Vrau 17-vjeçaren, Robert Përpepaj kërkon lirinë nga arratia: Nuk doja ta vrisja, por…

Robert Përpepaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Griselda Gjikolaj ka apeluar vendimin e Gjykatës nga arratia. Mësohet se përmes avokatit të tij, Përpepaj ka dorëzuar dosjen në Apel ku kërkon ndryshim të veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje nga pakujdesia, pasi sipas tij ‘shënjestra’ nuk ka qenë 17-vjeçarja Gjikola.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës pranohet krimi, por sqarohet se qëllimi i të pandehurve Robert Përpepaj dhe Roland Muzhaqi ka qenë rrahja e ‘ndëshkimi’ i Erion Bengës dhe Sajmir Hixhës, jo vrasja e 17-vjeçares Griselda Gjikola.

“Robert Perpepaj kishte në plan ta mbante nën kanosjen e armës shoferin Erion Benga, ndërsa i pandehuri Roland Muzhaqi do t’i godiste ata me levë hekuri. Kur ka parë pistoletën, shoferi i ka dhënë gaz makinës dhe për pasojë, krejtësisht pa dashje plumbi ka kapur pasagjeren mbrapa shoferit, të ndjerën Griselda Gjikolaj. Nga sa me sipër, me provat e paraqitura nga akuza u provua se vrasja është kryer nga pakujdesia dhe jo me dashje. Përfundimisht, kërkohet ndryshimi i veprës penale nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje nga pakujdesia,”- thuhet në dosje.

Më 11 maj, Gjykata e Tiranës dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm Robert Përpepajn, ndërsa për Ronald Muzhaqin që është pas hekurave, dha 23 vite burg.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Maturantja Griselda Gjikolaj jetonte në një shtëpi me qira me të vëllanë binjak në Tiranë. Edhe pse ishin të mitur, fëmijët, duke qenë se prindërit i kishin të ndarë, kishin vendosur të shkëputeshin prej tyre dhe të vinin në Tiranë. Babai i tyre jetonte në zonën e Kurbneshit në Mirditë, ndërsa mamaja në Itali. Griselda Gjikolaj ishte në një lidhje me Erion Bengën dhe u qëllua sapo konsumoi një kafe me të.

Gjikolaj kishte pasur një njohje edhe me autorin e krimit, Robert Përpepajn më herët dhe pikërisht kjo gjë ishte bërë shkak për disa fërkime mes Bengës dhe autorit. Ajo që kulmoi ishte një sherr në kryeqytet gjatë të cilit Benga e kishte qëlluar me shuplakë Përpepajn. Kështu, dy muaj më vonë, i riu nga Tropoja bashkë me Ronald Muzhaqin thurën planin. Më 26 dhjetor 2018, ata i zunë pritë Bengës që po pinte kafë me Gjikolën dhe e qëlluan pasi u ngritën nga lokali. E reja vdiq, ndërsa Benga arriti të mbijetonte.

Share:

Author: rda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *