Lindi në Pejë, më 26 prill të vitit 1948, ku do të kalonte fëmijërinë deri në moshën 8-vjeçare, nga prindër intelektualë dhe me kulturë të formuar, me një zanafillë atërore nga Gjirokastra. Nëna e tij është malazeze. Do të përfundonin familjarisht në Vlorë, kryesisht prej profesionit humanitar që kishte i ati, si Mjek i Përgjithshëm, i diplomuar në Sorbonë.

Dëshira për t’u marrë me artin i erdhi natyrshëm: fillimisht në Pejë, tek shihte filma amerikanë me kauboj, si edhe kur erdhi në Vlorë, duke vajtur për të parë komshinjtë e tij, në skenën e Estradës, parodistët e famshëm të Vlorës. Gjatë kohës që kryente Shkollën e Mesme, midis pasionit për letërsinë dhe pasionit për artin, do të fitonte kjo e dyta. Në konkursin e pranimit u paraqit ditën e fundit fare, vetëm me një interpretim të poezisë së Gëtes: “Prometheu i lidhur” dhe do të fitonte, për emocionet që krijoi, me të folurën e qartë e të ngrohtë, si edhe me trupin e hijshëm. Dhe për katër vjet me radhë, do të ishte njëri nga studentët e mi më të suksesshëm.

Shkolla e aktrimit

Timoja, qysh herët e kishte të vetën lirshmërinë skenike, natyrësinë, zërin e butë e të ngrohtë, ekspresionin e një fytyre të qetë, gati neutrale. Krijonte një mori etydesh nga jeta, krejt shpenguar, aq sa na i bënte të lehtë punën pedagogjike, pa asnjë sugjestim. Me një plasticitet prej atleti, kur dëshira e krijimit i ndriste në fytyrë, me sytë që “derdhnin” përherë mirësi e ngrohtësi, por edhe me një humor të lehtë, aq sa kolegia ime, regjisorja Drita Agolli, e cila kishte mbaruar Institutin Teatral të Moskës, bëhej teje e përzemërt dhe i ftonte studentët edhe në shtëpinë e saj të bollshme, për mësime plotësuese. por edhe Timoja ishte e mbeti gjithmonë me një etikë qytetarie, tepër i përzemërt e me një edukatë familjare shembullore. Ndërkohë që, etapën e punës së aktrimit me fragmente nga dramaturgjia e huaj dhe e jona, do ta kryente me mua më së shumti, fillimisht me një inskenim të një tregimi të shkrimtarit Ali Abdihoxha, derisa të arrinim të vinim në skenë si punë diplome komedinë satirike “Dasmë pa nuse” të Naum Priftit, mikut tim më të afërt, të tregimtarit brilant e dramaturgut të lindur, të cilin pedagogu im, regjisori Andrea Malo, e krahasonte me Çehovin. Dhe, pa e mbaruar akoma këtë shkollë arti në vitin 1970, Timo Flloko, do të ishte, një nga aktorët më të preferuar të ekranit e të skenës, që e “rrëmbenin” fill nga bankat e klasës, për të interpretuar bashkërisht me plejadën e aktorëve më të vjetër që vunë themelet e palëkundshme të Teatrit Kombëtar. Që do të arrinte deri më sot afro 40 realizime kinematografike të metrazhit të gjatë, të mesëm e të shkurtër, si edhe me një sërë veprash skenike të “kalibrit të rëndë!”, pa përmendur këtu punën e tij krijuese si regjisor, si pedagog e disa krijime simbolike kinematografike, atje ku ndodhet “ajka e filmit botëror’, në Hollivud.

Artisti i filmit

Filmi i parë, ku do të dukej fytyra e aktorit të ri Timo Flloko, ishte në realizimin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen” në rolin e një te riu komunist, në rrugët me kalldrëm të Gjirokastrës që do të tërhiqte me dhjetëra të tjera nga mbrapa. Për këtë u bënë sebep regjisorët Gëzim Erebara e Piro Milkani, të cilët ndiqnin pareshtur provimet tona të “Mjeshtërisë së Aktorit” dhe që na e “morën” Timon që në vitin e dytë, ashtu sikundër edhe bëri pas tij edhe regjisori Viktor Gjika me Mevlanin për realizimin e filmit “I teti në bronz”. Në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Timoja do të kishte fatin e madh që të ishte në të njëjtin grup xhirimi me aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, sikundër qe Naim Frashëri e Sandër Prosi, por edhe të brezit tim, sikundër qenë Edi Luarasi, Demir Hyskja, Rikard Ljarja e Sheri Mita. Ai do të kishte si partnere, po ashtu një nxënëse gjimnazi, sikundër qe në ato kohëra Englantina Kume. Por Timoja do të familjarizohej menjëherë me ekranin.Në vitin e tretë, Timon do të na e aktivizonin në filmin “Përse bie kjo daulle”, ku u duk se jeta e tij, këndej e tutje, do të shkonte mbarë, sepse bëri përshtypje të mirë si djalë i ri dhe i pashëm, me një natyrësi e komunikim të zëshëm të mirë. Do t’i vinte edhe një ftesë, që të prezantonte filmin e parë me ekran të gjerë e me ngjyra “Festë e Madhe”, me cilësinë e fotoreporterit, duke qëndruar përkrah njërës prej bukurosheve të Ansamblit të Këngëve e Valleve. Ndërsa në filmin pasardhës, “Ballë për Ballë”, solli në ekran nje karakter pasionant, inxhinierin liberal rus Sergej, i cili bridhte natën në Pasha Liman me bionden bukuroshe ruse(!). Do të ishte edhe më i plotë si figurë artistike në dy filma me partizanë :“Malet me blerim mbuluar” dhe “Shtigje Lufte” (ku bëhej fjalë për Kajo Karafilin!). Gjithkush do të bindej tashmë se Timo Flloko do t’i takonte kryesisht Kinematografisë Shqiptare…

Dhe do të ecte drejtë përsosjes. Fill me figurën e shkëlqyer të partizanit Meço që mbeti i vr arë në Kambanoren e një Manastiri, në filmin “Kur zbardhi një ditë” (1971). Bariu Meço ishte sa i thjeshtë, po aq edhe i madhërishëm, sikundër qe edhe ai i Partizanit Kabo, sidomos në skenën e kalimit të lumit në dimrin e acartë, me pushkën ngjitur pas krahut, në filmin “Malet me blerim mbuluar”, si ta kishte brinjën e vet… Po ndjehej në kinematografi një realizim i veçantë, që shihej për herë të parë në ekranin tonë! Qe fat për të e për të gjithë artistët tanë të rinj e të vjetër që nisën të shkruheshin skenarë për filmin nga shkrimtarë profesionistë, po edhe që ekranizoheshin nga regjisorë-operatorë që kishin studjuar në shkollat e huaja.. Kjo bëri që edhe figurat e interpretuara nga Timo Flloko, tashmë të shfaqeshin si njerëz të plotë, si karaktere të mëvetëshme, duke evituar kështu edhe njëfarë skematizmi, uniformiteti, ideologjizmi të tepruar e pllakatizmi banal që sapo kishin filluar të dukeshin nëpër filmat tanë të shumtë në numër, sidomos në ata të kohës së luftës.

Një ndryshim befasues në portret e në vetëdije, do të kemi tek filmi interesant “Njeriu me top”, në një tjetër psikologji origjinale, në terrenin krijues të personazhit që është nga radhët e fshatarësisë, pra tek Mato Gruda proverbial i Dritëro Agollit, një karakter i lindur e jo i rremë, i sajuar, por personazh me tipare njerëzore, ku pushka është kthyer në top, në figurën e të cilit aktori Flloko gdhend artistikisht portretin e një fshatari të pangjashëm me të tjerë. Po kaq njerëzor dë ishte Timoja në filmin “Liri a Vdekje” me një qetësi tronditëse, i vetëdijshëm se do të vritej edhe ai, apo disa vite më vonë, në filmin “Militanti” (1984), po këtë herë edhe më i pjekur në moshë, por edhe në përvojën e aktrimit, duke na dhënë bukur karakterin proletar-revolucionar të një heroi klasik (prej atyre bolshevikëve që kanë mbetur nostalgjikë në ekran dhe në përfytyrimet tona, por që arti bën detyrën e vet të reagimeve historike!), të një heroi real, referuar portretit të Vasil Shantos, me bindje të thella partiake, edhe pse në gojën e tij ka mbetur po ajo retorikë e mallkuar e komunizmit shkatërrimtar, këtu në inversin e vet, si “shpëtimtare e botës mbarë”. Po ajo dallgë shkatërruese që artisti do ta ndjente tragjikisht si personazh e si njeri, tek filmi “Vdekja e Kalit” dy dekada me vonë! . E dëshironte Timoja edhe një personazh fare të thjeshtë, Çeçenin, nga endacakët romë, me karakterin e tyre të veçantë romantik, që do t’ua ketë ënda të hyjnë në valle edhe me thesin ngarkuar mbi shpatullat e tij. Po edhe një karakter më ndryshe, pa ar më, pa shkrehur pl umba, mësuesin e “Strehës Vorfnore” në filmin e Anagnostit “Lulëkuqet mbi mure” (1976), që edhe kur u flet fëmijëve, edhe kur nuk u flet fare dhe i digjet shpirti nga brenda, bën para nesh betejën më të pabujshme të kohës së luftës, atë të ngritjes së një rinie të tërë në këmbë, me një të folur të qetë, me dhimshuri për varfanjakët e me dashuri të thellë për vatanin, së toku edhe me revoltën e ndezur,. Në këto dy filma, vlera njerëzore e patriotizmës dhe e heroizmës, është e puthitur mrekullisht me vlerën letrare të skenarit, me artin e aktrimit dhe me mjeshtërinë e një niveli fort të lartë të regjisurës. Ky është edhe sekreti depërtues, sugjestionues i magjisë së artit interpretues.

Por, do të kemi prej tij edhe karaktere të spikatura njerëzish të thjeshtë, që lënë gjurmën e veçantë të Timo Fllokos, si individualitete artistike, sikundër janë filmat e tjerë: “Nata e parë e lirisë” (1984), “Të paftuarit” (1985), “Binarët” (1987), “Vr asje në gjueti” (1987), “Larg barbarëve” (1994), “Përdhunuesit” (1995), “Syri magjik” (2005) e ndonjë tjetër, – filma të ndërtuara me karaktere, pa qenë heronj kryesorë, por njerëz të zakonshëm nga jeta e përditshme, që mbahen në kujtesë edhe më gjatë, shpeshherë, kur realizohen artistikisht, të cilët kërkojnë po kaq mjeshtëri e mund në interpretimin e aktorit.

Përse vallë i pëlqente Timo Fllokos roli i ati njeriut me një këmbë tek filmi “Balada e Kurbinit”? Sepse aktori do ta ribënte në ekran njeriun me këmbën prej druri që të hidhte valle e të gjente këtu të bukurën, vlerën njerëzore, të madhërishmen! Duhet thënë se, edhe në filmat, ku patjetër kërkohej evidentimi i heroizmit, ku trimi partizan duhet të vritej patjetër, aktori Flloko gjente pareshtur detaje e nuanca njerëzore. Derisa të portetizonte, si me daltë skulptori, anën tragjike të heroit, sikundër qenë për të shëmbëlltyra të paharruara njerëzore, si Çerçizi, Militanti, Matoja, Meço e Kabo, si karaktere të papërsëritshëm. Si njerëz!. Modeli i këtij trajtimi ishte filmi “Rrethimi i vogël” (1986), në filmin e Saimir Kumbaros, i cili aludonte për të ashtuquajturin “rrethim borgjezo-revizionist”, që sipas Udhëheqësit, qenkësh brenda njeriut tonë të gjorë(!), që ndodhej “brenda rrethimit të jashtëm!”. Mirëpo ky Agron-Kryetari që krijoi aktori Timotheo, nuk e ka aspak hijen e kryetarit të dikurshëm të Komitetit Ekzekutiv, por është një djalosh i mirë e i ndershëm, që s’ka hyrë akoma në “zhgunën partiake”…

Aktori i Teatrit

Në krahasim me filmin, aktori Timo Flloko, nuk ka shumë role në Teatër. Për një arsye tepër të njohur, pasi punonte si pedagog në përgatitjen e aktorëve të rinj, por edhe për diçka tjetër: Tashmë ishte i evidentuar si aktor i kinemasë, me shtatin e hijshëm dhe me atë qetësi filmike që e ka të tijën.

Fillimisht, këtë talent që spikati menjëherë, e “mbërtheu” regjisori i mirënjohur, pedagogu im dhe i tij, Kujtim Spahivogli, për ta patur në “Teatrin e të Rinjve”, që ai e kishte në zemër dhe si pikësynim për krijimin e një teatri novator, paksa më ndryshe nga i zakonshmi, duke u shkëputur përfundimisht nga retorika e teatrit të së kaluarës, nga deklamacioni e interpretimi emfatik dhe, për ta afruar sa më tepër me jetën reale. Por ky pikësynim i krijimit të një teatri “ndryshe”, ra në sy të keqdashësve, smirëzinjve e të partiakëve fanatikë, si një “dalje nga binarët”! Kështu, ai arriti ta realizojë shfaqjen e parë të këtij teatri me dramën “Një shok i klasës time”, shkruar po prej tij, ku Timo Flloko, interpretonte me Vaçe Zelën, Justina Aliajn, Robert Ndrenikën dhe me Gëzim Kamen. Ndërsa në dramën e dytë që shkroi Kiço Blushi, Timoja interpretoi bashkë me bashkëshorten Vera Grabocka, po këtë herë Spahivogli e vendos atë në një rol komik, me dëshirën e veçantë që ta “thyente” sadopak tendencën e përgjithshme si mani, për të luajtur rolet e dashnorëve dhe të heronjve. Edhe në komedinë “Banja” që nuk arriti të shfaqej, Timoja, pati një rol të veçantë, Orfeun (Vali). Po shfaqja do të ndalohej, sepse denonconte tipat butaforikë që ndodheshin ngado e kudo, edhe midis nesh! Qe pikërisht ky synim e tingëllim ideor, që krijoi edhe alarmin e “rënien e kambanave” për ta ndaluar dhënien e kësaj komedie të Majakovskit në publik! Po këtë fat të trishtuar do të kishte edhe drama e Tenes Uilliamsit “Orfeu Zbret ne Ferr”, që u vu në skenë nga regjisori Mihal Luarasi dhe ku Timo Flloko interpretonte rolin e Orfeut, ku ra në sy inteligjenca e aktorit në zbërthimin e botës psikologjike të personazhit… Por që s’qe e thënë të jepej, për vetë atmosferën e rënduar politike në vend, kur pjesët e huaja shiheshin si “penetrim i armikut të jashtëm!”

Kishte filluar revolta, jo vetëm e intelektualëve, e njerëzve tanë të artit e të letërsisë, por dhe e të gjithë popullit që vuante thellë mungesën e lirisë së shprehjes. Ngërçe këto, – që do të vazhdonin si kriza të teatrit e të artistëve tanë, derisa do të vinin orët e përmbysjes së madhe dhe artisti për të cilin flasim, do të “shkelte“ edhe Hollivudin, në vitin 1996, si një ëndërr e hershme…. Gjithsesi qe një përvojë e bukur! Ndërsa në kthim, në skenën e Teatrit Kombëtar e priste roli i Prometeut, në një inskenim të veprës së Kadaresë “Stinë e mërzitshme në Olimp” (2002), – ku heroi i mitologjisë greke me regji të shokut të tij të klasës Gëzim Kame, do të merrte nga aktori Flloko, disa tipare njerëzore, qoftë me vuajtjet, qëndresën, por edhe për sakrificën që bënë për njerëzimin, duke i “vjedhur zjarrin” Efesit e për t’ua dhënë pikërisht atyre, duke përballuar kështu dënimin e egër të Zeusit! Do të pasonte me dramën e Natali Sarotit “Një fjalë goje” (2006), me regji të Arben Kumbaros, ku do të interpretonte së bashku me Ndriçim Xhepën në një dyshe të lakmueshme të krijimeve aktoreske. Aktrimi i Fllokos në këtë dramë është tejet psikologjik, me zig-zage e ndërthurje mendimesh e ndjenjash spontane e të vrullshme njëherësh, të njeriut me pastërti e pasuri shpirtërore. Dhe menjëherë do të vinte për të, në vitin 2007, një kryevepër si ajo e Artur Milerit, drama e famshme “Pamje nga Ura”, për “plagën” e atij emigracioni, të cilin ai e pa dhe e ndjeu edhe vetë në Amerikë, duke kaluar poshtë “Urës së Bruklinit”, ku dikur qe streha e emigrantëve italianë që tërhoqën vëmendjen e Milerit. Qe oferta e regjisorit Albert Minga që Timo Flloko të bindej, ca më tepër akoma, se roli i Edi Karbones ishte pikërisht për të. Ai e interpretoi rolin e Edi Karbones me temperamentin mesdhetar të figurës, pasionant, befasues e shpërthyes, si edhe me ato shpresa që “lindin e vdesin” në vetëdijen e tij, kur jeta në mërgim do të përfshihet në dallgëzime të forta, duke e “lëkundur anijen pa vela” të italianit të varfër, por të ndershëm, që të jetojë edhe në kontinentin e largët. Suksesi i këtij spektakli e shtyu artistin të interpretojë edhe në një vepër tjetër të Milerit, “Shtrigat e Salemit”, ku tonalitetet “Bardhë e Zi” ishin edhe më të forta. Por jo edhe të të njëjtit sukses! Rolin e Xhon Praktorit ai e interpretoi me të gjithë arsenalin mjeshtëror që kishte akumuluar deri në atë kohë, por ama në brendësi të familjes së mentalitetit amerikan, që nuk arriti të perceptohet e të kuptohen në të gjithë gamën e tyre edhe tek publiku shqiptar. Dhe do të vinte në repertorin skenik të aktorit Flloko një nga veprat më të fuqishme të dramaturgut Peter Shafeer, i nderuar edhe me çmimin “Oskar”, “Equus”, që do të kuptohej tërësisht, do të duartrokitej gjatë nga publiku në sallë, që ndiqte gati “pa marrë frymë” veprimin skenik. Timo Flloko është këtu në rolin e psikiatrit Martin Dysard. Një aktor që ka luajtur Edi Karbonen e Milerit, me një patos qytetar, të cilin e revoltojnë rrethanat e vështira të jetës amerikane, në valët e dyndjeve të emigracioneve aty, nga kontinenti i vjetër, tani është në pozicionin e mendimit shqetësues e të dyzuar të kuptimit universal të jetës së njeriut në realitetin kompleks. Superdetyra e aktorit kryhet këtu mrekullisht përmes interpretimit të një aktori europian, që tashmë ka arritur përvojën universale.

Poeti, përkthyesi, regjisori e pedagogu i dramës dhe i filmit

Në universalitetin e jetës artistike të Timo Fllokos, gërshetohen e harmonizohen edhe këto vlera, kaq të domosdoshme për një artist që nuk punon e krijon thjesht për veten, në përsosjen e mjeshtërisë artistike, por edhe për synime krijuese brenda e përreth vetes të një bote universale, në kompleksitetin e dijeve, aftësive e mjeshtërive paralele. Aktori nuk është thjesht një zanatçi që kryen një rol e aq në teatrin e vet, apo edhe në një film a dy, po një figurë komplekse e njeriut që komunikon me auditorë e salla të mëdha, ku ndodhen mijëra e mijëra shpirtra njerëzorë. Së pari, ai është një poet i mirë i “infektuar” nga krijimi poetik i lirë, paksa ndryshe, që në moshën më të re, ne Shkollën e Mesme që kryente në Vlorë dhe, kur hyri në Shkollën e Lartë të Aktorëve, e pasuroi kaq shumë bagazhin poetik, me një duf tepër të lirë vjershërimi, saqë ato u bënë të “rrezikshme”, u grisën e u dogjën nga autori i tyre, kur kambanat po binin ndryshe dhe reprezaljet u vërtitën edhe përreth artistëve e mbi kokë të poetëve! Por, vite më pas, do të kemi prej tij dy vëllime poetike të botuara: “Robi i manive” e “Kërcim në bosh”. Kishte ardhur një kohë tjetër. Shkruan edhe një novelë që e quajti “Lejleku prej karte” dhe që do ta griste në një çast krize shpirtërore gjatë një periudhe të zymtë kohe të përjetuar më vonë. Por nuk do të shterte së shkruari asnjëherë. Përkthen nga gjuha serbo-kroatishte pjesën e mrekullueshme “Doktor Shuster” të dramaturgut bashkëkohës Dushan Kovaçeviç, e cila ra në duart e regjisorit Spiro Duni, i cili e vuri menjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar me një nivel të lartë artistik, ku shprehej me nota tragjizmi rënia shpirtërore tronditëse e një intelektuali vjenez dhe nëpërmjet një interpretimi të shkëlqyer të Robert Ndrenikës. Por Timo Flloko-Autor, nuk do të ndalet vetëm këtu. Përkthen nga anglishtja librin për jetën dhe veprën lapidare të artistit me famë botërore Marlon Brando, idhullit të tij krijues të artit modern të kinematografisë amerikane, ashtu sikundër është edhe John Belushi e, mbi të gjithë, i adhuruari i tij Bekim Fehmiu, që ai ka patur fatin ta njohë më nga afër.

Ndërkohë, një sërë spektaklesh të vëna në skenë prej tij, si punë diplome të studentëve të Akademisë së Arteve, shprehin profesionalizmin e shijet e këtij artisti të përkorë, të dimensioneve të gjera. Por as këtu nuk mbaron gama e tij krijuese dhe interpretuese, ngaqë e shohim jo pak herë si prezantues i spektakleve muzikore e të Fjalës Artistike, duke përfshirë këtu edhe Festivalin e Madh të Këngës në RTSH, por edhe si ligjërues nëpër tryeza televizive, nëpër juri të festivaleve teatrore dhe në evente të tjera kulturore, artistike e veprimtarish shoqërore. Gjithmonë i papërtuar e i thjeshtë, me kompleksitetin e një artisti bashkëkohës që rrezaton kulturë, etikë qytetare, pasion, hijeshinë fizike e të një arti elitar, potencë komunikuese, por edhe sugjestion të padiskutueshëm tek të gjithë ata që e duan dhe e dëgjojnë me adhurim Timo Fllokon, për të cilin, kam edhe unë “një fije të drejtë që të krenohem”, ashtu heshturazi, si një nga pedagogët e Mjeshtërisë së Aktorit

Nga: Miho Gjini/Konica.al



Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here