‘Raketa’ që kanë përgatitur amerikanët për Ilir Metën: Shkarkim, ‘non grata’, përjashtim nga politika, procedim penal dhe konfiskim pasurie

Shpërthimi i fundit i Ilir Metës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një retorikë të ngjashme me atë të Sadam Hyseinit, Muamar Gadafit, Bashar al Asadit dhe Kim Jong Un, nuk ishte thjeshtë një solidarizim dhe marrje në mbrojtje të aleatit të tij, Sali Berisha, i futur në listën e zezë nga amerikanët për korrupsion madhor në bashkëpunim me Ilir Metën.

Shpërthimi me një gjuhë urrejtjeje dhe rrugaçërore i Ilir Metës kundër amerikanëve, poshtëruese për Shqipërinë pasi Meta fatkeqësisht vijon të mbajë postin e Presidentit të vendit, është në fakt një paralajmërim për atë që SHBA i kanë rezervuar Ilir Metës, si simbol i krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, i përdorimit të pushtetit për t’u pasuruar, i kapjes dhe shantazhimit të drejtësisë, i pastrimit të parave, blerjes së votave, i frontit kundër reformës në Drejtësi dhe i zhvillimeve në Shqipëri.

Nuk është më sekret se nisja me urgjencë e procedurave nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, ka marrë miratimin e amerikanëve. Përveç dyshimeve për implikimin në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, angazhimit në fushatë dhe kthimin e Presidencës në celulë të LSI, akuza kryesore për të cilën Kuvendi do ta shkarkojë Ilir Metën në ditët e para të muajit qershor, është cënimi i rëndë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi për shkarkimin e Ilir Metës është marrë natën kur Meta, nga një studio televizive, sulmoi ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe i shpalli zgjedhjet e 25 prillit një referendum kundër SHBA.

Referendumi dihet se si përfundoi: Banda e tij me emrin LSI u asgjësua në 9 nga 12 qarqe, duke u zhbërë si faktor politik.

Shkrirja e LSI dhe shkarkimi në ditët e para të muajit qershor janë vetëm hapat e radhës drejt fundit politik të palavdishëm të Ilir Metës. Sapo Gjykata Kushtetuese të pranojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpallin përfshirjen në listën e zezë të presidentit dhe familjes së tij. Vendimi është marrë mbi një dosje voluminoze me të dhëna, dëshmi, përgjime, dokumente, fotografi, pamje filmike etj., për një sagë aferash korruptive dhe krimesh të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Përfshirja e Ilir Metës në listën e zezë nga SHBA sinjalizohet edhe në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se Sali Berisha ka vjedhur bashkë me një aleat, me të cilin kanë penguar drejtësinë dhe minuar demokracinë në Shqipëri. Nuk ka dyshime se ky aleat i Sali Berishës është pikërisht Ilir Meta, të bashkuar që nga viti 2015 kundër reformës në Drejtësi.

Përfshirja e Ilir Metës dhe familjes së tij në listën e zezë do të ketë një efekt zinxhir.

Sipas burimeve, maxhoranca do të qartësojë ligjin e dekriminalizimit, duke vendosur ndalimin e kandidimit për deputet dhe ushtrimit të çdo detyre publike të personave që janë përfshirë në listën e zezë të SHBA. Ndryshimet që po diskohen kanë mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve, por edhe të Lulzim Bashës në heshtje. Ndryshimet përjashtojnë përjetësisht Ilir Metën nga Kuvendi dhe kupola e shtetit. Por, telashet më dramatike Meta do t’i ketë me SPAK. Dita kur SPAK do të marrë nën hetim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin nuk është e largët. Meta dhe Kryemadhi janë subjekte të SPAK-ut për shkak të posteve që mbajnë dhe detyrave që kanë ushtruar më parë.

Një regjistrim i një çështje penale për Ilir Metën dhe Monika Kryemadin, fut automatikisht në veprim ligjin anti-mafia, i cili zbatohet nga SPAK në çdo rast korrupsioni. Ligji anti-mafia parashikon sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha pasurive, të cilat nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar një pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro, e ngritur e gjithë me para të pista. Pasuria e Metës dhe Kryemadhit, ku përfshihen vila në Gjirin e Lalzit, pallati në Laprakë, një apartament 400 mijë euro, llogari bankare etj., bazohet vetëm në një kredi me vlerë rreth 100 mijë euro. Është e provuar tashmë se të gjithë pasurinë e kanë ngritur me para korrupsioni dhe trafiqesh./Pamfleti

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *