Policia e Shkodrës ka arrestuar një 46-vjeçar, i cili akuzohet se tregtonte pa licencë gaz të lëngshëm dhe naftë, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Sipas uniformave blu, gazi që përdorej në hotelin e familjes Gjoka, ku nga shpërthimi u plagosën rëndë nëna me tre fëmijët, tregtohej në kundërshtim me ligjin nga 46-vjeçari Petrit Mlloja.

Njoftimi i policisë: Ushtronte pa licencë aktivitetin tregtar të shitjes së gazit, vihet në pranga nga Policia.

 

Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e kri.mit Ekonomiko-Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

 

P. M., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 04.07.2021, në fshatin Pulaj Plazh, Velipojë, Shkodër, në një hotel trekatësh, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi mbetën të dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe dhe E. Gj. 12 vjeç, u konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin nga shtetasi P. M., të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga ISHTI.

Shtetasi P. M. e ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.




Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here