Pazare droge dhe larje hesapesh; Në 21 ditë 4 atentate mafioze tronditën vendin

Në vetëm 21 ditë vendi është përballur me 4 ngjarje tragjike, ku kanë mbetur të vrarë personat e përfshirë.Atentatet e muajit maj duket se kanë një ngjashmëri me njëra-tjetrën. Tre prej personave të ekzekutuar ishin kthyer prej pak kohësh në Shqipëri, dy prej tyre nga Spanja dhe i treti nga Gjermania. Për të tre, hetimet janë përqendruar në larje hesapesh për trafik të lëndëve narkotike, prishje të pazareve dhe larje hesapesh.

Vlora është tronditur sërish dje nga breshëritë e kallashnikovit. Në mes të qytetit një tjetër të riu iu mor jeta nga plumbat. Delon Troqe, 38 vjeç, nga Vlora, është ekzekutuar para derës së biznesit të tij rreth orës 21:30, ndërkohë që me të ndodheshin edhe familjarët. 15 herë është qëlluar ndaj 38-vjeçarit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja.

Ky është ekzekutimi i dytë që ndodh në qytetin e Vlorës brenda 11 ditëve, ku më 10 maj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij 40-vjeçari, Bledar Birçaj, i cili gjithashtu nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Spanja. Por bilanci rëndohet kur ke parasysh që vetëm në këto muaj të 2021-shit, 3 të tjerë janë ekzekutuar në mënyrë mafioze në këtë qytet. 4 vrasje gjithsej që e bëjnë Vlorën një prej qyteteve më problematike në vend.

Bledar Birçaj, 40 vjeç, po lëvizte me automjetin e tij në mes të ditës, kur në drejtim të tij u qëllua me breshëri plumbash. Birçaj mbeti i vdekur në vend. Në makinë me të ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët shpëtuan për mrekulli. Dy atentatorët qëlluan pa mëshirë në drejtim të 40-vjeçarit. U larguan në drejtim të paditur, dhe 12 ditë pas ngjarjes, askush nuk e di kush janë dhe ku janë fshehur, duke ngelur një ngjarje akoma e pazbardhur. Pista kryesore e hetimeve është përplasja e bandave për trafik droge në Spanjë.

Pa u shuar jehona e plumbave në Vlorë një tjetër atentat mafioz tronditi vendin. Kësaj here në Elbasan. Me breshëri plumbash u ekzekutua po në automjetin e tij në lëvizje, Everest Çaka, i cili ishte në shoqërinë e së shoqes. Çaka ishte kthyer pak ditë më parë nga Gjermania, ndërsa mendohet se ekzekutimi i tij lidhet me përfshirjen në trafikun e narkotikëve. Atentatorët, pas vrasjes dogjën automjetin në Golem të Durrësit, ku dhe humbën gjurmët.

Atentati tjetër tronditi Shkodrën. Kryeqendra e veriut do të rikthehej sërish në vëmendje, pak më shumë se një muaj pas vrasjes së Bardhok Pllanajt. 32-vjeçari Endri Mustafa ishte shpallur që në datën 14 maj i zhdukur nga familja. Pas denoncimit, policia nisi kërkimin. Trupi i pajetë i Mustafës u gjet tre ditë më vonë në zonën e Livadheve, i vrarë me gjashtë plumba, njëri prej të cilëve në gojë. Policia ka shpallur në kërkim për ngjarjen Ibrahim Licin, i cili dyshohet të jetë ekzekutori dhe bashkëpunëtor një 15-vjeçar, i cili është arrestuar.

.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *