Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka komentuar vendimin e komunikuar nga presidenti Meta ditën e djeshme se nuk do të jepte dorëheqjen por në vitin 2022do të merrte kartën e anëtarësisë në LSI.

Sipas Manjës, Presidenti Meta ishte drejtuesi real i fushatës së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Në korrik të vitit 2022 Meta do të jetë në krye të LSI-së. Edhe pse nuk dha dorëheqjen ashtu siç kishte deklaruar, dhe unë e dija se një gjë e tillë nuk do të ndodhte, në sytë e shqiptarëve moralisht nuk është president i vendit”, tha Manja.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, u shpreh se Meta ka qenë i vetmi politikan që ka përdorur një gjuhë ndasie.

“48 orë para zgjedhjeve ishte ai që kërkonte konflikt. Del nga shinat dhe thotë burra e gra dilni se do presim duar kush prek votën. Nuk besoj se ka president që ditën e zgjedhjeve të dalë t’i thotë popullit të marrë sfurqet. Shqiptarët refuzuan gjuhen e dhunës dhe votuan “, tha Manja.

I pyetur për procedurën që Partia Socialiste ka nisur për të larguar Metën nga Presidenca, Manja tha: “Nuk ka ende një diçka zyrtare për këtë. Çështja për nisjen e procedurës për shkarkimin e Metës do të shihet në ditët në vijim”.


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here