Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal sot në Durrës ku u surprizua nga mbështetësit teksa po bisedonte me përfaqësues të ardhur nga qytete të ndryshme, e në sfond dëgjoheshin vazhdimisht thirrje të tipit ”Rama ik”.




Basha ndërpreu takimin dhe doli në ballkon të përshëndeste mbështetësit e shumtë të cilët ishin mbledhur në zonën ku po mbahej takimi duke mos respektuar distancat e duhura për mbrojtjen nga Covid. Basha falenderoi të gjithë mbështetësit dhe mbajti një fjalim përpara tyre duke mos kursyer kritikat për qeverinë Rama.




“Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza, banore dhe banorë të Durrësit dhe Durrësit të ri, faleminderit për mbështetjen tuaj! Për më shumë se një orë kam bashkëbiseduar me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të Durrësit të ri, brenda këtu, ja ku janë disa prej tyre. Dhe prej më shumë se një orë bashkëbisedim nuk na është ndarë brohoritja dhe entuziazmi juaj! Shprehja më e qartë e padurimit të Durrësit dhe të durrsakëve për ndryshimin që po vjen më 25 prill për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.




Vëllezër dhe motra, unë e di se problemet e mëdha që kanë pllakosur në familjet tuaja, janë shumëfishuar për 8 vite, se kriza e këtyre 8 viteve është rënduar nga tërmeti dhe pandemia dhe se shteti nuk ka qenë asnjë ditë në krahun tuaj, por gjithmonë kundër jush! Se kryeministri në ikje, kurrë nuk ka parë mundësinë për t’ju ndihmuar dhe për t’u trajtuar si qytetarë dinjitoz e taksapagues të ndershëm të këtij vendi.




Vuajtja juaj, vuajtjet tuaja, vuajtjet dhe sfidat e baballarëve dhe nënave, shqetësimi për fëmijët tuaj ka qenë motivimi sa herë kam qenë në shtëpitë tuaja, sa herë kam biseduar me sipërmarrjen dhe biznesin e vogël apo fermerët e kësaj zone. Më ka motivuar dhe na ka motivuar për një program realist, zgjidhjesh, e për të na dhënë ne qeverisjen e re që do të vijë me votën e shqiptarëve më 25 prill! Nuk dua të zgjatem, sepse shëndeti është mbi të gjitha dhe dua t’ju kërkoj të vendosim maskat dhe të mbajmë distancën” – tha Basha. /korrieri

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here