Ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha ka komentuar sot zërat që janë ngritur brenda PD ku kërkohet dorëheqja e Lulzim Bashës.

Hoxha shkruan se Lulzim Basha nuk po konteston zgjedhjet, por thjesht po mbron karrigen e kryetarit.

Hoxha rendit një sërë paradoksesh tek PD, ndërsa thotë se Lulzim Basha është ai kryetar partie që nuk ka as lirinë për të dhënë dorëheqjen.

Komenti i plotë:

Paradokset demokratikase

Fjalorët e shpjegojnë paradoksin si një deklarim që vjen në kontradiktë me vetveten.

Rezultati i zgjedhjeve në Shkodër është një shembull rezellyes në errësiren e ” manipulimit industrial” që i dogji përsëri ëndërrën kryeministrore Bashës.

PD e Shkodrës pati rritje si në vota edhe në mandate. Ajo e mbrojti votën nga blerja dhe manipulimi.

Nëse në Shkoder janë blerë votat, ato vota i ka blerë Tom Doshi në kurriz të PS, e cila pësoi aty nje humbje historike( këtë thonë analistët).

Në Shkoder nuk patën asnjë ndikim alternativat e tjera të djathta. Ato nuk e përçanë dot elektoratin e PD.

PD e Shkodres duhet të ishte krenare për vete dhe për popullin e Shkodrës që e votoi masivisht, sikurse duhet të ishte e tërbuar me Bashën dhe lidershipin e qarqeve të tjera që humbën turpërisht edhe këtë herë.

Por PD e Shkodrës është publikisht me Bashën dhe kundër zgjedhjeve. A nuk është ky një paradoks?

Basha realizoi në këto zgjedhje një ngritje të fortë. Dhjetë (10) pikë përqindje më shumë janë një shifër serioze. Çdo lider politik do ishte krenar për këtë rezultat, do t’a ndjente veten fitues. Basha e ka këtë rezultat, rezultatin më të mirë të karrierës së vet politike, ndoshta të pa arritshëm për të.

Por Basha po denoncon pikërisht këtë rezultat dhe po përgatit kontestimin e radhës.

Të jesh përpara arritjes tënde më të madhe në jetë dhe ta kontestosh atë, a nuk është dhe ky një paradoks?

Sjellja e PD të Shkodres nuk është paradoks, se deklarata e saj nuk është shkruar në Shkodër, por në Tiranë.

Edhe kontestimi i zgjedhjeve nga Basha nuk është paradoks, sepse në fakt ai nuk po konteston zgjedhjet, thjeshtë po mbron karriken e kryetarit.

Paradoks është:

– të jesh kalorës i votës së lirë, por garës së ndershme t’i mbyllësh çdo shteg;

– të jesh lider, por udhëheqësin ta kesh vartës;

– të jesh kryetar partie, por mos kesh lirinë për të dhënë as dorheqjen;

– të jesh lider humbës dhe të duash të rikandidosh;

– të jesh humbës të rikandidosh dhe të fitosh;

– të jesh me Berishën dhe të kërkosh dorëheqjen e Bashës;

– të kërkosh që Basha të rrijë në krye dhe të pretendosh se ai herën tjetër do ta mundë Ramën;

– Të luftosh për votën e lirë, por aleancat t’i bësh me Meten dhe LSI;

– të jesh me bythet për tokë, por të presësh që ringritja të të vijë nga Basha ;

– të jesh me bythët për tokë, por të presësh që ringritja të të vijë nga Berisha;

– Të jesh demokrat, por zgjidhjet t’i presësh vetëm nga Doktori.

Dikur, Genc Pollo e quante aradhën e demokrateve që ishin gati ta linçonin pse kish nisur t’i bënte karshillëk Doktorit ” demokratikas”, si për t’u thënë ” të papjekur”, ” axhamij”, ” të parritur”. Kanë kaluar 20 vjet nga ajo kohë.

Paradokset që na shoqëronin atëhere po na shoqërojnë edhe sot.

Të kemi ngelur ” demokratikas” vallë?

 


Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here