Demokrati Enkelejd Alibeaj ka zbërthyer disa nga prapaskenat që po përgatit qeveria. Sipas Alibeajt, mazhoranca po nxiton të zëvendësojë anëtarët e vettingut dhe kjo sips tij është një ogur i zi për të ardhmen.

“Ka një nxitim nga mazhoranca që të zëvendësojë anëtarët e vetingut duke përfituar nga ky parlament monist. Është ogur i zi për të ardhmen, mazhoranca nuk po dëgjon asgjë nga piskamat e ndërkombëtarëve dhe këta si karshillëk kryeneç bëjnë po të njëjtin akt, krijojnë komision nga parlamenti pa legjitimitet për të çuar në garën e vetingut njerëzit e tyre. Këta nuk presin shtatorin kur do të jenë forcat reale parlamentare, por nxitojnë ta bëjnë me këtë parlament”.

Sipas tij, drejtësia nuk ka kënaqur pritshmëritë e publikut dhe sot jemi me një sistem vetingu që nuk i përgjigjet më ligjit dhe kushtetutës, pasi nuk ka më vendime të standardizuara.

“Drejtësia nuk ka arritur të kënaqë pritshmëritë e publikut prandaj një orë e më parë kushdo që ka mundësi forcë dhe kurajo duhet të kthejë sistemin e drejtësisë në binarë. Kjo histori për mua ka filluar që në shtator 2016 ishin ligjet që duheshin miratuar me konsensus, që në atë moment për këdo që kupton e kupton se tendenca e mazhorancës për ta miratuar në mënyrë të njëanshme do të çonte në këtë përfundim kështu që besoj se nuk ndodh brenda natës kanë ecur me idenë që këto ngërçe të vogla mund të ishin kaluar, por paska pasur një plan të qartë për të kapur sistemin e drejtësisë. Dhe sot jemi me një sistem vetingu që nuk i përgjigjet më ligjit dhe kushtetutës, nuk ka më vendime të standardizuara”

Alibeaj thekson se rreziku kryesor është pushteti që zgjat tentakulat për të kapur sistemin e drejtësisë dhe këto sipas tij janë kambanat e alarmit që opozita i ka thënë me kohë, ndërsa komenton edhe deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim.

“Ambasadorja iu drejtua institucioneve të drejtësisë, është dëshmi e qartë që ka diçka që nuk ecën që institucionet e reja nuk po japin minimumin e performancës së aspiruar. Nuk më çudit, sepse ajo që ne kemi thënë si opozitë që me elementet e para të miratimit të ligjit dhe emërimeve në mënyrë të njëanshme, rreziku nr. 1 është pushteti që zgjat tentakulat për të kapur sistemin e drejtësisë. Këto ishin kambanat e alarmit që ne thamë me prova konkrete që sot edhe skeptikët i kanë”.

Alibeaj apelon që të vihet theksi te largimi i presionit të pushtetit mbi drejtësinë teksa shton që mbështetja financiare është i vetmi kanal komunikimi i drejtësisë me qeverinë.

“Fakti flet vetë. Ne kemi nevojë ta ngremë një orë e më parë sistemin e drejtësisë dhe kjo duhet shoqëruar me mbështetje financiare. Fakti është që përse ndërkombëtarët sot po shohin me pikëllim faktin që nuk po jep fryte reforma në drejtësi. Lihen nën tutelë. Drejtësia ka vetëm një mundësi kontakti që është financimi dhe mjafton t’i presësh këtë kanal komunikimi dhe drejtësia vdes. Para pa fund shkuan për të blerë vota për të vjedhur mandatin e tretë. Nëse nuk do të vihet gishti mbi largimin e presionit të pushtetit mbi drejtësinë këtu duhen të fokusohen energjitë edhe të ndërkombëtarëve. Publiku shqiptar të ndriçohet dhe të ketë kurajo civile që të vërë gishtin mbi plagë”.

 

 




Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here