Në pasditen e 21 Korrikut të vitit 2019 u gjenda në provincën e Kampobases në Italinë Jugore, ku prej më tepër se pesë shekujsh në fshatrat: Kërmarini ( Campomarino), Muxhufuni ( Montecilfone), Portokanuni ( Portocannone) dhe Ruri (Ururi) jeton një komunitet vital arbëresh që ka arrit të ruajë gjuhën, traditën dhe artin popullor nga vendi i prejardhjes.

Në shoqërim të dy mërgimtarëve nga Zvicra: Gjergj Prenkoçaj dhe Shefqet Cakolli, pasi kishim vizituar më parë Ruri (Ururi) e Kërmarinin (Campomarino), arritëm në muzgun e mbrëmjes, pikërisht në ora 19, në qendrën e Portokanunit, ku një pjesë e banorëve të këtushëm, moshash të ndryshme: pleqtë para një lokali e të rinjtë para lokalit tjetër, ku derisa bisedonin ngitnin edhe dolli me pije të zakonshme ditore. Posa iu afruam grupit të parë të përberë kryesisht me të moshuar, duke iu treguar se ishim nga Kosova dhe jetonim në Zvicër, por që gjatë këtij udhëtimi donim të njihemi edhe me këtë pjesë të “gjakut tonë të shprishur”, ata na pritën me një përzemërsi dhe pranuan edhe që të shkrepim sa foto të përbashkëta.

Më pastaj një vizitë rasti i bëra edhe kishës së San Pietro e Paolos, ku një numër besimtarësh merrnin pjesë në një ceremoni lutjesh. Ndërsa që në vet qendrën e këtushme historike ishte edhe një lloj fortese në formë drejtkëndëshe, muret e së cilës janë të përbëra thuaja se nga të njëjtat shtëpi.

Sa i përket pozitës ky vendbanim arbëresh ndodhet në një kodër 148 metra mbi nivelin e detit, pranë bregut të djathtë të lumit Biferno dhe është rreth 65 km nga kryeqyteti rajonal. Mësojmë se Portkanuni është një nga katër komunat e Provincës së Kampobasos të banuar nga arbëreshë, së bashku me Kërmarinin, Maxhufunin dhe Rurin, lokalitete këto që prej shekujsh ruajnë gjuhën zakonet dhe kulturën arbëreshe.

Edhe nga kjo qytezë një pjesë e madhe e popullatës ka migruar për jetë më të mirë në veri të vendit apo edhe jashtë Italisë, ndërsa që një pjesë e mirë e popullatës që ka ngel këtu merret kryesisht me mbjelljen dhe kultivimin e bimës së ullirit ndaj edhe siç mësuam nga burimet e që flasin për këtë vendbanim, qyteza hyn në radhën e Shoqatës Kombëtare të Qyteteve të vajit, që ka për qëllim të promovojë vaj ulliri dhe vet territoret ku kjo kulturë prodhohet./ Nga Rexhep Rifati-Prointegra/Diaspora Shqiptare



Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here