercek (trajner), Zhyljeta Verteniku, Aleksandra Kurtbegovi.

Në gjunjë nga e majta: Shpresa Veterniku, Engjellushe Arapi, Donika Belliu dhe Hanza Rrogozhina.

Durrës: 12 prill 2021

/portali DurresLajm/



Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here