Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka ndjekur mbrëmjen e sotme nga afër punimet për Bajpasin e Vlorës, një javë para hapjes për qarkullimin e automjeteve.

Balluku bëri me dije se në 16 korrik do të jetë e pranishme bashkë me kryeministrin Edi Rama në hapjen e segmentit, që do të bëjë të mundur që qytetarët të shkojnë drejt Jugut pa kaluar në qytetin e Vlorës.

“Ka ardhur momenti që ta deklaroj, që kjo rrugë do jetë e përfunduar në datën 15 korrik. Mbyllim të gjitha punimet. Do punojmë me Policinë Rrugore për ta kolauduar. Bashkë me kryeministrin dhe delegacionin e BE, pasditen e datës 16, ne do të hapim zyrtarisht këtë rrugë për kalim. Deri në 15 të gjithë së bashku të mbyllim edhe ato problematika që kanë ngelur! Për ta bërë të kalueshme, për tu dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve të shkojnë drejt Jugut pa pasur nevojë të kalojnë nga qyteti i mrekullueshëm i Vlorës. Vlora do ngelet një sajt turistik dhe jo një rrugë kalimi në Jug. Pas 7 ditësh do jemi për festë dhe jo për kontrolle teknike në mesnatë”, tha Balluku.

Më herët ministrja tha se Bajpasi i Vlorës do të hapet për sezonin e verës për të çliruar trafikun në zonën e Radhimës dhe në hyrje të qytetit.

“Edhe njëherë në Bajpasin e Vlorës, sot një javë para përfundimit të kësaj vepre dhe dorëzimit të saj provizor, e cilësoj. Pasi ashtu siç kemi vendosur për të hapur Bajpasi për sezonin veror dhe për të çliruar të gjithë trafikun që mblidhet në zonën e Radhimës dhe në hyrje të Vlorës u kemi dhënë më forca kantiereve, punohet me tre turne. Pikërisht sepse duhet të hapet ky kalim. Ashtu siç u hap Bajpasi i Fierit provizorisht për periudhën e verës ashtu po ndodh edhe me këtë Bajpas”, tha ajo.

Balluku preku edhe çështjen e sigurisë rrugore. “Jemi të përqendruar tek sigurua rrugore. Unë shikoj që në ndryshim nga një javë më parë, dukshëm, janë përmbushur disa nga kushtet e sigurisë rrugore. Pra, rrjeta nëpër skarpate, semaforët që do vendosen në kalimet me një korsi sepse janë Bajpase provizore. I kemi kërkuar Policisë së Shtetit të vijë përpara se të dorëzohet vepra. Ne gjatë javës së fundit do të inspektojmë të gjithë rrugën, do presim nga ata sugjerimet që do na japin”, u shpreh ministrja.




Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here