Ndahet nga jeta gjenerali Naim Muhaj, “Legjenda” e Ishullit të Sazanit

Komandanti Naim Muhaj është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Tiranë në moshën 82-vjeçare.

Muhaj njihej si “Legjenda” e Ishullit të Sazanit dhe “Komandant i të gjitha rangjeve ushtarake” për shkak të detyrave të larta që ka mbajtur gjatë viteve të shërbimit të tij.

Ai mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm në orën 00:21, ndërsa homazhet në nderim të tij do zhvillohen sot, datë 27.05.2021 ora 11.30 – 13.30, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit bëhet në orën 14.00 në varrezat e Sharrës.

Prej vitit 2018, komandant Naim Muhaj mbante dhe titullin “Qytetar Nderi” i Tepelenës, zonë nga e cila ishte dhe me origjinë, me motivacion “ Për kontributin dhe cilësitë e larta të tij si kuadër i devotshëm në funksionin e çështjes së madhe të atdheut duke rritur kështu emrin e krahinës së Lopësit.”

Komandant Muhaj, pas daljes në pension u bë një zë i fortë për mbrojtjen e të drejtave të ish-ushtarakëve dhe për gjallërimin e aktivitetit të tyre.

Muhaj kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në vitet 1957- 1960, pas të cilave u titullua me gradën Oficer. Më pas shërbeu në ishullin e Sazanit, në bazën ushtarake të gjirit të Vlorës dhe në shkollën e Instruksionit të Korpusit të Fierit deri në vitin 1969.

Për dy vitet në vazhdim kreu studimet në Akademinë Ushtarake. Në 8 vitet në vijim, Muhaj u emërua dhe shërbeu si komandant i ishullit të Sazanit. Në vitet 1979-1982 u emërua komandant i Korpusit të Tiranës dhe nga viti 1983 deri në vitin 1986, shërbeu si komandant i Divizionit në Lushnjë. Në vitin 1986 u dënua për motive politike, ku vuajti dënimin deri në vitin 1990, vit kur mori pafajësinë dhe filloi punë sërish në Ushtri, si Inspektor i Ministrit të Mbrojtjes, detyrë që e kreu deri në moshën e daljes në pension, në vitin 1999.

Komandant Naimi në ishullin e Sazanit ka punuar 15 vjet. Për herë të parë ka shkelur në vitin 1960. Karrierën ushtarake e ka nisur komandant toger, duke qëndruar 7 vite në këtë detyrë. Kur mbaroi Akademinë, kthehet përsëri në këtë njësi, por në funksionin e komandantit, detyrë që e kreu për 8 vite.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *