Sukses i jashtëzakonshëm/ Njerëzit në kete shtet do të punojnë vetëm 4 ditë në javë





Katër vite prova, 2500 punonjës të përfshirë. Një kampion gjigant, nëse merret në konsideratë nëse ndodhet në Islandë, një vend me 356 mijë banorë.

Nga viti 2015 deri më 2019, qeveria e vendit dhe bashkia e Reikjavikut, kryen eksperimente të ndryshme për një javë pune prej katër ditësh me 35-36 orë, pa shkurtim page.

Qëllimi ishte të vërtetohej efekti i reduktimit të orarit te produktiviteti dhe mirëqenia e punonjësve. Sipas drejtuesit të kërkimit të shoqërisë së kërkimit Autonomy, i cili analizoi rezultatet së bashku me Association for Sustainability and Democracy, studimi është “një sukses i jashtëzakonshëm”.

Çfarë zbuloi hulimtimi

Hulumtimi përfshinte vende pune të llojeve të ndryshme, si kopshte, zyra, shërbime sociale, spitale. Raporti arrin në përfundimin se produktiviteti ka mbetur i qëndrueshëm apo edhe është rritur. Punonjësit deklaruan se patën më pak stres dhe më shumë kohë për t’iu përkushtuar familjes apo hobeve. Ata gjetën përmirësim si në shëndetin e tyre, edhe në ekuilibrin mes jetës personale dhe asaj profesionale.

Rezultatet e provave lejuan sindikatat islandeze të negociojnë kontrata të reja. “Në momentin e publikimit të këtij dokumenti – shkruhet në raport, 86% e punonjësve islandezë kanë një kontratë që parashikon orë më të shkurtra pune sesa në të kaluarën, ose u jep atyre mundësinë për të kaluar në një orar të reduktuar në të ardhmen”.

Kompanitë që po eksperimentojnë javën e punës me katër ditë

Edhe shumë kompani po eksperimentojnë (ose e kanë bërë më parë) javën e shkurtër të punës. Në fund të vitit të kaluar, Unilever, gjiganti i markave si Lipton e Dove, nisi një program, që lejon punonjësit e Zelandës së Re të punojnë katër ditë në javë dhe të zgjedhin se si t’i shpërndajnë ditët e pushimit. Pas një viti testimi, kompania do të vendosë, nëse do të zgjasë regjimin dhe do ta shtrijë atë te 150,000 të punësuarit e tjerë në të gjithë botën.

Në gusht 2019, Microsoft mbylli zyrat e tij në Japoni, për të gjithë të premtet. Produktiviteti, bëri të ditur kompania, u rrit me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Suedi, Toyota ka reduktuar në 6 orë turnet e punës. Në Itali, Carter & Benson nisi në janar javën e punës me katër ditë, me të njëjtën pagë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe rrjeti për zgjidhje marketingu, Awin, i cili, “pas eksperimentit me sukses për gjashtë muaj, të një jave pune me katër ditë e gjysmë”, nga janari kaloi në regjimin katërditor për të gjithë punonjësit.

“Kontrata e punës së të ardhmes”

Në vitin 2019, një analist i Bankës së Anglisë parashikoi që java me katër ditë pune do të zëvendësonte javën me pesë ditë, deri në vitin 2050. Në të njëjtin vit, kryeministri rus në atë kohë, Dimitri Medvedev deklaroi se “sipas të gjitha gjasave, kontratat e punës në të ardhmen do të jenë për një javë me katër ditë”.

Debati është intensifikuar pasi Covid na detyroi të punonim, në masë, në smart working, dhe për pasojë të rimendojmë mënyrat tradicionale të punës. Në maj 2020, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se java më e shkurtër e punës do të jetë një mjet për të lehtësuar rifillimin pas pandemisë.

The Independent kujton se, në Mbretërinë e Bashkuar, 45 parlamentarë nga parti të ndryshme nënshkruan një mocion “për t’i kërkuar qeverisë të krijojë një komision për të analizuar propozimin”. E përditshmja shton se një sondazh i kryer nga agjencia e hulumtimit të tregut Survation, i publikuar në korrik 2020, zbuloi se 63% e popullsisë e mbështet idenë e një jave pune me katër ditë pa ulje page, “ndërsa vetëm 12% e kundërshton”.

Disa javë më parë, në një raport të aktivistëve të Platform London dhe 4-Day Week Campaign, shkruhej se reduktimi i orarit mund të ulte edhe gjurmën e karbonit (carbon footprint). Pikërisht ulja e ndotjes është një nga arsyet e propozimit për një javë 32-orëshe, e paraqitur nga partia e majtë spanjolle Más País. Sipas themeluesit, Iñigo Errejón, debati për javën e shkurtër do të “vendosë shëndetin mendor në qendër të axhendës politike”.

Forbes




Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *