Regjisori Kastriot Çipi thotë se ndarja nga jeta e aktorit Gulielm Radoja i ka lënë “një zbrazëti, që nuk do të ma mbushë askush e asgjë”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Çipi shkruan se priti dy javë që gjendja e Radojës të përmirësohej, por sot ai nuk ia doli të mposhte infektimin nga Covid-19, duke ndërrua jetë në ambientet e spitalit Shefqet Ndroqi në Tiranë.

Më tej regjisori thekson se ky vend mund të nxjerrë përsëri artistë të mëdhenj, por njerëzit si Radoja i ka gjithmonë e më të rrallë.

Postimi i plotë i Kastrot Çipit:

Pritja ta zbuska tronditjen, por jo pikëllimin. Dy javë piva përditë helmin tënd. Sot më dhe dozën e fundit.

Ma helmove shpirtin, miku im i shtrenjtë Gulielm!

Ta fal këtë “gabim”, sepse asgjë nuk mund të zbehë sadopak dashurinë dhe miqësinë, që me dhurove në 28 vitet e njohjes sonë.

Por më ke lënë një zbrazëti, që nuk do të ma mbushë askush e asgjë.

Artistë të mëdhenj ky vend ka nxjerrë e, ndoshta, do të nxjerrë prapë. Por njerëzit si ti i ka gjithmonë e më të rrallë.

E prandaj unë sot nuk qaj për ty qi ke dek, por për na qi kena mbet’…

Ndërkohë për vdekjen e aktorit Gulielm Radoja, një reagim ka bërë edhe aktori Julian Deda, ku thotë se ai do të mbetet “gjithmonë në majë të zinxhirit artistik shqiptar”.

Nërpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Deda kujton episodet nga koha kur Radoja iu jepte mësim në Akademinë e Arteve, ku sipas tij çdo orë leksioni fillonte me batuda dhe të qeshura. Deda thotë se profesor Gulielmi e bënte me vetëdije këtë gjë për t’i çliruara ata nga emocionet e provimeve.

Postimi i plotë i Julian Dedës:

“Profe, do ruaj ne memorjen time momentet fantastike nga koha kur me jepje mesim ne Akademine e Arteve. Çdo ore mesimi, e filloje me ndonje batute, ndonje histori per te qeshur apo me MÇB-ne tende te famshme dhe kete e beje me vetdije te plote per te na çliruar nga emocionet dhe presioni i provimeve. Ishe i mire shume Lemo. Faleminderit per kontributin tend, do ngelesh gjithmone ne maje te zinxhirit artistik shqiptar.

Lamtumire Prof. Guljelm Radoja. Prehu ne paqe artist.”/Panorama



Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here