Mesa duket rezultati i 25 prillit ka futur ne sherr dhe ka ndezur përplasjet brenda Partisë Demokratike.

Kandidati për deputet në qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko, në një postim të gjatë në rrjetet sociale shkruan se në asnjë ditë të fushatës nuk ka punuar për emrin dhe numrin e tij, por për PD-në.

Pavarësisht se nuk përmend emra, Bejko duket se i referohet Tritan Shehut, i cili është fituesi i vetëm i PD-së.

Ndërkohë që sulmon Shehun që ka punuar vetëm për vete dhe jo për partinë.

Ai thotë se është bërë antifushatë ndaj tij, ndërsa përsa i përket Lazaratit, fshatit të tij, Bejko shprehet se nga ai fshat i cili ka qenë përherë i djathtë, kanë dalë plot djem e vajza, që mbrojtën votën e PD në komisionet e numërimit.

Postimi i plotë i Bejkos:

Të dashur miq. Po shikoj që në rrjetet sociale qarkullojnë komente pakënaqësie për shkakun e mungesës së një falenderimi të dedikuar demokratëve të Lazaratit nga marësi i mandati të deputetit në Gjirokastër…

Unë nuk e di çfarë dhe si ka ndodhur, sepse prej dy ditësh i jam kthyer punës time të përditshme, pasi duke qenë se nuk punova asnjë çast për votën time personale, nuk u ngula në shkallët e pallatit të sportit të qytetit me ankthin e thellë të rezultatit të votës personale.

Së pari, sepse nuk punova për të, por për nr 9, votën e partisë, pasi vetëm ky variant mund të më çonte në Parlament, dhe së dyti, sepse nuk kisha nevojë të provoja me numrin e lartë të votave legjitimitetin tim në pozicionin që më vendosi kryetari a partia ime. Mua legjitimitetin permanent, ma ka dhënë kontributi, historia, bashkëpunimi me demokratët e më tej qytetarët e atij Qarku të veçantë, ndër vite.

Kështu që çdo votë që është shënuar në kutinë time nr 2, nuk është votë e kërkuar nga unë në shkëmbim të një premtimi a të një favori nesër në pushtet, por është votë zemre, respekti, dashurie, besimi, mirënjohjeje reciproke, vlerësimi për gjithçka kemi bërë së bashku deri më sot në ditë të mira, por sidomos në ditë të vështira që nga themelimi i PD-së.

Ndaj, u jam mirënjohës të gjithëve që më kanë votuar që nga Frashëri si skaji më i largët i Qarkut, e deri në Zagori, nga Progonati e deri në Pogon, duke futur këtu çdo qendër votimi në qytete e fshatrat aty.

Por më besoni dhe më mirëkuptoni, nëse ka një votë që më ka shijuar pa fund, kanë qenë votat të bashkinë Gjirokastër dhe veçanërisht në vendlindjen time, Lazarat.

E dija siç e dinit edhe ju që brenda nesh pati anti fushatë ndaj meje. Shumë prej jush u vutë në siklet në fillim dhe gjatë fushatës, sepse zemra ua donte të punonit me mua dhe për emrin tim, por nga ana tjetër kodoshët e partisë u bënin presion me ironi e me fraza dykuptimëshe apo dhe në italisht, që të mendonit pak më shumë për pozicionin tuaj nesër në pushtet…

Kjo antifushatë u fut thellë në Lazarat, veçanërisht. Donin të dilja i pa votuar aty. Të më turpëronin!

Por pikërisht aty, morën përgjigjen e merituar. Si gjithmonë Lazarati fisnik, Lazarati i atyre që janë në punën e tyre dhe që ndihet mirë kur shikon që dikush nga të bijtë e vet ka sukses, nuk nxin nga zilia, por shndrin nga lumturia, u tregoi vendin. I trajtoi si horra, dhe i bëri të turpërohen për horllëqet dhe pabesitë e tyre.

Ndaj, ndihem krenar për ato gra dhe burra, për ata të rrinj e të moshuar që më kanë mbështetur e inkurajuar vazhdimisht për tu marrë me politikë me shpresën se besimin e tyre në mua, do t’ua ktheja mbrapsht një ditë…

Lazarati është vendlindja ime. Është dashuria ime. U jam mirënjohës për jetë unë dhe fëmijët e mi të gjithë atyre që më kanë votuar masivisht, vazhdimisht.

Megjithëse kam deklaruar se nuk do të rikthehem më për të kandiduar aty pasi i njoh limitet e mia, për asnjë arsye, u garantoj se nuk do t’u harroj kurrë si juve, ashtu edhe të gjithë demokratët e qytetarët e Qarkut që më votuan.

Ndërsa, sa për ata që ju i njihni me emra, zoti i mëshiroftë!

Për shkak të pabesisë, egoizmit, zilisë dhe dritshkurtësisë së tyre, nuk humba vetëm unë, por humbën të gjithë ata që vunë shpirtin në këtë fushatë duke besuar tek ndryshimi.

Të gjithë duhet ta dimë se pa Lazaratin dhe rininë e tij, mbi 100 qendra votimi në Qark, do të ishin pa komisionerë e pa vëzhgues. Pa votat që historikisht Lazarati i jep me shumicë absolute për PD, edhe madati i vetëm i të mandatuarit të saj aty, do të ishte i pasigurt.

Kështu që përveç falenderimit dhe mirënjohjes së thellë për mbështetjen personale, mbështetjes së madhe dhe pa kushte që i japin PD-së lazaratasit, nuk kam asgjë më tepër për të thënë, veçse respekte dhe mirënjohje për të gjithë!

Respekte dhe mirënjoje për rinininë e Lazaratit, posaçërisht!

Zoti e bekoftë Lazaratin siç e ka bekuar dhe mbrojtur gjithmonë!

Zoti i bekoftë dhe i ndihmoftë demokratët dhe familjet e tyre të Qarkut Gjirokastër kudo që ata janë! Faleminderit!


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here