Shehaj nga Shkodra kërkon votën e demokratëve, por njerëzit e Voltana Ademit shkojnë me skenar dhe bëjnë “lojën e papritur”

Agron Shehaj ishte kandidati i parë nga radhët e Partisë Demokratike që fushatën e tij për të marrë drejtimin e kësaj force politike zgjodhi ta bëjë nga Shkodra. Gjatë takimit me anëtar e simpatizantë të kësaj force politike, ku u vu re edhe pjesëmarrja e kryetarit të degës Xhevdet Amuli, u shoqërua me një analizë të asaj çfarë ka ndodhur në 25 prill, ndërsa bëri përgjegjës Lulzim Bashën, duke i kërkuar dorëheqje këtij të fundit.

Shehaj tha se PD ka nevojë për reformim të thellë, ku mos të vendosë për çdo gjë kryetari por të jetë anëtarësia e përfshirë në vendimmarrje.

“Basha e filloi me protetsta me bojkote dhe me zgjedhjet por dështoi e ka drejtuar partinë me kë ka dashur vetë dhe si ka dashur vetë. Si do të marrë përsipër atë që u bëri demokratëve. Ka patur blerje të votave në zgjedhje e kjo duhet të hetohet nga organet e drejtësisë, por e vërteta është se PD s’mund ta ndryshojë më rezultatin e zgjedhjeve. Mund të bënte më shumë që të fitonte zgjedhjet.

Një arsye kryesore pse humbëm zgjedhjet është se Shqiptarët nuk na besuan. Nuk na besun se ne mund të qeverisim më mirë se Rama. Shqiptarët nuk e besojnë më lidershipin e PD. Rama është i interesuar që të mos ndryshojë lidership i PD sepse mund të fitojë si të dojë dhe kur të dojë. Për të mundur Ramën na duhen njerëz të ndershëm dhe të fortë. Zgjedhjet e 13 qershorit nuk janë vetëm për kryetarin e PD por do të zgjedhim nëse duam të fitojmë apo të humbasim përsëri, me kryetarin që kemi ne humbjen e kemi në xhep”.

Por ajo që u vu re në këtë takim ishte fakti se demokratët, një pjesë e tyre kishin ardhur të përgatitur me skenarin për të mbrojtur Bashën dhe sulmuar Shehajn. Të punësuarit e Voltana Ademit, njeriut që luan me dy porta i dolën në krah Bashës duke deklaruar se edhe Shehaj është pjesë e humbjes dhe nuk kishte përse të vinte këtu për të kërkuar vota.

Të humbur për të humbur duam Lulzim Bashën, i thanë ata në takim, duke përsëritur fjalët sic ja kishin shkruar orkestruesit e kësaj skene. Vetë Ademi dhe shumë nga kryesia e PD, përfshirë edhe deputetët nuk dënjuan të ishin aty për të dëgjuar kolegun Shehaj, së pari për kulturë demokratike, e më pas si shenjë respekti.

Zgjedhja e tyre ishte e qartë, sepse nuk duan ti dalin kundër Bashës që i ka futur në lista dhe ndaj të cilit kanë premtuar besnikëri humbje pas humbje, mjafton që ato të jenë të sigurtë në listat e tij. Dëshmia se sa pak demokraci dhe vizion ka brenda radhëve të PD do të shihet qartë edhe në takimet e radhës, kur ditën që do të jetë Basha do të mbushet sheshi apo godina që do të përzgjidhet për tu bërë takimi i tij./ShkodraNews

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *