Jean Yves Le Borgne, avokat i pajtuar nga ish kryeministri Sali Berisha për të ndjekur betejën ligjore në Francë kundër sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në një intervistë për një media shqiptare, jep detaje lidhur me kete ceshtje.

“Në Francë çdokush mund të hapë padi për shpifje ndaj çdo kujt, me kushtin që akti i supozuar i shpifjes të ketë ndodhur në territorin francez. E meqenëse ajo që zoti Berisha konsideron si shpifje është botuar në ëebsitin e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe meqenëse interneti e sjell këtë informacion dhe në territorin francez akti i shpifjes rezulton të jetë konsumuar edhe në Francë. Nga ky moment është legjitime që klienti im nga Shqipëria, zoti Berisha të hapë padi në Francë meqenëse rezulton se ka pësuar shpifje dhe në Francë”, tha avokati francez që mbron ish-kryeministrin.

Për këtë gjyq të pazakontë, që zhvillohet në një shtet si Franca ku i paditur është një zyrtar i SHBA dhe nga një shqiptar janë ngritur shumë pikëpyetje, nëse ekziston baza juridike për të hapur një proces të tillë ku asnjë palët në këtë konflikt nuk janë shtetas francez.

Gazeta “Shqip” kontaktoi me avokatin e njohur Idajet Beqiri, ku e pyeti në lidhje me këtë përgjigje të avokatit francez. “Në radhë të parë avokati e ka fjalën për shpifje. Por sa pasqyrohet në deklaratën e sekretarit Amerikan të Shtetit, nuk ka asnjë shpifje. Përkufizimi i shpifjes është: Përhapja e thënieve që dihen se janë të rreme, pra autori që bënë deklaratën është i bindur që ato thënie janë të rreme, por me vetëdije, me qëllimin dashakeq, i përhap ato, thjeshtë dhe vetëm për të diskredituar personin që i drejtohet. Pra nuk ka shpifje, për rrjedhojë bie procesi”, tha avokati Beqiri.

Më tej ai theksoi se padia duhet të ngrihet vendin ku banon i padituri, pra sipas tij, Berisha nuk ka të drejtë të padisë në Francë.

“E dyta, një padi shpifje sipas logjikës së avokatit francez mund të ngrihet dhe në Francë, por paraqitje e një padie në një gjykatë kompetente kërkon edhe kushte të tjera, mbi të gjitha lidhur me palët në gjykim. Padia si rregull ngrihet në vendin ku banon i padituri, ose në vendin ku do të ekzekutohet vendimi. Kjo do të thotë që mund të ngrihet vetëm në SHBA”, theksoi për Gazeta “Shqip”, Beqiri.

Ende nuk dihen arsyet përse Berisha, ka zgjedhur pikërisht Francën dhe avokatin e shumë paguar për të bërë luftë ligjore me sekretarin Amerikan të Shtetit. Por duket që arsyetimet që japin Berisha dhe avokati i tij janë të zbehura pasi Berisha duhet ta vazhdojë luftë ligjore në SHBA andej nga ka ardhur vendimi I shpalljes “non-grata”.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here