Ashtu siç është raportuar në mediat rozë, një muaj më parë në emisionin “Rudina”, ishte i ftuar ambientalisti Sazan Guri i cili gjatë diskutimit me të ftuarën tjetër, Arlinda Dudaj, iu drejtua kësaj të fundit me fjalët:

“Të keqen vëllai se je bërë dhe simpatike sot”.

Por deklarata e tij është konsideruar si seksiste nga Rudina Magjistari. Sot një muaj pas kësaj përplasje, është rihapur sërish diskutimi, por këtë herë me një përplasje edhe më të fortë mes Gurit dhe Magjistarit.

“Miq të dashur, me erdhi kjo video se nuk e kisha parë as vetë! Po kapët ndonje sjellje “seksiste” time gjatë një bisede për lumturinë e njeriut, aman ma thoni që ta kem parasysh për herë tjetër….. tju vesh pa pikë interesi, t’ju bësh emision, të harxhosh kohë nga vetja dhe të etiketohesh kështu…këta qofshin, flm, e me respekt për secilin nga ju që do kushtojë pak kohë…”, shkruan ai.

Nuk ka munguar as replika e Rudinës në komente, e cila e konsideron këtë postim të tij aspak dinjitoz dhe thotë se “fisnikëria nuk tregohet me gjithkënd bujare”.

“Përshendetje, Sazan! Meqë paske ngritur këtu tabelën e qitjes e rri bën sehir, po të them që minimumi të më kishe thirrur me një tag në këtë pazar anadollak: do kishte qenë më e denjë nga ana jote.

E dyta, nëse akoma s’e ke kuptuar që ndërhyrja ishte seksiste, s’paske për ta kuptuar asnjëherë. Një kompliment jo me patjetër është seksist, por në varësi të kontekstit po. Kur një bashkëbiseduese të kundërshton me argumenta, ti pse i përgjigjesh me komplimente për pamjen e saj dhe pse jo për mendimet e saj, fjala bie?

Ky është një mesazh i nënkuptuar, që bashkëfolësen nuk e merr seriozisht në debat dhe kjo sjellje quhet sjellje seksiste. Dhe sigurisht që më takonte të ta vija në dukje, përsa kohë kjo ndodh në studion time dhe sa herë ndodh në studion time. S’po përmend këtu gjuhën intimiduese më herët, që ta tolerova për fat të keq, e që në këtë video gjithashtu konstatohet fare lehtë.

Dhe së treti, me duhet të të kujtoj sa herë ke ardhur në programin tim, këtu e vite përpara, që në fillimet e tua publike, nëse s’i mban mend, interesi ka qenë reciprok dhe ti këtë e di mirë. Dhe s’është aspak dinjitoze nga ana jote të shprehesh si më lart.

Madje edhe këtë diskutim mund ta kishim bërë ndryshe, shumë më profesionalisht, por mesa duket fisnikëria nuk tregohet me gjithkënd bujare. Sa keq!”, shkruan ajo.


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here