Tenderi korruptiv për burimin e Sinecit në Kuçovë; Policia ushtron dhunë mbi banorët e zonës, mbeten 3 të plagosur

Përplasje të forta janë shënuar edhe ditën e sotme mes banorëve të Lumasit dhe Policisë, në zonën e Kuçovës. Afera korruptive me një tender fals, dhënë në muajin janar 2021 nga kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, në favor të oligarkut Pëllumb Salillari, ka shkaktuar dhunë të egër fizike policore, mbi banorët e fshatit Sinec në zonën e Lumasit.

Palë në mbrojtje të tenderit korruptiv dhe vjedhjes me mashtrimin e kostos së ujësjellësit, është bërë dhe Drejtori i Policisë i Berat, Neritan Nallbati (mjeshtër pazaresh në çdo qark ku ka qenë); i cili me urdhër të oligarkut Salillari e kryebashkiakut Hajdari; ka vërsulur mbi forcat policore me dhunë shtazarake.

Burime bëjnë me dije se si pasojë e përplasjeve me Policinë, 3 banorë të zonës kanë mbetur të plagosur ditën e sotme, ndërsa në vendngjarje ka dhe efektivë të ekipit ‘Shqiponja’.

Kjo është një përplasje e përsëritur në këtë zonë, pasi banorët kundërshtojnë ndërtimin e një ujësjellësi që sipas tyre do të shkatërronte burimin e Sinecit, që është kthyer dhe në një atraksion turistik.

Banorët janë kundër shfrytëzimit të ujit të burimit për një ujësjellës të bashkisë, ndërsa kanë bllokuar fadromat e firmës private. Sipas banorëve projekti është bërë pa u konsultuar me ta. Po ashtu ata pretendojnë se burimi përdoret prej shekujsh për vaditjen e tokave dhe për kafshët dhe nuk do të lejojnë vijimin e projektit. Bëhet me dije se banorët kanë hartuar një peticion dhe do të hedhin në gjyq bashkinë e Kuçovës.

.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *