Prokuror i Shkodrës ngrec në rrjetën e drejtësisë, shkarkohet nga detyra pas asaj që KPK gjeti –

Një tjetër prokuror i Shkodres ngrec në rrjetën e drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Arben Smaçin, prokurorin e prokurorisë së rrethit të Shkodres. Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Firdes Shuli pasi analizoi provat dhe faktet vendosi, shkarkimin nga detyra të prokurorit të Shkodrës.

Prokurori Smaçi u përball me vetingun me 15 korrik për tri kriteret e vlerësimit, atë të ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional, ku rezulton se nuk i përmbush sipas ligjit. Smaçi e ka filluar karrierën në vitin 2010 në prokurorinë e Durrësit dhe në vitin 2011 është emëruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Nënshkrimi i një kontrate premtim-shitje për një apartament në Tiranë në vlerën 50 mijë euro nga prokurori i Shkodrës, Arben Smaçi, në të njëjtën ditë që shitësi kishte lidhur kontratën e sipërmarrjes për të njëjtën pasuri në vlerën e 90 mijë eurove ngjalli habi dhe paqartësi mes anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancën dëgjimore që u zhvillua të enjten. Transaksioni është ndërlikuar edhe nga një pagesë prej 36 mijë euro që shitësi kishte bërë për llogari të kompanisë ndërtuese në emër të Smaçit. “Çfarë mund ta ketë shtyrë Xh.B. të bëjë pagesa në emër të subjektit të rivlerësimit, kur ky i fundit e ka paguar vlerën e përcaktuar në kontratën e premtim shitjes?

Kjo është çudia më e madhe,” tha në seancë komisioneri Olsi Komici. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, nuk kishte gjetur asnjë problem në pasurinë e prokurorit Arben Smaçi, por KPK ngriti në seancë dëgjimore dyshime për deklarim të rremë të një apartamenti të porositur në vitin 2015 në Tiranë si dhe mungesën e burime të ligjshme në vlera të mëdha. Si burime për pagesën 50 mijë euro, Smaçi ka deklaruar të ardhurat nga pagat, kursimet ndër vite, të ardhurat e vëllait si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe një hua në shumën 20 mijë euro.

Mungesë financiare është gjetur edhe për pagesën e shkollimit të vajzës në një kolegj privat në shumën 2500 euro, shpenzim për të cilin Smaçi ka deklaruar se e ka mbuluar vëllai i tij në formë dhurate. Smaçi rezulton të jetë edhe nën hetim nga Krimet e Rënda. Vitin e kaluar, Apeli i Krimeve të Rënda urdhëroi hetimin për shpërdorim detyre dhe korrupsion ndaj tre prokurorëve të Shkodrës, mes tyre edhe Arben Smaçi .

Vendimi datës 4 Qershor 2018 ishte marrë pas ankesës së shtetasve Ndoc e Simon Molla të cilët edhe më parë kishin kërkuar në Prokurorinë e përgjithshme hetimin e ish kreut të bashkise Bushat Zef Hila dhe prokurorëve. /ShkodraNews

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *