Publikohet historia e panjohur e Ndoc Tushës me origjinë nga Fush-Arrëzi i cili në shtatorin e vitit 1953, së bashku me katër shokë të tjerë, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se “kishin qeshur në mitingun e mbajtur në qytetin e tyre me rastin e vdekjes së Stalinit” dhe u dënuan me burgime të rënda, duke filluar nga 18 vjet për “kryetarin e grupit

Dëshmia e rrallë e Ndoc Tushës, që nga origjina e familjes që e kishte në gen mjeshtërinë e gdhendies në dru, arrestimin dhe vitet e burgut në Kampin e Bulqizës e Burgun e Artizanatit në Tiranë, si dhe periudhën pas burgut, kur ai u stabilizua në qytetin e Shkodrës, ku me ndihmën e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, Mëhill Doçit, ai u punësua në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe vitrina e dyqanit të tij afër ‘Kafes së Madhe’, pas Kalasë së Rozafatit, ishte vendi më i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj dhe në atë kohë, me porosi të udhëheqjes së lartë nga Tirana, ai përgatiti të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë, për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës.

Aty nga viti 1961 pasi unë u lirova nga burgu politik, me ndihmën e shefit të seksionit të Industrisë, Nikolla Papamitit me origjinë nga Gjirokastra, dhe kryetarit të Komitetit të Ekzekutiv të Rrethit të Shkodrës, Mëhill Doçit, m’u hap menjëherë vendi i punës në mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë. Deri në vitin 1965 unë punova në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit dhe në atë kohë, pas Kalasë së Rozafatit, vitrine e dyqanit tim aty afër Kafes së Madhe ku kisha ekspozuar afro 180 lloj punimesh, ishte vendi më i vizituar nga të gjithë turistët vendas dhe të huaj që vinin në qytetin e Shkodrës. Gjatë atyre viteve unë kam përgatitur të gjitha portretet e udhëheqësve kryesorë, si: Enver Hoxhës, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, etj., të cilat i duheshin udhëheqjes së lartë në Tiranë për t’u bërë dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës. Vetëm për Enver Hoxhën unë kam përgatitur mbi 60 punime, sipas porosive që kisha nga Komiteti i Partisë, duke e bërë atë në pozicione të ndryshme, vetëm apo me Mao Ce Dunin, Çu En Lain etj. Në atë kohë që vitrina e dyqanit tim u bë vend “peligrinazhi”, Sigurimi i Shtetit caktoi një nga kuadrot e tij civilë, i cili më survejonte rregullisht gjatë gjithë kohës që aty vinin turistë, duke parë se mos unë hyja në lidhje të ndryshme me ta. Edhe pse gjatë atyre 30 e sa viteve që punova në atë zanat në qytetin e Shkodrës krijova një simpati të thellë në popull dhe tek disa kuadro të lartë, disa herë u rrezikova të dënohesha përsëri për “agjitacion e propaganda” nga Sigurimi apo kolegë dashakeq. Njëri prej tyre ka qenë piktor I dekorit, F. A., i cili erdhi në dyqanin tim dhe pasi e mori fshehurazi portretin e pambaruar të Enver Hoxhës, e dërgoi atë tek Sekretari i Parë, Sulejman Baholli, duke i thënë se sa keq e kisha bërë”.

Kështu kujtonte për Memorie.al, Ndoc Tusha, njëri nga mjeshtrit më të famshëm në Shqipëri të aplikimit të pikturës me kashtë, i cili tregonte për herë të parë të gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga dënimi me dhjetë vite burg në qytezën e Fush – Arrëzit, i akuzuar se kishte qeshur kur kishte vdekur Stalini dhe më pas në qytetin e Shkodrës, ku disa herë i’u bënë gati prangat nga Sigurimi i Shtetit. Kush është Ndoc Tusha dhe cila është origjina e familjes së tij? Ku e vuajti ai dënimin prej 10 vitesh dhe si e mësoi ai mjeshtërinë e aplikimit të pikturës në kashtë? Cilët ishin njerëzit që e ndihmuan atë në qytetin e Shkodrës dhe ata që kërkonin ta rifusnin përsëri në burg? Në sa vende të botës ka hapur ekspozitat e tij Ndoc Tusha dhe cilat janë punimet që ish-kryeministri Pandeli Majko, ia mori për t’ja dhuruar Papës së Romës, Gjon Pali i Dytë? Lidhur me këto e plot fakte e ngjarje nga jeta e mjeshtrit të famshëm, na njeh intervista e tij në këtë shkrim.

Zoti Ndoc, sa kohë u morët me atë punë?

Deri në vitin 1965 unë punova në Ndërmarrjen e Shërbimeve të Popullit duke realizuar punime me porosi dhe që nga ajo kohë e më pas, unë kam përgatitur të gjitha portretet e Enverit, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Kim Ir Senit, Leninit, Stalinit, “Heronjëve të Punës Socialiste”, Shkurte Pal Vatës, Ismet Sali Bruçaj, shtëpinë ku ishte themeluar Partia Komuniste Shqiptare në Tiranë etj. Po kështu, përveç këtyre tablove dhe portreteve që i bëja sipas porosisë që më vinte nga Komiteti i Partisë, Komiteti i Rinisë etj., unë kam realizuar me qindra punime të tjera me tematikë të ndryshme. Të gjitha ato punime që realizoja unë në kashtë, shkonin pranë udhëheqjes së lartë në Tiranë dhe ata ua bënin dhurata personaliteteve të larta komuniste të vendeve të ndryshme të botës, apo miqve të tjerë marksistë – leninistë që ishte e lidhur në atë kohë Enver Hoxha dhe Partia e Punës së Shqipërisë.

Cili prej portreteve të udhëheqjes kishte kërkesa më të shumta?

Padyshim që Enver Hoxha. Për të unë kam përgatitur mbi 60 punime, sipas porosive që kisha nga Komiteti i Partisë, duke e bërë atë në pozicione të ndryshme, vetëm apo me Mao Ce Dunin, etj. Pas Enverit, një nga portretet më të kërkuara ishte edhe ai i Stalinit.

Ku i realizonit punimet tuaja?

Në atë kohë mua më kishin dhënë një dyqan, në afërsi të Kafes së Madhe dhe aty punoja për realizimin e tyre. Në vitrinën e atij dyqani, unë kisha ekspozuar afro 180 lloj punimesh, nga më të ndryshmet. Në atë kohë pas Kalasë së Rozafës, vitrine e dyqanit tim ishte vendi më i vizituar nga të gjithë turistët e huaj që vinin në qytetin e Shkodrës dhe si të thuash ajo vitrinë ishte bërë një vend peligrinazhi.

Duke qenë se punonit me portretet e udhëheqjes së lartë, kush i kontrollonte punimet tuaja dhe nëse kishte rast që ato nuk pëlqeheshin apo probleme të tjera?

Punimet e mia i kontrollonte Komiteti i Partisë Shkodrës dhe gjatë gjithë atyre viteve që jam marrë me atë punë, jo rrallë kam pasur probleme dhe dy herë kam qenë fare pranë burgut.

Përse ndodhnin këto, si i kujton?

Në atë kohë që vitrina e dyqanit tim u bë vend “peligrinazhi”, Sigurimi i Shtetit caktoi një nga kuadrot e tij civilë, i cili më survejonte rregullisht gjatë gjithë kohës që aty vinin turistë, duke parë se mos unë krijoja komunikim të veçantë me ta. Ai nuk largohej pa u sigurruar mirë se nuk kishte më turistë blerës në dyqanin tim. Edhe pse gjatë atyne 30 e sa viteve që punova në atë profesion në qytetin e Shkodrës ku krijova një dashamirësi te qytetarët por edhe disa kuadro të lartë, për faktin e thjeshtë se kisha hapur vende pune për rreth 700 punëtorë të Ndërmarrjes Artistike, disa herë u rrezikova të dënohesha përsëri për “agjitacion e propaganda” nga Sigurimi apo kolegë dashakeq.

Përse kërkonin t’ju dënonin kur bënit një punë që nuk e bënte njeri tjetër?

Sigurimi nuk pyeste shumë se çfarë pune bëje, po kështu dhe dashakeqësia e kolegëve kishte ndikimin e saj. Njëri prej tyre ka qenë piktori i dekorit, F. A., i cili njëherë gjeti rastin dhe erdhi në dyqanin tim kur unë nuk ndodhesha aty. Ai kishte marrë fshehtas portretin e pa mbaruar të Enver Hoxhës dhe e kishte dërguar atë tek Sekretari i Parë i rrethit, Sulejman Baholli, duke i thënë atij: “Ja si e ka bërë Ndoci udhëheqësin tonë”. Kur shkova në dyqan, kolegu Ymer Kuçi, ishte shumë i friksuar dhe gjithë keqardhje më tha: “Tani mbarove”.

Ju thirri ju Sul Baholli për këtë problem?

Sapo e mësova se F. A., kishte marrë portretin, unë shkova vetë tek Sekretari i Parë dhe i thashë se ai portret ishte i pa përfunduar dhe ishte në proçes pune. Për fat të mirë, Sulë Baholli, mbrojti të vërtetën.

Në të vërtetë, kjo punë e bërë nga ju ishte vërtetë e papërfunduar…?

Në mënyrë absolute jo, por u detyrova t’i thoja ashtu pasi kisha frikë se kush e di se çfarë mund të ndodhte dhe se sim und të interpretohej ajo punë që mund të më çonte përsëri pas hekurave të burgut. Ndonëse unë kisha qenë i burgosur politik, as që më shkonte kurrë në mënd që të bëja lojra të tilla. Përkundrazi, kur vinte puna për portretet e udhëheqjes, unë punoja me shumë përkushtim.

A keni pasur raste të tjera kur jeni rrezikuar për t’u arrestuar?

Po kam pasur dhe tre raste të tjera, në vitin 1968 kur në studion time erdhi një gjeometër, i cili vuri gishtin mbi portretin e Enverit dhe më tha: “Sa duaj kashtë ha ky”? Unë u tmerrova nga fjalët e tij dhe për gjashtë muaj kam pasur shumë frikë dhe prisja kur po vinin të më arrestonin. E kisha këtë frikë pasi unë nuk denoncova për këtë fjali që më tha ai njeri. Një rast tjetër ka qenë në vitin 1978, kur Sigurimi i Shtetit u bë gati të më arrestonte me akuzën për “agjitacion dhe propagandë”. Ata të Sigurimit kishin ardhur në Ndërmarrjen Artistike dhe si rregull duhet që të merrnin edhe mendimin e sekretarit të organizatës bazë të Partisë, por si për fatin tim, atë ditë aty ndodhej vetëm zv/sekretari i Partisë, i cili u kishte thënë: “Më mirë dhe më shumë punon Ndoci vetëm, se sa të gjithë komunistët e ndërmarrjes së bashku. Në asnjë mënyrë nuk jam dakord që të arrestohet Ndoci, sepse do të na ngelin 500 punëtorë pa punë dhe kjo është kosto e madhe për ne si ndërmarrje dhe gjithashtu edhe për qytetin e Shkodrës”.

Kush u’a tha juve këtë gjë, pasi këto gjëra në atë kohë mbaheshin në sekretin më të madh?

Është plotësisht e drejtë kjo që thoni ju që në atë kohë nuk dilnin këto gjëra që bëheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe organizata e Partisë, por atë gjë unë e kam marrë vesh vetëm pas viteve ’90-të, nga një Punëtor Operativ i Sigurimit, që ma tregoi në kofidencë. Ndërsa rasti i tretë ka qenë në vitin 1981 kur erdhi Kombëtarja e futbollit të Gjermanisë në Tiranë. Disa ditë para ndeshjes, një tifoz i zjarrtë e gjermanëve, Gjergj Morina, më kërkoi që t’i bëja portretin e Rummenigge, të cilën e punova në shtëpi për 18 ditë. Ai ja dhuroi Rumeniges në Tiranë dhe për atë gjë u arrestua. Pas arrestimit të Gjergjit, shokët e tij më lajmëruan që të ruhesha, por unë nuk kisha ç’të bëja se kisha shkruajtur emrin tim në atë tablo. Në një prej atyre ditëve të ankthshme më erdhi dhe më provokoi në shtëpi një gazetar lokal, duke më thënë se donte të më bënte një intervistë, për realizimin e portretit të futbollistit gjerman. Por unë ja mohova dhe i thashë se nuk kisha bërë një lojtar gjerman, por Din Zhegën.

Si u mbyll ky problem?

Pas disa ditësh mua më erdhën ata të Komitetit të Partisë duke më thënë: “Nuk je ti fajtor, por ne që nuk porosisim dhurata tek ty, sepse Rummenigge vetëm punimin tënd pranoi si dhuratë”

Po Ndërmarrja Artistike, a ju vlersonte për punën që bënit?

Patjetër që më vlersonte, sepse unë kisha hapur fronte punë për rreth 600 – 700 punëtorë. Kështu, duke vlersuar punën time, në vitin 1981 m’u dha tituli “Mjeshtër” dhe që nga viti 1979 isha anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Po kështu, mua më kishte vlerësuar dhe vetë Ramiz Alia, pasi që nga viti 1964 i kisha paraqitur një projekt Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, Bilal Parrucës, i cili ma miratoi dhe atë projekt e zbatuan të gjithë kryetarët e Komitetit Ekzekutiv që erdhën pas tij deri në vitin 1993.

Po drejtues dhe funksionarë të tjerë partiakë dhe shtetërorë që ju sulmonin, a ka pasur në atë kohë?

Po patjetër, krahas atyre që më ndihmonin, më përkrahnin dhe më vlersonin për punën që bëja, kishte dhe nga ata që më sulmonin për të më bërë keq, madje duke kërkuar dhe arrestimin tim. Një prej tyre ishte drejtoresha Z.C., e cila për katër vite rresht, më dërgonte relacione në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, duke thënë se unë po sabotoja punën. Po kështu kur vinin gazetarë apo grupe xhirimi nga Kinostudio “Shqipëria e Re” apo Radio-Televizioni Shqiptar për të bërë ndonjë kronikë apo shkrim për mua, ajo si drejtoreshë nuk i lejonte, duke u thënë se unë kisha qenë në burg politik, etj.

Sa paguheshit në atë kohë për punën që bënit dhe a keni marrë ndonjëherë shpërblime financiare për portretet e udhëheqjes që ju realizonit?

Në atë kohë unë paguhesha me rrogë bazë 640 lekë (të reja) në muaj dhe vetëm njëherë jam shpërblyer kur realizova një tablo të Kalasë së Rozafatit (1.80 x 1.80 cm.) e cila i’u dhurua udhëheqësit të Kinës, kryeministrit Çu En Lai.

Sa kohë u desh që të realizonit atë tablo dhe kush u’a porositi?

Porosia m’u bë nga shefat e Komitetit Ekzekutiv dhe për të realizuar atë tablo, unë punova pa pushim për dhjetë ditë rresht. Që ajo të mbaronte në afatin e caktuar m’ua më kishin vënë në dispozicion “Gaz”-in e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv, me të cilën më dërgonin në shtëpi për të ngrenë bukë dhe më sillnin përsëri në ndërmarrje që të shfrytëzohej koha në maksimum.

Pasi ajo i’u bë dhuratë Çu En Lait, a u thanë juve nëse e kishte pëlqyer ai tablonë tuaj?

Në atë kohë mua më thanë se Çu En Lai nuk e kishte besuar se ajo tablo ishte bërë me kashtë dhe e kishte parë me mikroskop. Kështu u tha në atë kohë, por nuk e di se sa e vërtetë ishte kjo. Por e vërtetë ishte se unë tek ajo tablo kisha aplikuar për herë të parë tallashin e imët, pasi vetëm me kashtë duhej të paktën tetë muaj kohë për ta përfunduar.

Po pas viteve ’90-të, a e keni vazhduar mjeshtërinë tuaj të punimeve në kashtë?

Që nga viti 1995 kur dola në pension, vazhdova të punoja në shtëpinë time dhe në atë kohë kisha dëshirë dhe tentova që të hapja një ekspozitë në Galerinë e Arteve Figurative në Tiranë, por dyert e saj nuk m’u hapën kurrë!

Sa ekspozita keni hapur gjithsej?

Në ekspozita kolektive kam marrë pjesë vazhdimisht që para viteve ’90-të, ndërsa ekspozitë personale kam hapur për herë të parë në vitin 1994. Që nga ajo kohë e deri në vitin 2004, kam hapur edhe disa ekspozita të tjera, si në Shkodër, Tiranë, dhe më pas Itali (në një panair ku merrnin pjesë mjeshtra nga vende të ndryshme të botës), si dhe në Zelandë të Re, ku kam shitur shumë punime. Dy nga punët e mija, si “Nënë Tereza” dhe “Papa Wojtyla”, ndodhen edhe sot në Vatikan.

Kush u’a porositi ato dy punë që janë në Vatikan?

Ai porositi z. Pandeli Majko kur ishte në funksionin e kryeministrit dhe ai i’a dhuroi Papa Gjon Palit të Dytë gjatë një vizite në Vatikan.

Në mbyllje të kësaj interviste, çfarë mund të shtoni ndonjë gjë tjetër, ndonjë peng a merak që u ka mbetur nga jeta juaj dhe puna me këtë mjeshtëri?

E vetmja gjë që ma ka mbetur merak, është ajo se kujt do t’ja lë unë këtë zanat?! Mendoj se do ishte mirë që Liceu Artistik, apo Akademia e Arteve, të hapnin një lëndë të re, atë të aplikacionit në kashtë./Memorie.al



Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here